Komunat kanë nevojë për pavarësi financiare

Në Konferencën për transparencën e buxhetit në nivel lokal, sot në Shkup, u konstatua se ekziston dallim i madh ndërmjet mundësive financiare të komunave. Siç ekziston dallim i madh ndërmjet komunave urbane dhe atyre rurale, njashtu ekziston edhe dallim i madh ndërmjet mjediseve urbane dhe atyre rurale. Varësia financiare nga pushteti qendror është shumë e madhe, raporton Portalb.

Nga Fondacioni Shoqëri e Hapur thonë se një kohë të gjatë e mbështesin demokracinë lokale dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje- në nivel lokal.

“Decentralizimi nuk e ka kujdesin e duhur që duhet ta ketë nga pushteti qendror, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Veprimtaria e Komunave është e rëndësishme për progresin dhe është pika primare që u mundëson qytetarëve të jenë vendimmarrës. Përvojat e deritanishme tregojnë se Komunat kanë nevojë edhe për fonde tjera, që të mund të sigurojnë zhvillim lokal dhe rajonal. Ka fonde në dispozicion, fonde europiane, nga USAID, nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim. Megjithatë është e rëndësishme të punohet edhe në kapacitetet vetëqeverisjes lokale dhe gatishmërisë për bashkëpunim”, deklaroi Sunçica Kostovska- Petrovska nga FSHHM.

Edhe Qendra për Demokraci Lokale tashmë 10 vite mbështet decentralizimin në Maqedoni bën përpjekje për rritjen e kompetencave të pushtetit lokal. Sipas Gjorgje Hristov nga kjo organizatë, sfida më e madhe është decentralizimi fiskal, prandaj kjo Konferencë është organizuar të flasë për decentralizimin fiskal dhe kapacitetet fiskale të Komunave.

“Analiza dhe monitorimi i deritanishëm 7-10 vjet tregon se ekziston dallim i madh në mes kapaciteteve fiskale të vet komunave. Ka dallim të madh edhe në shërbimet që i ofrojnë komunat rurale dhe ata urbane. Qëllimi i decentralizimit fiskal ka për qëllim pikërisht këtë, që banorët pavarësisht se ku jetojnë të kenë shërbimet e njëjta. Nga analiza e deritanishme nëse e vlerësojmë decentralizimin fiskal, mund të themi se arrin notën diku 2.5, që do të thotë se ka ende hapësirë për përmirësim”, deklaroi Hristov.

Diku nga 40% e buxheteve në komuna harxhohen nga dotacionet apo donacione të ndryshme. Mirëpo, këto dotacione shkojnë për mbulimin e mjeteve për arsim fillor dhe të mesëm.

“20% e buxheteve harxhohen në investime kapitale që është në korniza të buxhetit qendror të Republikës së Maqedonisë. Mirëpo ekziston dallim i madh në mes vet komunave në raport me investimet kapitale, shprehur në denarë për kokë banori dallimet janë enorme, dhe nga komuna në komunë arrijnë deri në 100 herë. Thjeshtë thënë ndonjë komunë investon 100 denarë për kokë banorë investime kapitale brenda një viti, ndërkaq ka komuna që investojnë 10 000 denarë për kokë banori brenda vitit”, ka sqaruar mëtutje Hristov realizimin e buxhetit në nivel lokal.

Në Konferencë ka marrë pjesë edhe Enver Pajaziti, kryetar i Komunës së Bërvenicës. Ai vlerëson se kërkesat gjithmonë janë më të mëdha se mundësitë.

“Por, varet edhe prej komunave, edhe pse bëhen përpjekje për një zhvillim ekonomik të barabartë, mendoj se edhe për gjatë kohë komunat rurale nuk do të jenë të barabarta me komunat urbane. Pastaj varet edhe nga vet menaxhimi i komunës, se si menaxhohet, sa mblidhen taksat- sa realizohet buxheti. Ne si komunë, falë administratës komunale, por edhe falë qytetarëve kemi realizuar shumë projekte”, ka deklaroi Pajaziti.

Pengesa më e madhe është në arsim, shton më tutje ai.

“Këtu shohë një defekt të madh në ndarjen e mjeteve. Gjithë komunat ballafaqohen me këtë problem. Në komunën time dy vitet e fundit të buxhetit komunal 50% shkon për mirëmbajtjen e shkollave”, përfundoi Pajaziti.

Nga Konferenca dhe analiza e buxhetit në nivel lokal rekomandohet zvogëlim i dallimeve të mëdha të performanseve fiskale të komunave pa dallim se cilit rajon planor i përkasin dhe pa dallim nga tipi i komunës; Rritja e të ardhurave në buxhetin themelor; Stimulimi i zhvillimit të disperzuar ekonomik në Komuna jashtë rajonit planor të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button