Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri, suksese të shumta në sferat e jetës shoqërore

Debutimi i kombëtares së Shqipërisë në futboll në Kampionatin Evropian EURO 2016 në të cilin shënoi edhe fitoren e parë historike në garën e madhe kontinentale paraqet njërin nga sukseset e shumta të shqiptarëve në mijëvjeçarin e ri i cili ka sjellë plot ndryshime pozitive në rrafshin shoqëror dhe politk, shkruan Anadolu Agency (AA).

– Shqipëria suksese të mëdha brenda një periudhe të shkurtër

Nga të arriturat më të rëndësishme të shiptarëve në mileniumin e ri padyshim se është edhe anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike (NATO) ftesa për të cilën erdhi në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, pas përpjekjeve disa vjeçare, kur vendi i ishte bashkuar Këshillit të Bashkëpunimit të Aleancës dhe kishte hyrë në programin e partneritetit për paqe.

Më 7 prill të vitit 2009 për herë të parë flamuri shqiptar u ngrit përkrah 27 flamujve të tjerë të vendeve anëtare në selinë e NATO-s ne Bruksel. Një vit më vonë, në vitin 2010 shqiptarët do të shënojnë një tjetër fitore në rrafshin ndërkombëtar, pasi Bashkimi Evropian vendosi liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë duke u dhënë mundësinë atyre të lëvizin lirshëm në vëndet e zonës “Shengen” nga mesi i dhjetorit.

Më 11 tetor të vitit 2015 kombëtarja e Shqipërisë në futboll shkroi historinë pasi fitorja 3:0 ndaj Armenisë i mundësoi pjesëmarrjen e parë në historinë e një kompeticioni të formatit të lartë, atë të Evropianit i cili po mbahet në Francë, ku Shqipëria pati një paraqitje tejet dinjitoze dhe për të kaluar në fazën tjetër i duhet një mrekulli nga rezultatet e ndeshjeve të tjera që zhvillohen sot. Megjithatë, edhe nëse kombëtarja e Shqipërisë nuk kualifikohet në fazën tjetër suksesi i kombëtares nuk zbehet pasi futbollistët shqiptarë dëshmuan lojë cilësore dhe heroike. Padyshim se fitorja ndaj Rumanisë paraqet një të tillë.

Shqipëria nga izolimi në të cilin ishte zhytur deri në vitet e 90-ta tashmë është shndërruar në një faktor stabiliteti dhe ka lëvizur përpara në shumë aspekte, të cilat premtojnë të ardhme më të mirë për qytetarët shqiptarë.

– Kosova, nga çlirimi deri tek pavarësia dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare
Mijvjeçari i ri e gjeti Kosovën të sapoçliruar nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit të cilës i parapriu kryengritja e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fushata ajrore e forcave të NATO-s të cilat për disa muaj radhazi bombarduan pozicionet ushtarake dhe policore të regjimit serb në Kosovë, për të vendosur më vonë një protektorat të drejtuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Më datën 17 shkurt të vitit 2008 Parlamenti i Kosovës shpalli pavarsinë duke e bërë Kosovën shtetin më të ri në Evropë, një rrugëtim i cili zgjat edhe në ditët e sotme duke synuar njohjet të cilat do ti mundësojnë Kosovës edhe ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Data e 3 majit 2016 është një tjetër datë historike për shiptarët, pasi në atë datë në kongresin e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) që u mbajt në Budapest të Hungarisë, Kosova pranohet në UEFA, vendim ky që hapi dyert për pranim edhe në Federëtën Botërore të Futbollit (FIFA) dhjetë ditë më vonë, më 13 maj.

Këto njohje i mundësojnë përfaqësueses dhe klubeve kosovare gara ndërkomëbtare, ndërsa gara e parë është përfshirja e Kosovës në eliminatoret për Botërorin Rusi 2018 të cilat nisin në vjeshtë.

Vetëm një ditë më vonë Kosova shënon një tjetër të arritur në planin politik pasi më 4 maj 2016 Komisioneri Evropian për Migrimin, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos, njoftoi se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai ka theksuar se Kosovës deri në fund të procedurës për heqjen e vizave i mbetet të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit.

– Pozita e shqiptarëve në Maqedoni pas vitit 2001

Në vitin 2001, shqiptarët e Maqedonisë të pakënaqur nga statusi i tyre politik dhe shoqëror në shtet nisën kryengritjen e armatosur të cilës i priu Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Eskalimi i konfliktit dhe përleshjet e armatosura mes UÇK-së dhe formacioneve ushtarake dhe policore të shtetit të Maqedonisë detyruan komunitetin ndërkombëtar të ndërhyjë dhe falë intervenimit të tyre konflikti nuk mori përmasa të mëdha, ndërsa përfundoi me nënshkrimin e Marëveshjes së Ohrit, më 13 gusht të vitit 2001.

Përfshirja e kësaj marrëveshjeje në Kushtetutë garantonte një status të ri politik dhe shoqëror për shqiptarët e këtushëm që ishte një synim i kahmotshëm i gjeneratave të tëra. Marrëveshja e Ohrit solli decentralizimin me anë të të cilit shqiptarët e Maqedonisë tani kanë kryetar të tyre në komunat të cilat shtrihen në vertikalen nga Likova deri në Strugë.

Gjithashtu, marrëveshja hapi dyert për përfshirjen e shqiptarëve në administratën shtetërore, prezenca e të cilëve më parë mund të numërohej në gishta, legalizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), me çka shqiptarët fituan mësim sipëror në gjuhë amtare, ndërsa shiptarët e Maqedonisë për çdo ditë e më shumë përfshiheshin në instancat më të larta në polici dhe ushtri.

Të arriturat në mijëvjeçarin e ri nuk përfundojnë me kaq, shqiptarët korrën edhe suksese të tjera në sferat e ndryshme të jetës shoqërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button