Ahmeti: Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka deklaruar se shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues. Ai ka thënë se vitet e fundit statusi i shqiptarëve në këtë shtet ka ndryshuar dukshëm.

Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, ka thënë se viti 2013 është karakterizuar me përpjekje për ta siguruar mirëqenien për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet. Në intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë së vitet e fundit falë angazhimit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Qeveri ka ndryshuar për të mirë statusi i shqiptarëve në shtetin maqedon. Në këtë kontekst, Ahmeti ka thënë se edhe në vitin 2014 projektet për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve do të vazhdojnë.

Ahmeti ka folur edhe për proceset euroatlantike të Maqedonisë. Sipas tij, çdo vonesë në integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE mund të sjellë pakënaqësi tek shqiptarët. 

Përpos zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në vitin 2014 në Maqedoni, Ahmeti ka bërë me dije se në qershor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet e brendshme brenda BDI-së. “Më 5 qershor kemi caktuar Kongresin e 3 të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe presim t’i përfundojmë zgjedhjet e brendshme partiake”, ka thënë Ahmeti. Ai është fokusuar edhe tek proceset nëpër të cilat kanë kaluar Kosova dhe Shqipëria.

“Në përgjithësi proceset kombëtare janë në rrugë të drejtë dhe të gjitha forcat tona duhet të përqendrohen në realizimin e përcaktimit strategjik të rilindësve tanë për integrim në Bashkimin Evropian. Uroj që shpejt ta liberalizojmë edhe kalimin kufitar të qytetarëve midis Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu siç u bë tashmë me Shqipërinë”, ka deklaruar Ahmeti, duke uruar që në vitin 2014 të ndodhin procese të rëndësishme për shqiptarët.

“Shpresoj që 2014-a të jetë vit i liberalizimit të vizave për Kosovën, marrjen e statusit vend kandidat për anëtarësim në BE nga Shqipëria, si dhe anëtarësim në NATO dhe marrje të datës për fillim të negociatave me BE nga Maqedonia”, është shprehur Ahmeti. 

Lajme të ngjashme

Back to top button