ANALFABETI BARBAR

Tërë jetën kam dashur “t’i zbres” ikonat në tokë, t’i shoh ata si qenie njerëzore me të gjitha të metat dhe virtytet, t’i kruaj pak, siç thoshte Noli, për t’ua njohur të plotë kopjen. Kjo është arsyeja përse i dua autorët që e kanë bërë këtë edhe në kontekst të emrave më kumbues të artit botëror, si autori francez Zhyl Vales, i cili, në aktin e varrimit të poetit të madh Sharl Bodler, e quajti atë plagjiator, skizofren dhe njeri që s’kishte qenë i aftë për asgjë të hajrit. Ngjashëm kanë vepruar edhe shumë autorë të tjerë evropianë, përfshirë në këtë mes edhe disa emra rilindësish shqiptarë, si puna e Faik Konicës, i cili u përpoq ta shohë veprën artistike të ndarë prej jetës së krijuesit.

Theksimi i njerëzores së artistëve që kanë lënë pas vetes vepra të pavdekshme, për disa është i papranueshëm dhe me aromë zhvlerësuese, kurse për disa e ka ndihmuar kuptimin e njerëzve mbi artin dhe artistin. Jo rastësisht Lasgushi thoshte se artistët hanë, pinë, flenë, zihen, grinden… si unë, si ti, si ne…, se ata janë të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës vetëm në momentet e inspirimit dhe krijimit të një vepreje.

Ndër autorët që kanë pasur qasje komplete për gjenitë e artit, pa ngatërruar vlerat e një vepre me jetën e tyre është Fan Noli, prej të cilit përzgjodha për lexuesit e Portalb-it atë që shkroi për Betovenin njeri. T’i kënaqemi bashkë:

Njëri prej dy nxënësve të vetëm të Betovenit (Ferdinand Risi) thotë se Mjeshtri ishte gjithnjë në dashuri, por në periudha të shkurtëra, kurrë më gjatë se shtatë muaj… Nuk ishte as puritan as seksualist i tepruar… Betoveni duhet mbrojtur nga akuzat pse vajzat i zgjidhte nga meset aristokratike…

Ai ishte brutal me rrogëtarët dhe shërbëtorët e tij. I shante dhe hidhte mbi kryet e tyre vezë, pjata, libra dhe karrika. I keqpërdorte, i merrte nëpër gojë dhe i turpëronte miqtë më besnikë… E gënjeu në mënyrë skandaloze shoqërinë filharmonike të Londrës, duke i shitur tri uvertyra të vjetra si të ishin të reja… U kërcënohej edhe mirëbërësve… Ishte plotësisht koshient për padrejtësitë e tij, ndaj e përshkruan veten si “ankues kundrejt bamirësve”.

Sipas legjendës, heroi ishte krijesë shumë e mjerë që nuk i qeshi buza kurrë. Betoveni në pikturat e tij duket tmerrësish serioz, gjë që nuk përputhet fare me faktet: ai ishte tepër gaztor, me gjithë hidhërimet dhe mynxyrat… Betoveni nuk linte kurrë rast pa bërë një shaka… Ja si i shkruan një mikut të tij: “E di që jot shoqe është e bukur. E puth me mend dhe kam shpresë se do ta puth edhe personalisht… Kur të vij në Londër, kam ndër mend të bëj një tradhëti kundër teje dhe t’i paraqes një propozim sat shoqeje… Kur të vij aty, hap sytë. Nuk jam burrë plak, jam vetëm djalë i shkuar”.

Betoveni nuk shkoi kurrë në shkollë dhe s’ka diplomë e as titull të ndonjë instituti arsimor… Sipas Shindlerit: “Edukata e Betovenit as nuk ishte posaçërisht e keqe as posaçërisht e mirë; ai pat kryer vetëm mësimet fillore dhe pat nxënë pak latinisht në një shkollë popullore”. Betoveni nuk kishte edukatë që vlen të përmendet. Shkarravitja e tij e palexueshme është shkrim i një analfabeti, kurse në aritmetikë ishte i paaftë dhe për të të ardhur keq…

Një numër i mirë muzikologësh përfundojnë se Betoveni mbeti për gjithë jetën një analfabet barbar, gjë që nuk është e vërtetë. Kemi parë për shembull se letrat e Betovenit zënë një vend të lartë në letërsinë gjermane. Në anën tjetër, ca shkrime të tij provojnë përfundërisht se ai ishte njeri me kulturë të lartë, që kish lexuar shumë dhe që në atë mënyrë kishte fituar edhe edukatë. Ja ku janë ca shkrimtarë me veprat e të ciulëve ishte bërë Betoveni familjar: Homeri, Sofokliu,  Euripidi, Platoni, Aristoteli, Ciceroni, Ovidi, Shekspiri, Rusoi, Gëteja, Shileri, Shturmi…

Betoveni thoshte vetë: “Për mua s’ka hartim që është i tepërt për t’u mësuar… Së paku për të mësuar jam përpjekur gjithmonë, që nga fëmijëria e këtej, që të kuptoj domethënien e së mirës dhe urtësinë e çdo shekulli. Është turp për çdo artist që nuk mendon se është detyra e tij të bëjë të paktën kaq”.

Për kohën e tij ai ishte njeri me kulturë të lartë. Rizleri ka të drejtë kur thotë: “ Kushdo që e quan Betovenin pa edukatë ka mendim të gabuar për edukatën”…

Siç mund të kuptohet: s’është e thënë që artistët e mëdhenj të jenë shëmbullorë edhe si njerëz. Koncepti i tillë e ka penguar dhe e pengon në njëfarë mase zhvillimin e drejtë të artit shqiptar, sepse ka ngritur në qiell vepra diskutabile dhe ka përbaltur keq vepra të arrira për shkak të rrethanave jashtëartistike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button