Skandalet nëpër të cilat kaluan yjet botërore përgjatë 2013-ës

Edhe pse shpesh tendenca për të qenë në qendër të vëmendjes u kushton me karrierë, kjo gjë disa personave nuk u bën përshtypje dhe për asnjë moment nuk hezitojnë të shfrytëzojnë gjitha mjetet që i kanë vetëm dhe vetëm që të pushtojnë ballinat e revistave të ndryshme. Dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe këtë vit me shumë fytyra të njohura qofshin ata aktorë apo edhe këngëtarë, ku në mesin e tyre kanë arritur të futen Miley Cyrus, Julianne Hough, Alec Baldwin, Justin Bieber, Simon Cowell, Lil Wayne, Reese Witherspoon dhe Rihanna…

Problematikja Cyrus

Pop këngëtarja Miley Cyrus pothuajse ishte emri më i përfolur në botën e shoubizit gjatë këtij viti, pasi çdo ditë krijonte situata jo edhe aq të këndshme duke filluar nga paraqitja e saj në evenimentin “MTV Video Music Awards”, ku u paraqit pothuajse nudo përkrah këngëtarit Robin Thicke. Gjatë performancës së Thicke, ajo vallëzonte dhe bën lëvizje të një striptizereje dhe vazhdimisht mbante dorën tek ‘zogu’ i saj. Por ajo nuk u ndal me kaq, pasi disa muaj më vonë u bë temë diskutimi kur reagoi ndaj këshillës së këngëtares së njohur Sinead O’Connor e cila i tha që të mos sillet si një prostitutë pasi është e re dhe para vetes ka një karrierë të bujshme. Reagimi i saj ishte i menjëhershëm duke ofenduar këngëtaren irlandeze të cilën e quajti grua e pashpresë dhe me probleme psikike.

“Racistja” Julianne Hough

Lehtë nuk kaloi as aktorja Julianne Hough për të cilën deri vonë shumë njerëz kanë menduar se ka një buzëqeshje engjëllore. Por siç thonë jo gjithçka që shkëlqen është ar. Dhe këtë gjë e dëshmoi biondja Hough e cila në natën e festës së shtrigave (Halloween) kishte veshur një kostum të të burgosurve. Por ajo çfarë ngjalli më së shumti reagime ishte ngjyra e zezë me të cilën kishte lyer fytyrën që asocionte dhe ngriti urrejtje racore, kinse vetëm njerëzit me ngjyrë të zezë arrestohen për probleme dhe krime të ndryshme. Edhe pse Julianne kërkoi falje publike pas reagimeve të shumta, ajo në fund morri epitetin e racistes duke thënë se nuk pritej një gjë e tillë nga ajo.

Boksieri Alec Baldwin

Ajo çfarë kishte tronditur më së shumti botën e shoubizit ishin sjelljet dhe deklaratat e aktorit të famshëm amerikan Alec Baldwin, që edhe i kushtuan me humbje të punës. Ylli i “30 Rock”, kishte fituar epitetin e vagabondit kur në rrugët e Nju Jorkut filloi të godas një fotoreporter i cili ishte afruar ti bëjë disa fotografi. Ngjarja u bë edhe më interesante kur në prezencën e shumë gazetarëve filloi të shaj duke thënë se të gjithë gazetarët janë njerëz të poshtër dhe se nuk meritojnë të fitojnë të holla për familjet e tyre. Pas këtij akti, bosët e televizionit MSNBC vendosën të prishin kontratën me aktorin për një emision i cili kishte filluar të transmetohet këtë vit. Ata deklaruar para gazetarëve se distancohen nga ky akt i lig dhe se nuk dëshirojnë më të bashkëpunojnë me Baldwin.

Tradhtari Simon Cowell

Muaji korrik ishte padyshim më i keqi për muzicientin e famshëm anglez Simon Cowell, i cili njihet si kryetar i panelit të spektakleve “American Idol” dhe “X Factor”. Ai tronditi bashkëpunëtorët e tij kur u zbulua se po pret një fëmijë jashtëmartesor me bashkëshorten e mikut të tij të ngushtë Andrew Silverman, Lauren. Fillimisht ai kishte mohuar se ka pasur lidhje dashurie me bionden Silverman, por më vonë ndërroi mendje duke deklaruar se e gjitha ka ndodhur gjatë verës në ishujt e bukur të Los Angeles, ku edhe kishte shkuar tinëzisht të argëtohet me Lauren Silverman. E gjithë kjo dramë i kushtoi mikut të tij të ngushtë me shkurorëzim nga Lauren.

Bieber, argëtuesi i prostitutave

Edhe pop këngëtari Justin Bieber që ka pushtuar zemrat e miliona vajzave me hitet e tij ka qenë në qendër të vëmendjes me skandale të njëpasnjëshme. Fillimisht krijuesi i hitit “Baby” kishte ofenduar ish-presidentin amerikan Bill Clinton, dhe pas disa muajve kishte sulmuar një gazetar të cilit i kishte shkaktuar lëndime trupore. Por gjithë këto gjëra duke se nuk i mjaftuan zemërthyesit Bieber, që vazhdoi jetën e egër duke u argëtuar me prostituta të ndryshme dhe që bëri sensacion kur u publikua një video ku shihej duke fjetur me disa vajza në një luksoz në Brazil.

Kontroversi Lil Wayne

Ndërkaq reperi kontrovers Lil Wayne duket se nuk ka fare respekt për vendin që e rriti dhe e bëri të famshëm në industrinë e muzikës. Në videoklipin e “God Bless America”, ylli i muzikës hip hop kishte përdhosur flamurin kombëtarë (amerikan) duke shkelur mbi të dhe duke ngjallur reagime tek miliona amerikanë. Por më vonë ai kishte reaguar se e gjithë ideja e videoklipit të tij është keqinterpretuar, dhe se nuk e kishte bërë me qëllim të ofendoj bashkëkombësit që shumë prej tyre dhanë jetën për këtë flamur.

E burgosura Reese Witherpoon

Në mesin e personave që krijuan skandale ishte edhe aktorja Reese Witherspoon, nga e cila më së paku është pritur se do të bëjë diçka të keqe. Ajo ishte arrestuar nga policia kur së bashku me bashkëshortin e saj u kapën duke ngarë veturën në gjendje të dehur. E gjithë vëmendja ishte përqendruar tek ajo, kur kamerat arritën ta kapin fytyrën e saj duke u larguar me duar të lidhura nga vendi i ngjarjes.

Rihanna, e dëbuara nga Abu Dabi

Edhe pop këngëtarja Rihanna nuk e lejoi veten që edhe ky vit të kalojë e të mos jetë në qendër të vëmendjes. Ajo gjatë një udhëtimi në Abu Dabi kishte vizituar njërën prej xhamive më të mëdha në Emiratet e Bashkuara, por edhe pse ishte veshur sipas normave që kërkon islami ajo kishte ngjallur urrejtje tek banorët. Ajo kishte filluar të marrë poza të nxehta para xhamisë që bie ndesh me rregullat e islamit, pasi sipas banorëve janë cilësuar si tepër provokuese dhe i kushtoi me dëbim nga Abu Dabi.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button