Si e festojnë kërçovarët vitin e ri?

Ka disa ditë që qyteti i Kërçovës është zbukuruar dhe është ndriçuar për të krijuar atmosferë festive për festat e fundvitit. Gjatë ditës së sotme në qytet janë vendosur edhe flamujt kurse vërehet edhe një lëvizje më e madhe si pasojë e numrit të madh të mërgimtarëve që kanë ardhur të festojnë në vendlindje. 

Nga anketa e realizuar me qytetarët, shumica e kërçovarëve planifikojnë që ndërrimin e viteve ta festojnë në shtëpi me të afërmit e tyre. Pritshmëritë e tyre nga viti i ardhshëm nuk janë shumë të mëdha.

“Sonte do festoj në shtëpi. Kurse nga viti i ri nuk pres diçka të veçantë. Kështu si shkojnë punët, as viti që vjen nuk do na sjellë asgjë të veçantë.” – thotë Irena, qytetare.
“Pres gjithë të mirat nga viti i ri. Do festojmë në shtëpi me fëmijët dhe bashkëshortin.” – thotë Tanja.

“Vitin e ri do e festojmë në shtëpi. Ku ka më mirë se në shtëpi?! Në vitin që vjen pres vetëm dështim. Ky shtet mbetet aty ku ka qenë para 20 viteve. Nuk mund të presim asgjë më të mirë.” – thotë Seadini, qytetarë.

Përshkak të shpenzimeve më të ulta, shtëpia mbetet alternativa më e mirë për festimin e ndërrimit të moteve për shumë familje në Kërçovë por nuk është alternativa e vetme. Shumica e të rinjëve preferojnë që këtë natë ta kalojnë në disa lokale në qytet. Disa nga këngëtarët e njohur të skenës shqiptare si, Alban Skenderaj, Dafina Zeqiri, Flori, NRG Band, sonte do të jenë në Kërçovë për të argëtuar të rinjët që do të zgjedhin që këtë mbrëmje ta kalojnë jasht.
“Do të më vizitojnë një grup shokësh nga Shkupi dhe bashkë do festojmë në një nga lokalet që ka organizimin më të mirë në qytet.” – thotë Arbeni, student.

Biletat hyrëse në këto lokale variojnë nga 800 deri në 1500 denarë për person. Megjithatë mesojmë se numri i atyre që kanë bërë rezervimet është rreth 2000 persona dhe ky numër vazhdimisht rritet.

Lajme të ngjashme

Back to top button