‘Kodra e Diellit’ dhuratë nga natyra (FOTO reportazh)

“Merr frymë thellë dhe lëshohu” 
“Hmmm, por nuk di ti mbyll këmbët”
“Do të kap unë poshtë, nisu!”
Një copëz bisede mes babait hijerëndë dhe të birit të emocionuar në një skaj të pjerrët me borë në qendrën turistike të Kodrës së Diellit, nuk të le indiferent ndaj asaj që ndodh përreth duke të zgjuar nga përhumbja në bardhësinë e borës.

Një ditë pas ndërrimit të motmoteve, kjo qendër rekreacioni në Malin Sharr që rri përbri qytetit të Tetovës, duket se me të drejtë mban emrin e lartpërmendur- dielli ndriçon dhe syri sheh mijëra kristale ngjyra-ngjyra nga reflektimi i borës.


“Jemi këtu nga mbrëmë, është koha e mirë dhe ajri i pastër u bën mirë fëmijëve. Do të qëndrojmë disa ditë”
thotë për Portalb, Besnik Miftari i cili me familjen katër-anëtarësh ka ardhur nga Zvicra për pushime në atdhe.

“Në Tetovë është bërë atmosferë e padurueshme me mjegullën dhe ajrin e ndotur, thjeshtë ikëm disa ditë nga smogu” thotë Afërdita, bashkëshortja e tij e cila mban fortë për dore Albionin 5 vjeçar, një djalosh çapkën i cili duket se në çdo moment do të shkëputet nga ajo për të rrëshqitur i hareshëm nëpër borë.


“Çmimet janë të volitshme këtu për ne “ausllanderët” “
thotë një burrë rreth të 40-tave i cili shoqëron çiftin nga Tetova për ta bërë pazarin në tregun e improvizuar ku shiten apo huazohen me para sajat dhe skitë.

“Kodra e Diellit” është vetëm 18 kilometra larg Tetovës në lartësi prej 1780 metra mbi nivelin e detit. Para konfliktit të 2001-shit turistët kishin mundësi me teleferik të arrijnë në këtë qendër ku mbahet për çdo vit gara ndërkombëtare në skijim “Kupa e Sharrit”.
Për fat të keq nga teleferiku kanë ngelur vetëm shtyllat e vetmuara që të ngjasojnë në mullinjtë e Don Kishotit, përreth tyre verës kullotin delet.
Dëgjuam premtime se do të rregullohet, por ja që deri më sot ata që dëshirojnë ta shijojnë diellin e “Kodrës së Diellit” duhet ti kyçin motorët e veturave.

“Më habit se si mundet ta lënë rrugën në këtë gjendje të keqe. Është qendër turistike kjo apo jo!?” shpreh mllefin vozitësi i një veture luksoze e cila si duket ka kaluar keq me gropat dhe gropëzat që në disa vende qëndisin rrugën deri në këtë qendër rekreative.

“Duhet investime në këtë vend. Si nuk erdh ndonjë gjerman i pasur ta blejë..“Kodra e Diellit” ka shumë potencial. Ja duket, shikoni përreth është dhuratë nga Zoti, e cila për gjynah nuk shfrytëzohet maksimalisht” thotë Hazbiu nga fshati Shipkovicë i cili ka sjellë nipat dhe mbesat në këtë vend.
Kapuçi i zi ia mbulon flokët e thinjura, ai qetas thith cigaren e cila si duket nuk i pengon në ajër të pastër dhe pret të dalin nga shitorja gratë e familjes.

“Sot një ditë me pak njerëz. Nuk ka dhe shumë borë, jo sikur e ka zanat të bjerë këndej. Megjithatë mirë është, kemi boll mysafirë për festën e Vitit të Ri. Presim shumë turistë në ditët në vijim” thotë pronari i një hoteli pak sa me dëshpërim kur sheh se pistat e skijimit janë varfër të mbushura nga dashamirë të këtij sporti.

Ai thotë se sezoni i skijimit ka filluar që më 21 dhjetor ndërsa më shumë ka turistë nga Kosova dhe Shqipëria.

“Tash gjatë pushimeve të mërgimtarëve kemi fluks të ndryshëm të turistëve. Nuk mungojnë as banorët e Shkupit, ja si që shihni edhe nga targat e veturave” tregon ai kolonën e veturave të radhitura para hotelit të tij.

