Fotografia që rrezikoi pavarësinë e Kosovës

Pak orë para shpalljes së pavarësisë fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova ishte ‘zhdukur’ nga holli i Kuvendit të Kosovës. Largimi i fotografisë kishte alarmuar përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këta të fundit kishin kërcënuar më bojkotim të seancës së shpalljes së pavarësisë nëse fotografia nuk do të kthehej në vendin e vet. Haraçija kishte qenë shpëtimi.

Kur po bëheshin përgatitjet e fundit rreth ditës së pavarësisë, në shtëpinë e popullit, dikush bëri një veprim, pasojat e të cilit nuk i kishte parashikuar. Kishte bërë lëmsh fotografin e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, e cila gjendej në holl të Kuvendit të Kosovës, pa e ditur se ajo mund të bëhej sebep, që pavarësia mund të mos shpallej ditën e planifikuar, më 17 shkurt 2008.
Largimi i fotografisë kishte alarmuar përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këta të fundit kishin kërcënuar më bojkotim të seancës të shpalljes së pavarësisë nëse fotografia e presidentit Rugova nuk do të kthehej në vendin e vet. Hashim Thaçi, që asokohe kishte vetëm pak muaj që ishte bërë kryeministër, kishte marrë një mesazh jo të këndshëm, teksa po i nderonte viktimat e familjes Jashari në Prekaz të Drenicës. Ai që e kishte thirrur, i kishte dhënë një urdhër të prerë. “Fotografia e Rugovës, duhet të kthehet në vendin e vet”. Dhe jo vetëm kaq. Fotografia do duhej të ishte e njëjta. Në dukje të parë, kjo nuk paraqiste ndonjë problem. Por aventura nis nga momenti kur merret vesh se fotografia ishte dëmtuar. E tensionet fillojnë të ngrihen kur fillojnë të humbin shpresat për ta gjetur identiken. Dikujt i kujtohet Astrit Haraçija, dikur ministër i Kulturës. Pas afro gjashtë vjetësh nga ajo ditë, Haraçija rrëfen rrjedhën e kthimit të fotografisë në vendin e vet. “Pas orës dhjetë të mbrëmjes së 16 shkurtit më kanë lajmëruar se është larguar fotoja e presidentit Rugova. Menjëherë kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë për ta rikthyer fotografinë në vendin e vet”, ka thënë Haraçija.

“Nuk e di se kush ka dhënë urdhër për largimin e fotografisë së presidentit historik Ibrahim Rugova, por e di që urdhri ishte për t’u kthyer ajo fotografi”, ka thënë Haraçija. Ai nuk ka pranuar të flasë se kush ishin miqtë të cilët ndihmuan rikthimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës në vendin e vet. 

“Nuk dua të flas me emra, por mund të them se kemi pasur mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë të cilët na kanë ndihmuar në kthimin e fotografisë së njëjtë dhe të formatit të njëjtë”, ka rrëfyer Haraçija. Largimi i fotografisë, sipas tij, kishte rrezikuar edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Nuk ka mundur të shpallet pavarësia pa u rikthyer fotografia aty”, ka theksuar Haraçija. 

Pas urdhrit ‘nga lartë’ që Kuvendi i Kosovës kishte marrë për rikthimin e fotografisë së presidentit Rugova, ishte shfaqur një problem i cili kishte zgjatur me orë. “Kërkohej që fotografia e njëjtë të vendosjes në vendin ku është larguar. Unë kam shkuar e kam marrë fotografinë në zyrën time dhe jam nisur për ta rritur në formatin e njëjtë”, ka thënë ai. Haraçija thotë të ketë shkuar në Shkup për ta ndrequr fotografinë e Rugovës. “Kam shkuar në Shkup natën dhe e kam shtypur dhe atë e kam bërë me para të mia. Për Rugovën jam në gjendje të bëjë gjithçka”, rrëfen ai, duke shtuar se në shtëpinë e tij gjenden të gjitha fotografitë e presidentit Rugova. “Prej fotografisë që është e vendosur përballë Grandit, e shumë fotografi të tjera janë tek unë”, rrëfen Haraçija. Procesi i rikthimit të fotografisë kishte zgjatur rreth shtatë orë. “Kemi punuar intensivisht që brenda këtyre shtatë orësh ta rikthejmë fotografinë e njëjtë në vendin e vet”, është shprehur Haraçija. Largimi i fotografisë, sipas tij, ka pasur një arsye të fortë nga urdhërdhënësi. “Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë ngjarja më e madhe historike për vendin dhe dikujt nuk i ka konvenuar që fotografia e presidentit Rugova me qenë e pranishme aty”. 

Një plan tjetër kishte bërë ish-deputeti Gani Geci. Ai ia kishte mësyrë Kuvendit me një fotografi tjetër të Rugovës. 

Atë fotografi, ai thotë se e ka pas ndërmend ta ngjitë në Kuvend para se t’ia niste akti solemn i shpalljes së shtetësisë.

“E kam pas ndërmend me e ngjitë në foltoren e Kuvendit e pastaj me u ulë në vend dhe me nënshkrua deklaratën, ashtu siç edhe e kemi nënshkrua të gjithë”, pati thënë Geci asokohe. Por kur fotografia u kthye në vendin e vet, gjithçka ra në vend. Përfaqësuesit e popullit u mblodhën në Kuvend. Njëzëri, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. /tribuna/

Lajme të ngjashme

Back to top button