Sejfullahu në “finalen e vogël” të Kampionatit Evropian

Në Kampionatin Evropian në mundje për junior, që këtyre ditëve është duke u mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, mundësi ynë Elmedin Sejfullahu po regjistron paraqitje të shkëlqyeshme, duke u plasuar në gjysmëfinale, ku humbi dhe si pasoj e kësaj, pasdite do të luftoj për medaljen e bronztë të kategorisë deri më 55 kg.

Mundësi i klubit të mundjes Liria, regjistroi paraqitje fantastike dhe edhe përkundër shortit shumë të vështirë, ia doli që të shkoj deri në 1/2 e finales. Elmedini, pasi në raundin eliminator ishte i lirë, në 1/8 e finales u takua me një prej favoritëve të kësaj kategorie, ukrainasin Roman Gutsulyak, të cilin arriti ta mposht në mënyrë të shkëlqyeshme dhe me dush, në një periudhë kur ishte në epërsi prej 4-1 me pikë.

Në 1/4 e finales, Sejfullahu, nuk pati fare vështirësi as ndaj mundësit nga Polonia, Adam Patryk Gorzynski dhe për ta mposhtur me superioritet teknik prej 10-0, i’u deshtën vetëm diku rreth dy minuta.

Me këtë, shkupjani 18 vjeçar erdhi deri te plasmani historik, në ½ e finales në këtë Kampionat Evropian për të rinj, ku u takua me favoritin absolut të kategorisë së tij, rusin Abasgadzhi Magomedov, ndaj të cilit rezistoi për katër minuta, por në fund nuk arriti ti shmanget humbjes me dush teknik. Duhet shtuar se rusët po dominojnë plotësisht garat e stilit të lirë dhe kanë finalist në çdonjërën prej tetë kategorive të mundshme.

Edhe përkundër kësaj disfate, fal kualifikimit në 1/2 e finales, Elmedin Sejfullahu, në seancën e pasdites, do të luftoj për medaljen e bronztë në këtë  Kampionat Evropian. Pengesa e fundit e Elmedinit, drejt medaljes së tretë nga samitet kontinentale (dy të parat i ka nga grupmosha e kadetëve), do të jetë një favorit tjetër i kësaj gare, mundësi nga Azerbajxhani, Mahir Amirasllanov.

Garat finale të ditës së fundit në Kampionatin Evropian për të rinj, në program do të jenë nga ora 17.00.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button