ME TY ËSHTË NDRYSHE

“Ende jam nën impresione të takimit: shkurt ta them, i bukur m’u duk. Aq gjatë e prisja dhe e dija se gjatë do ta kujtoj – por nëse duhet gjetur fjalën adekuate, atëherë do të ishte: një takim që të gjallëron. Kjo s’do të thotë se shpirtërisht isha i vdekur, por do të thotë se ti gjithmonë më rikthen në një jetë të freskët të ëndërruar” i shkruan nga burgu disidenti jugosllav Milovan Gjilas të dashurës së vet Shtefkës, të nesërmen pasi janë parë. Kanë pasur leje të shihen një herë në muaj, 30 minuta.

Këto ditë në Beograd u botua përmbledhja “Letrat nga burgu”.

“Shumë veta përjetuan robërinë, por kësi libri nuk mundën të shkruajnë…Njeriut që kaloi 9 vjet në burg kishte kush ti shkruajë. Ishte e shoqja e tij Shtefica”, u tha në promovim. Kështu lindi libri që i mbijeton ata të dy.

….I biri i tyre Aleksa Gjilas duke përzgjedhur “letrat e verdhema të sefit familjar” ka nxjerrë në pah dokument të vlefshëm për Regjimin, Dënimin, Çmimin e Lirisë, Çmimin e Parimeve…Libri, më shumë se sa dialog me historinë është dialog në largësi mes dy shpirtave që gjakojnë njëri-tjetrin dhe binden se dashuria e pakohë nuk zvetënohet, përkundrazi. Ushqehet nga pamundësia. Rritet në distancë.

Dëshmi të kësaj gjejmë në historitë mbi muzat.

Dëshmi është edhe kjo korrespodencë ndërmjet njërit prej disidentëve më eminentë komunistë shkrimtarit Milovan Gjilas dhe të dashurës së tij lojale.

…S’është me rëndësi vetëm libri, por edhe gjendja e lexuesit, prandaj “Letrat prej burgu” mund të shijohen si roman dokumentar i dashurisë.

3 dhjetor 1962

Shtefka e dashur,

Mendova mos të të shkruaj deri javën e ardhshme (…) Nëse pyetem unë, mes nesh gjithçka është e qartë e thjeshtë dhe s’ka nevojë të bindim njëri-tjetrin të sqarohemi aq më pak të japim prova. Jemi këta që jemi që njihemi dhe të tillë do mbesim. Kjo është kështu, prandaj kur të drejtohem ty sikur flas me veten.

Në momentet rezignuese prapa grilave, Gjilas i shkruan:

“Më kërkon ta përshkruaj jetën time këtu. Më duket detyrë e rëndë, pasi kryesorja është atmosfera, kurse ajo lyp sqarime të zgjeruara, letrare. Ndryshe s’di si përshkruhet atmosfera”.

“Kjo mund të zgjasë edhe shumë, por me ty më afër do të kishte qenë më gjallë, më çiltër…”.

“Provoj mos të mendohem fort dhe t’u përshtatem rrethanave. Nuk shoh as kushte as mënyrë për të dalur nga situata, prandaj e vetmja gjë e mençur mbetet durimi dhe përshtatja me situatën”.

“Betejat e humbura, e dashur, janë nga aspekti etik – pra edhe njerëzor – më të rëndësishme se sa betejat e fituara”.

Libër i shkruar gjatë, 9 vjet vetmi, që lexohet me një frymë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button