2013 një vit i suksesshëm i sportistëve shqiptarë

Po lëmë pas nesh një viti kalendarik, i cili në arenën sportive pa dyshim se mundë të themi se ka qenë mjaft i suksesshëm, nga fakti që pas shumë viteve sportistët shqiptarë kanë sjellë medalje jo vetëm nga kampionatet vendore, por edhe nga ato ndërkombëtare.

Viti 2013 ishte vit kur karateisti shqiptar Berat Jakupi arriti që të gëzojë shqiptarët me shumë medalje. Berati është shpallur fituesi i medaljes së bronzit nga kampionati Botërorë i karatesë për U-21, fitues i medaljes së bronzit në kampionatin evropian të karatesë për senior dhe kampion evropian në U-21 për studentë, kampion ballkanik, shtetëror dhe fitues i shumë turneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

(Berat Jakupi KK Fati Gostivar)

Por Berati nuk ishte i vetmi që këtë sezon bëri që shqiptarët të krenohen me të arriturat e këtij viti. Klubi i Mundjes Liria është gjithashtu ekip e cila solli medalje të mëdha nga evenimente ndërkombëtare. Mundësit e rinj Elmedin Sejfullahi dhe Jasin Rexhallari, të cilët me medaljet e fituara në evropianin e mundjes për kadet në Bari të Malit të Zi, respektivisht nga Lojërat Mesdhetare në Mersin të Turqisë i kthyen krenarinë mundjes.

Viti 2013 ka treguar një ngecje të madhe në sportin më të pëlqyer ne vend, e ai është futbolli. Si zakonisht shqiptarët, apo më mirë thënë skuadrat që na kanë përfaqësuar gjithmonë kanë qenë në kreun tabelës dhe kanë luftuar për pozitë të parë dhe për vend që mundëson dalje në skenën ndërkombëtare. Por këtë vit, KF Renova, KF Shkëndija dhe KF Gostivari do të vazhdojnë luftën për mbijetesë edhe në vitin 2014. Sigurisht se situatë e vështirë është edhe në Ligën e Dytë, ku edhe aty ekipet shqiptare do të kenë një garë të fortë për të mbijetuar, duke marrë parasysh se ekipet do të luftojnë për ekzistencë, nga shkaku se 8 ekipe largohen nga Liga e Dytë.

(Jetmir Zeqiri dhe Labinot Idrizi KB Liria)

Asgjë e re në basketboll, KB Liria vazhdon të jetë në mesin e më të mirëve në Ligën e Parë, duke qenë për një kohë të gjatë edhe lidere e tabelës, por pak para përfundimit të sezonit, me dy disfata bëri që të përfundojë e dyta me një pikë më pak se kryesuesi Kozhuvi. 
Se basketbolli po bëhet sport i pëlqyer nga shqiptarët tregon fakti se edhe në Ligën e Dytë kemi ekipin tjetër shqiptar, atë të NBA Çair, ekip i cili me basketbollistët e saj premtues shpreson të arrijë rezultate të lakmueshme.

Boksi si zakonisht ka qenë sport që është dominuar nga shqiptarët, edhe pse këtë sezon KB Shkupi është ndarë me pozitën e dytë, një gjë e tillë ka dalë vetëm në saje të faktit se boksierët shqiptarë nuk kishin kundërshtarë. Edhe Tetova ka dhënë boksierë kualitativ duke u radhitur e treta në renditje. Ndërsa Fatlum Zhuta ka treguar dominimin e pa konkurrencë në Maqedoni duke fituar titullin e më të mirit. 

(Fatlum Zhuta)

Nga viti në vit edhe sporti i atletikës ka nxjerrë emrat e sportistëve shqiptarë të cilët shënuan rezultate të lakmueshme në kampionatin vendor, por edhe me paraqitje në mitingjet ndërkombëtare. Do të veçojmë në konkurrencë të femrave Valbona Selimi e KA Studenti të Tetovës e cila edhe u shpall më e mira në Maqedoni tek juniorët, ndërsa Drita Islami e Lirisë, është atletja më e mirë në kategorinë e kadetëve. Duhet theksuar se në kategorinë garuesve të moshave më të reja atlete më e mirë u shpallë Anesa Hajdari. Në konkurrencë e tre më të mirëve në kategorinë e juniorëve ishte edhe garuesi i KA Studenti, Bujar Beqiri, ndërsa në kategorinë e kadetëve e treta ishte Fitore Kurtishi e KA Studenti.

Mos të harrojmë që me rezultate të lakmueshme këtë sezon na kanë gëzuar edhe shumë klube të karatesë, prej të cilëve dot kishim veçuar KK Forca nga Shkupi, KK Fati Gostivar, KK Shkumbini – Tetovë, KK Drini – Strugë. Ndërsa në sportin e hendbollit KH Rinia edhe këtë vit ka vazhduar garat e saja në Ligën e Dytë, ndërsa edhe vashat e KH Çairi këtë sezon u inkuadruan në garat e Ligës së Dytë.

(Agim Ibraimi i FC Cagliari dhe Ferhan Hasani i Brondby IF)

Në sportin ndërkombëtar kanë dominuar paraqitjet e mira të futbollistëve shqiptarë. Në Seria A, Agim Ibraimi edhe pse nuk ka marrë shumë minuta nga trajneri i ekipit të tij të ri Cagliari, prapë se pra ka kënaqur për aq kohë sa ka luajtur. Ferhan Hasani ka gjetur veten shumë mirë te Brondby i Danimarkës, duke ngjitur ekipin në pozitën e 4-të, pasi që e gjeti atë të fundit në tabelë. Premier Liga angleze tani më e njeh shumë mirë Pajtim Kasamin, i cili me një nga golat më të mirë të sezonit dhe paraqitjet e suksesshme po tenton të largojë skuadrën e tij Fulham, nga zona e rrezikut.

Gjithsesi edhe viti 2014 do të sjellë shumë sfida dhe gara të ndryshme, ndërsa mbesim me shpresë se sportistët tanë do të arrijnë të përmirësojnë rezultatet e arritura, duke nderuar gjithë kombin shqiptarë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button