Kosova në vitin 2013, ngjarjet që e shënuan këtë vit

Viti që po lëmë pas e karakterizojë Kosovën me një mori ngjarjesh. Pa dyshim se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, pjesëmarrja e lartë e votuesve, rezultatet befasuese në shumicën e komunave ishin reflektim dhe sinjal i qartë se shoqëria kosovare ka ndryshuar. Pushteti u ndryshua në 20 komuna. Votuesit e Kosovës vendosën t’i ndëshkonin, pa dallim, të gjitha partitë politike në pushtet.

Bisedimet në Bruksel midis përfaqësuesve më të lartë politikë të të dyja vendeve me ndërmjetësimin e baroneshës Catherin Ashton ishin përcaktuese të zhvillimeve të ndryshme politike që do ta përcillnin Kosovën gjatë vitit 2013.

Të kthehemi në retrospektivë dhe të shohim se cilat ishin ngjarjet që e karakterizuan vitin 2013 në Kosovë.

10 qershor,  Deklarata kontroverse për Skënderbeun 
Jo pak reagime ka shkaktuar deklarata e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, i cili e ka quajtur Gjergj Kastriotin – Skënderbeun hero të katolikëve, dhe jo hero kombëtar.
Kelmendi, e argumentoi këtë se në shekullin 15, në kohën kur ka vepruar Skënderbeu, nuk kanë ekzistuar kombet.
“Katolikët e kanë heroin e tyre – Skënderbeun. Në shekullin 15 nuk kanë ekzistuar kombet dhe luftërat janë bërë për çështje fetare”, kishte deklaruar Kelmendi duke hapur kështu shumë debate në opinion.
19 qershor, Dorëheqja e bujshme e Lulzim Pecit
 Dorëheqja e parevokueshme nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës në Beograd Lulzim Peci vetëm 24 orë pas pranimit të kësaj detyre, si dhe akuzat e qeverisë së Kosovës në adresë të Pecit, ishte një prej ngjarjeve që pasqyroi skandalet diplomatike. 
Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tone në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por si po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës, kishte deklaruar Peci i cili më pas ishte akuzuar nga MPJ. Kjo ministri ishte ngutur që ta akuzojë atë për qëndrime politike personale kanë tejkaluar kompetencat, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion public, gjë që kishte shkaktuar reagime të mëdha në opinion.
27 qershor, Ratifikimi i Marrëveshjes Kosovë – Serbi
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas tensionimeve që kanë mbretëruar brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, kanë votuar pro ratifikimit të marrëveshjes së parë ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Deputetët kanë votuar me 84 vota pro, 3 kundër dhe një abstenim për t’i dhënë fuqi ligjore marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të kryeministrit Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, e ndërmjetësuar nga Baronesha Catherine Ashton.
Lëvizja Vetëvendosje! ishte përpjekur me të gjitha forcat ta parandalonte ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, madje duke u përpjekur edhe fizikisht ta bllokojnë procedurën e votimit në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, pasi që ata u nxorrën nga salla e kuvendit, 83 deputetë votuan pro ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.
27 gusht, Majlinda shpallet kampione e botës 
Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ka fitojë medaljen e artë në Kampionatin Botëror në Rio de Janeiro, duke e mposhtur në finale brazilianen Erika Miranda.
Kjo është hera e parë që Kosova fitoi këtë garë në këtë disiplinë sportive.
7 shtator, Lufta tregtare Kosovë – Maqedoni 
Ndalimi i importeve të grurit dhe miellit, bëri që autoritetet në Prishtinë të ndalojnë importet nga Maqedonia të disa mallrave, kryesisht ushqimore.
Pas kësaj Shkupi zyrtar vendosi një taksë për qytetarët e Kosovës duke kushtëzuar që secili shtetas i saj që hynte në Maqedoni të paguajë nga 2 euro, makinat pesë euro dhe automjetet e rënda transportuese nga 20 euro. Më pas, Kosova bllokoi të gjitha prodhimet maqedonase.
“Lufta tregtare” ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, mori fund një javë pasi që u zbatuan masat. 
Bllokada njëjavore vlerësohet si i ka kushtuar Maqedonisë me humbjen e afër 7 milionë eurove. Ndërkohë edhe nga “haraçi” i marrë prej kosovarëve, besohet se shteti maqedonas nuk ka marrë më shumë se 20 mijë euro.
Maqedonia eksporton rreth 400 milionë dollarë në vit prodhime në Kosovë dhe importon dhjetë herë më pak.
17 shtator, Fatmir Limaj për herë të dytë shpallet i pafajshëm
Gjykata për here të dytë e shpalli të pafajshëm Çelikun e UÇK-së. Fatmir Limaj duke e liruar nga të gjitha akuzat për krime të luftës, me të cilat akuzohej nga prokurori i EULEX-it Mauricio Salustro.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Malcolm Simons i EULEX-it, deklaroi se në raport me Limaj nuk kishte asnjë argument fajësues dhe se të gjitha provat e vërtetuan pafajësinë e tij.
Pas më shumë se tre vjet përballjeje me akuza tepër të rënda dhe të paargumentuara ndaj Limaj më në fund e fitoi pafajësinë e dytë në këtë rast.

Lajme të ngjashme

Back to top button