LSI e PDIU votojnë kundër PS-së në Kuvend, Rama kërkon sqarime: Gati për zgjedhje

Mazhoranca ka pësuar një goditje të rëndë sot, vetëm pak kohë para votimit final për reformën në Drejtësi që do të mbahet në javën e parë të korrikut.

LSI e Ilir Metës dhe PDIU e Shpëtim Idrizit kanë bashkuar votat në komisionin parlamentar të Sigurisë me kolegët e tyre të Partisë Demokratike.

Ka ndodhur “prova gjenerale” e një votimi të paralajmëruar, apo kemi të bëjmë me presionin final të Metës dhe Idrizit ndaj kreut të qerverisë?!

Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se Edi Rama ka thirrur me urgjencë për ditën e nesërme një tryezë sqaruese të mazhorancës qeverisëse për të ndarë “shapin nga sheqeri”.

Mësohet se Rama është shprehur se është gati të shkojë në zgjedhje dhe do të kërkojë votëbesim të qeverisë në Parlament.

Por çfarë ka ndodhur sot që ka ngritur temperaturat e larta tashmë të trazuara nga solstici veror?!

Në ditën më të gjatë të vitit kanë ndodhur tre gjëra që kanë dhënë përshtypjen se kjo mazhorancë qeverisëse i ka ditët e numërura.

E para, në komisionin e Sigurisë Kombëtare të parlamentit, LSI dhe PDIU kanë votuar ndryshe nga PS për dekretin e presidentit Nishani për projektligjin për kamerat e sigurisë.

Ky pr.ligj u rrëzua disa muaj më parë nga presidenti i cili e cilësoi si antikushtetues.

Megjithatë, mazhoranca ka rrëzuar sot dekretin e presidentit për këtë ligj, duke e kaluar edhe njëherë në Kuvend për votim.

Dekreti është rrëzuar vetë me votat e PS, ndërsa LSI abstenoi, kurse PDIU votoi kundër duke u bashkuar kështu me PD-në.

I gjithë ky spektakël ka ndodhur pas riardhjes në Kuvend pas një pushimi të gjatë të kryetarit të komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, i cili është operuar në Turqi.

Deputeti i LSI-së, Luan Rama, deklaroi se vënia e kamerave nëpër shkolla kërkon 20 milion euro buxhet dhe sipas tij këto do të bëhen me konçension, gjë që LSI e shikon si forcim i partneritetit të Edi Ramës me biznesin.

Ndërkohë, deputeti i PDIU-së Aqif Rakupi tha se qeveria vepron me dy standarde.

Fill pas këtij votimi, ambasadori i SHBA-së Donald Lu ka shkuar në zyrën e Ilir Metës.

Padyshim se i alarmuar ambasadori Lu mësohet se i ka kërkuar literalisht dhe zyrtarisht Metës nëse LSI do të votojë reformën në Drejtësi.

Dhe fill pas këtij takimi ka ndodhur telefonata e Edi Ramës me dy aleatët e tij.

Mësohet se biseda ka qenë e prerë dhe troç: “nëse doni të vazhdoni mazhorancën, ok; ndryshe nuk ka qeveri tjetër por vetëm zgjedhje”, shkruan portali Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button