Mbijetesa në margjinat e varfërisë, meritë e krimit politik që ndan dhurata si lëmoshë

Të dhënat e studimeve të ndryshme, analizat e ekspertëve si dhe vlerësimet e huaja tregojnë se Maqedonia është vendi me shkallë të lartë të varfërisë dhe dallime të mëdha në mes klasave.

Bilancet e fundvitit, verifikojnë këto të dhëna ku ka një klase politike e shtrirë në ngufatjen ekonomike të vendit dhe një klase gjithnjë e më të shtrirë në shoqëri që është përfshirë nga varfëria ekstreme.

Një retrospektivë e shkurtër e raporteve vjetore e të gjitha institucioneve bartëse, tregon për sukseset e arritura gjatë vitit, ndërkohë që strumbullari i gjithë klasës politike të BDI-së, përcjellë imazhin e një oligarkie politike të fuqishme përballë një shtrese të papunësh, të varfërish dhe të rinj të pa perspektivë.

Maqedonia në Kushtetutën e saj është e definuar si shtet social.
Qytetarët e anketuar vlerësojnë se ky parametër aktivizohet simbolikisht nga partitë politike në kampanja zgjedhore sa për të blerë votën.

Të qenit i varfër nuk nënkupton vetëm të jesh i papunë. Shumë familje me të ardhura minimale, jetojnë pranë varfërisë ekstreme. Krahu i lirë i punës që ka trajtim skllavërorë mund të shihet kudo.

Një e punësuar në një fabrikë për paketimin e lojërave për fëmijë në Tetovë, Mensure Selami, nënë e dy fëmijëve, që thuajse ka barën e një kryefamiljari, thotë për Portalb se për një normë të lodhshme brenda orarit tetë orësh, ajo merr 9 mijë denarë në muaji. Te shumica, thotë ajo ekziston përshtypja se unë kam një rrogë, por kjo nuk plotëson as pragun minimal të mbijetesës.

Një kategori tjetër e njerëzve që hasen kudo nëpër rrugë, në lagje të mbyllura nga varfëria dhe fshatra të vendbanimeve të ndryshme, janë ata të cilët mëshirohen në prag të festave nga përfaqësues të kastave politike që më së shumti janë fajtorë për varfërinë e tyre.

Një burrë tani rreth të pesëdhjetave, me vite të tëra qëndron pranë depove ndërtimore. Ilmi Arsllani, nga Tetova, një kohë të gjatë ka qëndruar si krah pune pranë këtyre depove duke shërbyer kryesisht për ngarkimin e mallit.

“Tani edhe për të është bërë më vështirë. Vazhdoj të bredh, herë tek një hapësirë pas postës së Tetovës e herë duke lëvizur nëpër magazinat e mallrave me shpresën së do të nxjerr mëditjen. Jeta për të është bërë një rutinë e dhimbshme{ thotë ai.

Shpesh ndodh që të kthehet me duar bosh, pranë shtëpive të cilët që ndorjnë me ankthin nëse babai i tyre ka nxjerr bukën e gojës.

Shitësit në tezga janë një rrëfim në vete.
Ata hasen kudo, që në pamje të parë është një ngushëllim se bëjnë një punë të ndershme për të nxjerr bukën e gojës. Në mesin e  tyre jo çdo kush mund të sigurojë qofte edhe një kilogram bukë. I tillë është rasti me M.S, i cili ka një tavolinë të vogël ku ka ekspozuar ca telefona të vjetër dhe pjesë të tjera.

“Kjo punë për të nuk siguron mbijetesën. Ka kohë që nuk kam shitur asgjë”, thotë ai. Gjithçka ishte mirë me shitësin e telefonave, deri sa sëmundja e tij, shkëputi shpresat për një të ardhme më të mirë. 

Debalans shoqëror që krijon trauma 

Analisti Alajadin Demiri, konsideron se bartës  të pasurimit nuk janë rregullat ekonomike, por ata që kanë kapacitet politik bëjnë këtë rregull.

“Tendenca e shtresimit është gjithnjë më e hapur që është edhe një detyrë e kësaj faze të tranzicionit, tjetër problem është mënyra se si bëhet kjo që do të thotë se parametrat e rishtresimit të shoqërisë, krijimit të kapitalit janë fluide janë joparimore, për arsye se fuqia politike, transformohet në fuqi ekonomike”, thotë Aljadin Demiri për Portalb.

Ai, thotë se “një deballans i këtillë në një shoqëri krijon trauma. Ata janë të shumëfishta dhe shqetësimet e shoqërisë në të ardhmen do të jenë të mëdha”. 

Profesor Zdravko Saveski, thekson se Maqedonia nuk është vetëm vend me shkallë të lartë të varfërisë, por edhe vend ku dallimi në mes klasave është shumë i madh.
“Kjo e dhënë tregon se bëhet transferimi i pasurisë nga të varfëritë dhe klasa e mesme tek të pasurit”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button