Vetëtima

Vetëtimat janë shenjat e mëshirës së Zotit ndaj nesh
shkunden retë, thatësira njomet
e vdekura gjallërohet.
Dëgjoje shiun,
dil ndjeje në lëkurë
kënaqu me të
dhe nisu, eja te unë!
ashtu si që je, i lodhur, i djersitur
i shkapërderdhur, merre vetëm buzëqeshjen
dhe eja.

Heshtje dhe bubullimë në dhomën time
simfoni hyjnore për ata që dinë të dëgjojnë
të pres në cep të dritares,
eja qetësohu në prehrin tim
do të prek ngadalë, lehtë
deri sa të të zë gjumi…
E kur të mbarosh rrugëtimin e ëndrrave tua
dhe të hapësh sytë,
unë ende do të jem aty
duke të soditur e lëmuar flokët.

Eja, sa nuk është ndalur shiu,
me hapa të lehta nisu drejt mua
mos merr asgjë, të dua ashtu si je.
I dashuruar, i dëlirë e mendjeplotë.

Ti je vetëtima ime,
godet mu në zemër
e më dridh si korrenti
mëshirë për mua,
dritëplotë
ndriçove gjithçka
zëshëm hyre në jetën time
papritur,
më solle shiun dhe begatinë
buzëqeshjen dhe lumturinë
mi hape dyert e së Vërtetës,
e strehuar nën degët e injorancës
e përhumbur në lëndinën e djajve
më gjete mua,
lëshove rrënjët në shpirtin tim
më dogje, më pastrove
më ringjalle, më dashurove.

Eja dhe më duaj sërish
ashtu si di ti,
thellë, shumë dhe dhembshëm
e humbur në shi jam pa ty
eja, vetëtima ime
ndriço qiellin dhe më digj sërish.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button