Përpos ca hoteleve të mëdha, është krijuar një rrjet i tërë me motele dhe vikend-shtëpiza për akomodim të turistëve.

“Jemi ndër të parët në këtë vend. E kam ndërtuar këtë shtëpizë që në vitin 1988, në kohën e ish Jugosllavisë. Atëherë nuk ishte si sot, shumë pak vikend-shtëpiza kisha përreth. Thuajse nuk kisha fqinj. Por ama kishte bajagi turist që atëherë” tregon me nostalgji Sllavko Serafimovski i cili ngadalë dhe me durim radhite drutë para shtëpizës së tij të ndërtuar me gurrë.

Ai thotë se nuk e jep shtëpizën e tij për bujtje të turistëve, por të tjerat shkojnë një çmim prej 50-70 euro për bujtje.
Sllavko thotë se nuk ka vit që nuk vjen këtu, sipas vrojtimeve të tij, viteve të fundit shihet një rënie të fluksit të vizitorëve, me gjasë si pasojë e gjendjes së përkeqësuar ekonomike.

“Ose ka vizitorë “për një ditë” të cilët dhe nuk harxhojnë shumë. Me shtimin e reshjeve të borës do të ketë dhe më shumë turistë, ta them nga përvoja” thotë ai pak sa i mrrolur në fytyrë por sërish përfundon me buzëqeshje.

“Kodra e Diellit” ka disa ski-ashensorë që mund të të dërgojnë “ta prekësh qiellin”. Një i tillë është ai i Ceripashinës i cili mundëson të ngjitesh në lartësi deri më 2510 metra mbi nivel të detit. Ata më të guximshmit marrin dhe skitë dhe lëshohen me nxitim poshtë kodrës. Në këtë majë mund të ngjiten edhe ata që nuk kanë ski sepse ashensori është me ulëse. Njëjtë edhe ashensori që shkon deri në kishën Shën Ilija. Ndërsa kjo qendër posedon edhe pesë ski-ashensor tjerë që janë në dispozicion të skiatorëve.

“Nga 50 deri më 70 bileta në ditë kam shitur këto ditë. Një udhëtim deri tek Kisha Shën Ilija kushton 100 denarë për person. Bileta ditore është 900 denarë, bileta për gjysmë-dite është 700 denarë. Bileta sezonale është 12 000 denarë….”sqaron shitësi i biletave, pak sa i bezdisur nga pyetja e Portalb, që me sa duket thuajse secili person e parashtron.

Ai tregon më tej se “Kodra e Diellit” ka 35 km terrene skijimi me shtigje të veçanta për snoubord, 3 shtigje të homogjenizuara sipas kriteriumeve evropiane dhe shtigje të ndryshme të përshtatshme si për amator ashtu edhe për profesionist.

“Nuk mund të ngjitem lartë me ski-ashensor, shoh që disa persona ngjiten dhe pa ski, edhe unë kisha dashur por jam shtatzënë, më mirë jo…Më mbetet të sodis diellin nga këtu poshtë” thotë 28 vjeçarja, A.Z, profesoreshë në Universitetin Shtetëror të Tetovës e cila me bashkëshortin pinin kafenenë e mëngjesit në një nga lokalet e “Kodrës së Diellit”.

Sipas të dhënave nga Enti hidra-meteorologjik i Maqedonisë, numri mesatar i ditëve me borë në Kodrën e Diellit është rreth 135 ditë, derisa trashësia e borës në muajt janar, shkurt dhe mars është mesatarisht 100 centimetra. Edhe në  uajin dhjetor ka mbulesë bore ndërkaq mund të vlerësohet se qëndrueshmëria e borës është minimum katër muaj.

“Sytë e Sharrit” janë liqenet që gjenden në këtë bjeshkë.
“Mbase dielli lan sytë  në këto liqene me ujë perle, ndaj shkëlqen dhe aq shumë!” thotë Suzana Zyrakja.

Djaloshi tani më kishte arritur të tejkalon frikën dhe kishte skijuar deri në fund të pistës. Lavdërohej nga babai krenar..Njërzit ngadalë tërhiqeshin nëpër vendet e tyre të bujtjes.

Dielli që ka nisur të perëndojë të lë në mëdyshje: është tani apo në mëngjes më e bukur kjo kodër?

/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button