Kumanovë, rrugët të banuara me shqiptarë, por me emra maqedonase dhe të tjera

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, nga gjithsej 105484 banorët e Kumanovës, 27290 janë shqiptarë.  Ndërkohë që sipas ligjit përkatës përcaktimi i emrave të rrugëve bëhet me vendim të marrë nga Këshilli i komunës, rrugët në lagjet e banuara thuajse tërësisht me shqiptarë kanë emra maqedonase ose të tjera, si p.sh. disa nga emrat e rrugëve në Lagjen e Trimave” janë “Aлександар Здравковић”, “Перо Илиевски”, “Ужичка”  etj. Sipas ligjit poashtu tabelëzat e emrave të rrugëve të qytetit duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, por nuk janë. Të pyetur pse nuk i kanë ndryshuar këto emra në lagjet shqiptare, këshilltarët e Komunës së Kumanovës konfirmuan për Portalb se kanë marrë iniciativë, por se zgjidhja e çështjes pengohet nga qeveria e cila nuk jep pajtim, pasi siç dihet prej kohësh nuk funksionon normal. Ata poashtu bënë të ditur se 200 rrugë të qytetit janë të paemërtuara.

“Nuk është diçka e re, në tërë Maqedoninë e njëjta është”, u shpreh për Portalb.mk Ridvan Asani, këshilltar në Komunën e Kumanovës.

Disa banorë u shprehën për Portalb se nuk kanë asgjë kundër bashkëqytetarëve të përkatësive tjera etnike, por se do të ndjeheshin më mirë sikur vendbanimet e tyre të reflektonin përkatësinë etnike të banorëve vendas (pra të tyren), derisa kjo nuk paraqet ndonjë shkelje ligjore. Por si edhe për shumë çështje tjera edhe këtë ia kanë lënë në duar të zgjedhurve megjithëse siç tha një banor “Akoma nuk kam dëgjuar dikë të flasë për këtë punë.”

Sipas Ligjit për përcaktim të emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe i objekteve tjera të infrastrukturës, përcaktimi i emrave të rrugëve bëhet me vendim të marrë nga Këshilli i komunës. Ky vendim miratohet me shumicë të votave të anëtarëve të pranishëm të Këshillit të komunës, me ç’rast duhet të ketë shumicë votash të anëtarëve të pranishëm të këshillit, të cilët u takojnë bashkësive të cilat nuk janë popullatë shumicë në komunë. Këshilli i komunës përcakton listë me emrat e rrugëve, pas pajtimit të marrë paraprakisht nga Qeveria e RM-së.

I pyetur pse nuk janë ndryshuar emrat e rrugëve të banuara me shqiptarë, Asani deklaroi se çështja në fjalë është diskutuar në komunë para më se dy muajsh.

“Janë formuar komisione nga pjesa e këshilltarëve në kuadër të komunës për ndryshimin e emrave në nivel të qytetit të përgjithshëm. Nuk do të jenë vetëm për lagje të banuara me shqiptarë por do të jenë edhe për lagje tjera maqedone, që kanë emra të vjetër dhe emra që nuk i përkasin edhe historisë maqedone. Rruga më tutje si do të jetë? Në qoftë se vazhdohet me ndryshim të emrave, ky komision do të propozojë deri në qeveri emrat për ndryshime, nga atje mirret filteri i ardhëshëm se cilat emra mund të vendosen në rrugët e ardhshme.”

Sipas tij, ka disponim që 90% e rrugëve të mos emërtohen me emra por me numra, procedurë kjo më e shpejtë e praktikuar tashmë në emërtimin e rrugëve të reja, të formuara gjatë viteve të fundit në qytet.

I pyetur se kur pret që të zgjidhet kjo çështje ai tha “Në Shqipëri thonë ‘duke parë, duke bërë’, nuk është çështje që vendoset brenda natës, jemi në rrugë të ndryshimit e sipër” dhe nuk specifikoi ndonjë afat kohor pasi çështja, sipas tij, nuk varet vetëm nga ta, por njëherit edhe nga qeveria.

Në mbledhje në seancën e pyetjeve të këshilltarëve drejtuar Kryetarit të komunës e kam parashtruar unë personalisht vitin e kaluar dhe për këtë ka dëshmi, ndërsa ka vazhduar insistimi edhe nga këshilltarë tjerë pastaj.”-deklaroi për Portalb Zenun Ismaili, këshilltar në Komunën e Kumanovës i pyetur nëse është ndërmarrë ndonjë hap në ndryshim të emrave të rrugëve.

“Kam kërkuar edhe emërimin e rrugëve pa emra që janë rreth 200 në Kumanovë. Por ende janë duke u zvarritur punët në këtë drejtim, kryesisht nën arsyetimin e Kryetarit të komunes se kjo çështje është me kompetenca të përziera me nivelin qendror apo Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe po haset në pengesa të caktuara.

Diku mungon tabelëza me emrin e rrugës, por aty ku është i vendosur tabelëza emri i rrugës është i shkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Këtë e konfirmoi edhe vetë Asani, “Tabelat informuese, hyrje-daljet në qytete janë në shkruara në dygjuhësi. Për emrat e rrugëve se sa janë në shqip nuk e dij, por besoj se nuk mund të jenë të gjitha.”

Ndërkohë sipas Nenit 7 të Ligjit të lartpërmendur në komunën në të cilën së paku 20% e qytetarëve përdorin gjuhë tjetër zyrtare që ndryshon nga gjuha maqedonase, emri i rrugës përveç që shkruhet në gjuhën maqedonase, shkruhet edhe në gjuhën që e përdorin së paku 20% e qytetarëve./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button