2013, viti i dezintegrimit dhe nacionalizmit primitiv

Viti 2013 rezultoi i dështuar për proceset integruese të vendit në strukturat euro-atlantike. Maqedonia jo vetëm që nuk arriti dot t’i përmbushte kriteret kryesore që do të avanconin pozitën e saj në rrugën euro-atlantike, por ajo u zhyt akoma më thellë në hendekun e dështimeve.

Në vend që të përmbushte obligimet që iu caktuan vendit në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë, vendi iu rikthye proceseve bazë që përfshihen në kriteret politike të Kopenhagës.

Kriza politike që përfshiu vendin, menjëherë pas ngjarjeve të dhunshme të 24 dhjetorit në parlament, sikurse ligji kundërthënës për media i hapën telashe të mëdha vendit.

Si në raportet e progresit të Komisionit Evropian ashtu edhe në Samitin e BE-së vendi u kritikua ashpër për mospërmbushjen e Marrëveshjes politike të 1 marsit, i cili u arrit me ndërhyrjen e vet komisionarit Shtefan Fyle, por edhe për mungesën e rezultateve për sa i përket zgjidhjes së çështjes së emrit, dhe fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

“Viti 2013 ishte një vit ishte një vit i mbrapsht në të gjitha aspektet jo vetëm në proceset e integrimeve por edhe në proceset e tjera marrëdhëniet ndëretnike janë të acaruara, shqiptarët po margjinalizohen gjithnjë e më shumë..kjo i përshtatet një politike e cila dëshiron të vazhdojë agoninë dhe dëshiron të mbijetojë në këtë skenar të egër pasi nuk është i gatshëm të zgjidh problemet reale dhe të krijojë harmoni për të gjithë qytetarët qoftë shqiptarë apo maqedonas. Ky është një realitet i hidhur se Maqedonia është më larg se kur nga euro-integrimet. Nëse maqedonasit, pushteti formalisht, deklarohen se janë për euro-integrimet, gjithë veprimet e tjera i kanë kundër euro-integrimeve”, vlerësoi për Portalb, Alajdin Demiri, ish diplomat.

Për ish Ministrin e parë të jashtëm të Maqedonisë, Denko Maleski viti 2013 ishte viti më i passukseshëm në fushën e euro-integrimeve.

“Secili vit, në këto 23 vitet e fundit kur në fund do bëjmë bilanc, nëse nuk jemi afër apo nuk i kemi përmbushur veçmë qëllimet strategjike të cilët i caktuam që në 91-in, pra anëtarësimin në NATO dhe BE; mund ta vlerësojmë si vit të pasuksesshëm. Pasi NATO dhe BE qytetarëve tonë duhet t’iu sjellin më shumë siguri nga njëra anë ndërkaq nga ana tjetër mirëqenie më të madhe, dhe perspektivë për të ardhmen”.

Liderët politik duhet të udhëhiqen nga politika e arsyes dhe jo nominalizmi primitiv.
“Bota nuk do ndryshojë, puna është se ne sa mund të ndryshojmë, t’i shmangim sjelljet që pengojnë rrugën tonë euro-atlantike sepse alternativë tjetër nuk ka për vendin” sugjeroi për Portalb, Maleski.

“Pres qe nacionalizmat primitiv të eliminohen, pres që arsyeja e një civilizimi modern bashkëkohorë të mbizotërojë dhe proceset të marrin të mbarën dhe çdo kush ta gjejë vendin aty ku ke ka. Unë mendoj se shqiptarët e kanë vendin në BE, pres që maqedonasit të kthjellohen dhe të heqin dorë nga nacionalizmi primitiv i cili mbështetet në ndërtimin e kishave çdo kund ku ka vend  dhe ku s’ka vend, pres që arsyeja e politikës të mbizotërojë”, shtoi ish diplomati Alajdin Demiri.

Nga ana tjetër duke vlerësuar pritshmërinë e realizimit të agjendës evropiane të vendit gjatë vitit 2014 kur Greqia do të kryesojë me Bashkimin Evropian, ish ministri i jashtëm Denko Maleski thekson:

”Dy opsione janë të hapura. Njëri është i mirë për politikanët, tjetri është i mirë për dy popujt. Opsioni i cili është i mirë për politikanët është që të vazhdojnë konfrontimet si një recetë e provuar për të mbetur në pushtet dhe për fitimin e zgjedhjeve të reja. Ndërkaq opsioni i dytë i cili do ishte mirë për të dy popujt do ishte që Maqedonia të nxis një proces serioz të pajtimit mes dy shteteve. Për një kthesë të tillë në politikat e të dyja shteteve ka nevojë për dy gjëra. Për Kompromis nga ana e Maqedonisë, megjithatë edhe Greqia ka nevojë të tregojë një gjest të madh të pajtimi. Pra të dyja palët duhet të ballafaqohen me këtë konflikt të ngrirë, i cili është i ngrirë jo vetëm prej 20 vitesh por edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe luftës qytetare në Greqi. Të dyja palët të përpiqen të rrëzojnë këtë mur të mosbesimit dhe armiqësisë dhe të hapin një faqe të re të besimit, të miqësisë mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kjo sjellje evropiane, ku gjest i madh i pajtimit do i shkonte për shtati një shteti Ballkanik siç është Greqia e cila kryeson me BE-në.”

Megjithatë sipas Maleskit situata reale në të dyja vendet dëshmon se shanset për një gjë të tilla janë shumë të vogla. Politikanët  në të dyja anët e kufirit edhe gjatë kryesimit grek me BE-në dhe gjatë gjithë vitit 2014 do të përpiqen të kujdesen për interesat e tyre politike por jo për të mirën e qytetarëve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button