Vit i suksesshëm për VIP-at tanë

Kanë punuar fort përgjatë gjithë vitit 2013-të. Por, gjithë kjo punë e bërë u është shpaguar me sukseset që kanë korrë. Të paktën kështu kanë pohuar për gazetën Tribuna disa nga emrat e njohur të skenës sonë, ndërsa përveç se kanë pohuar kënaqësi përballë sukseseve, ata janë zotuar për një vit pasues edhe më të frytshëm artistikisht.

Pas një vit punë e risi të vazhdueshme që kanë sjellë në treg fytyra të njohura publike, disa nga ta janë shprehur të kënaqur me përmbylljen e këtij viti sa u përket angazhimeve të tyre dhe sukseseve artistike. Ndonëse sipas tyre mundi iu është shpaguar Nora Istrefi, Lyrical Son, Grupi Troja, Besnik Canolli-2Po2, Arta Bajrami e NRG Band, për gazetën Tribuna kanë shpalosur se vitin që vjen risit dhe angazhimi i tyre do të jetë edhe më i madh…

Nora Istrefi: Jam shumë e kënaqur nga viti 2013

Ka qenë padyshim njëra ndër emrat më të lakuar të skenës sonë. Është mirëpritur me çdo projekt e është komentuar për të mirë. Është kjo këngëtarja Nora Istrefi e cila për përmbylljen e këtij viti për Tribuna është shprehur shumë e kënaqur. “Jam shumë e kënaqur me suksesin e këtij viti. Kam punuar shumë dhe e mira është që publiku i ka mirëprit projektet e mia, gjë që më bën të ndihem shumë mirë. Dhe mund me plot gojë ta konsideroj si një vit me sukses”.

2po2: Projektet e mia kanë pas sukses të jashtëzakonshëm

Në anën tjetër edhe njëri ndër rep artistët më të moçëm të skenës sonë, Besnik Canolli ka shprehur kënaqësinë karshi sukseseve që i ka korrë përgjatë vitit 2013, duke premtuar që vitin që vjen do të jetë edhe më aktiv. “E kisha përkufizuar si një vit mesatarisht të suksesshëm, duke marrë parasysh që ato pak projekte që i kam lansuar janë pritur shumë mirë, duke u nisë nga bashkëpunimi me Elvana Gjatën, pastaj këngën ‘Prej rrugës që e kam bërë’, pastaj ‘Kam ra n’dashni’ e cila ka pas një sukses të jashtëzakonshëm. Ndërsa vitin e përfundova me një bashkëpunim me Besa Kokëdhima dhe mund të them që është mesatarisht i suksesshëm. Por po pres që 2014-a të jetë dyfishi i viti që lamë pas”, ka thënë Canolli i njohur me nofkën 2Po2.

Troja: Suksesi ynë pritet në vitin 2014

E as grupi Troja nuk e kanë fshehur kënaqësinë e arritjeve të tyre. Por , sipas tyre suksesi i këtij grupi do të jetë evident në vitin 2014 bashkë me albumin në të cilin po punojnë intensivisht. “Nuk mund të themi që ka qenë një vit shumë i suksesshëm por as vit i dështuar. Ne kemi punuar, kemi pasur koncerte e mbrëmje të ndryshme dhe kemi kaluar shumë mirë. Mirëpo unë mendoj që suksesi jonë do të shihet tek në vitin e ardhshëm, atëherë kur ne do të vijmë tek publiku me një album”, ka thënë lideri i bendit Bujari Berisha.

Arta Bajrami: Habitem me suksesin tim

Edhe pse nuk ka qenë shumë aktive këtë vit, këngëtarja Arta Bajrami është shprehur e habitur se si fansat e saj e mbështesin aq shumë. Sipas saj mungesa të cilën ajo e ka bërë këtë përgjatë viteve në skenë nuk është vërejtur aspak, duke iu falënderuar koncerteve të shumta e publikut të saj. “Unë këtë vit nuk kam lansuar shumë shpesh këngë. Nga viti i kaluar nuk kam lansuar këngë deri sa ka dal ‘Bom shell’ në shtator. Mungesa pak vërehet normal edhe pse tek unë sinqerisht po ju them nuk ka ndikuar shumë. Kam pasur koncerte non stop, fansat i kam gjithmonë afër vetes. Unë çuditem si e kam kaq të madhe mbështetjen duke marrë parasysh që nuk lansoj shumë shpesh këngë dhe për këtë i falënderoj nga zemra. Andaj mund të them që jam shumë e kënaqur nga ky vit dhe shpresoj që suksesi më i madh do të vijë në vitit që po vjen bashkë me albumin”, ka nënvizuar Arta Bajrami.

Lirical Son : Jam i bekuar me suksesin e këtij viti

Hiç më pak i kënaqur nga kolegët e tij nuk është ndarë as rep artisti i njohur Lyrical Son i cili si sukses pas vetes këtë vit i ka koncertet e shumta e mbështetjen e madhe që e ka marrë nga fansat për punën e tij. “Statistikat nuk gënjejnë, koncertet nuk gënjejnë. Sa i përket suksesit kemi qenë në çdo top listë, po flas për top lista neutrale jo ato të manipuluarat, kemi qenë nga janari deri më sot, pa i llogaritur vitet tjera shumë të suksesshëm dhe kjo është evidente. Mund të them lirisht që unë si Festim bashkë me shoqërinë time PINT jemi të bekuar, unë falënderoj zotin, publikun dhe vullnetin tonë për punë që kemi arritur të bëjmë një far lloj rrjeti të specialistëve që po na donë dhe po e përcjellin punën tonë. Kemi pasur salla të mbushura të koncerteve, kemi pasur shumë ndeja që vërtet ja vlen edhe të mburremi, Kemi shumë video, shumë material që e dëshmojnë punën tonë këtë vit, pa i anashkaluar edhe vitet tjera që vërtet kanë qenë shumë të mira”, ka thënë Festim Arifi.

NRG Band: Stili ynë edhe këtë vit u mirëprit

E të veçantit në stil e paraqitje Grupi ‘NRG Band’ edhe këtë vit theksojnë që kanë pasur një sezon të suksesshëm. Sipas Besnik Qakës, solistit të grupit, një meritë e madhe e suksesit të tyre është stili i grupit i cili i bën më të suksesshëm. “Ne kemi punuar shumë mirë këtë vit dhe mund të them që jemi ndarë të kënaqur nga viti 2013. Kemi pasur mbrëmje të shumta, këngë të reja që janë pritur shumë mirë nga publiku. Jemi munduar ta ruajmë stilin tonë, imazhin tonë apo ngjyrën e NRG Bandit. Vlen të përmendet kjo sepse mendoj që në një far forme është stili ynë. E them pa keqkuptime ai që na bën të dallojmë nga të tjerët dhe mundohemi ta ruajmë atë, mendoj që edhe këtë vit kjo na ka shkuar shumë mirë”. / Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button