fbpx

Jahjaga uron Vitin e Ri

Sonte kur të gjithë ju, Qytetarë të Republikës së Kosovës, jeni mbledhur me familjet tuaja, gjithandej vendit, dua që t’ju uroj një Vit të Ri të mbarë, me shumë shëndet, mirëqenie e mirëkuptim.

Ndërrimi i motmoteve shënon shpresën për një jetë më të mirë dhe për ndryshime pozitive. Viti 2013 ishte një vit i ngritjes sonë si shoqëri, i konsolidimit ndërkombëtar të shtetit tonë, një vit i funksionimit demokratik të shtetit dhe gjithsesi një vit i thellimit të reformave të gjithmbarshme, përfundimi i së cilave do të shënojë hapin më të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

Sado i rëndë dhe i vështirë, viti 2013 shënon hapjen e perspektivës evropiane të Kosovës, një aspirate të pazëvendësueshme për vendin, që do të realizohet përmes zbatimit të standardeve të përcaktuara, që synojnë të ndryshojnë jetën e qytetarëve tanë dhe të ndihmojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit demokratik.

Në rrugën e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova ka pasur mbështetjen e madhe të BE-së dhe të SHBA-së, që kanë qëndruar përkrah nesh gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit tonë, por edhe në proceset e vështira për vendin, posaçërisht në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje.

Në vitin që po lëmë pas, kemi dëshmuar përpjekjen tonë për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në rajon, përmes shembullit të fqinjësisë dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira, duke shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe të normalizimit edhe me vendet me të cilat kemi kaluar periudha të rënda. Dhe këtë periudhë të normalizimit të marrëdhënieve tani duhet ta ndërtojmë çdo ditë.
Në ndërtimin e shtetit gjithëpërfshirës, ku të gjithë qytetarët kanë të drejta dhe obligime te barabarta, ne kemi filluar dialogun me qytetarët tanë, në çdo cep të vendit dhe këtë dialog e bëjmë mbi bazën e mirëkuptimit dhe mirëbesimit dhe mbi respektimin e ndërsjellë.
Ne po ndërtojmë shtet të të barabartëve, shtetin e qytetarëve që të ardhmen e ndërtojnë së bashku. Dhe prandaj sado që sfidat mund të jenë të rënda dhe të vështira, sado që rruga jonë drejt një të ardhme më të mirë mund të jetë e ngadalshme, secili prej nesh kemi forcën dhe guximin tonë, si qytetarë, që të përballemi me to.

Të dashur qytetarë, po hyjmë në vitin e ri me një përkushtim më të madh për të ndërtuar një jetë më të mirë, një shtet më të fortë, të begatë e të pastër, një demokraci të zhvilluar dhe të respektuar në botë. Na duhet një përpjekje jona e përbashkët, një vullnet yni dhe dashuri për vendin tonë, për të realizuar synimet tona. Së bashku do të ndërtojmë mirëqenien në një shtet me dinjitet.

Lajme të ngjashme

Back to top button