Atë që helmi s’e mbyt, partia do ia hajë kryt

Shumica e ditëve të shkurtra dhe netëve të gjata të muajit dhjetor të këtij viti qytetarët e tre qyteteve në Maqedoni i kaluan nën smog dhe me deficit të ajrit të pastër. Nuk dihet si kjo do ndikon në listat vjetore botërore për këtë vit, por sipas shumë parametrave për ajër të ndotur këtë muaj, Kërçova, Tetova dhe Shkupi janë ndër të parat në botë. Po, e lexuat mirë, në gjithë botën. Për momentin sipas matjes zyrtare Tetova është qyteti më i ndotur në botë, pasuar nga Shkupi dhe Kërçova, qyteti i harruar nga të gjithë.

Në Shkup javën e kaluar kurse në Tetovë dje u mbajtën protesta qytetare për të artikuluar nevojën më elementare dhe më të shpeshtë, nevojën për ajër të pastër. Si edhe për të protestuar gjithë ndyrësirat që këtë ajër vazhdojnë të fëlliqin me aktivitetin apo mosaktivitetin e tyre. Ndonëse në Shkupin gjysmë milionësh u mblodhën vetëm 50 vetë në këto protesta, kurse në Tetovën dyqind mijë banorësh vetëm pak më shumë se dyqind vetë, prapëseprapë këto protesta ishin të suksesshme duke marrë parasysh se sa abstrakte din të duket një kauzë si kjo për ajër të pastër. Suksesi i këtyre protestave del në pah sidomos nëse kihet parasysh konteksti i ndërlikuar ndëretnik dhe ndërpartiak që karakterizon opinionin në Maqedoni viteve të fundit e që pamundëson kohezion për çfarëdo çështje në këtë vend.
Ndasia e opinionit, qytetarëve dhe e gjithë vendit ka mundësuar një klikë të dobët që për vite të mbizotërojë me vendin pa asnjëfarë të drejte dhe shpesh duke shkaktuar dëme direkte qytetarëve dhe vendit. Organizimi i protestës qytetare, sidomos ai i Tetovës ishte për lavdërim edhe për llojllojshmërinë e kyçjes së qytetarëve në te, por edhe për fokusin dhe kërkesat mirë të artikuluara. Kurse për matje direkte të efektit të këtyre protestave dhe artikulimit të mëtejshëm të reagimit qytetar mjafton edhe krahasimi me fatin e qytetit të tretë në botë dhe në vend Kërçovë, i cili pa protesta, vazhdon të jetë i harruar në smog, duman, tym dhe helm.

Nga llojllojshmëria e kyçjes të qytetarëve në protestën në Tetovë vjen edhe titulli i këtij shkrimi, inspiruar nga një varg i një kënge të grupit “Elita 5”, shenjës dalluese të shqiptarëve të Maqedonisë në gjithë shqiptarinë, e të cilët artistë edhe atë ditë me kyçjen e tyre direkte në protestë dëshmuan përgjegjësi qytetare.

Por, për pjesën e dytë të titullit partitë politike ka shumë muhabet në lidhje me atë se çka ata do mund të kishin bërë në lidhje me helmimin e ajrit për shumë qytetarë nga përfaqësimi i të cilëve atyre u buron legjitimiteti i profesionit dhe rrogave të tyre. Duke filluar nga i pari më i thirruri, ministri i Ekologjisë, i cili, si për ironi vjen mu nga rrethi i Tetovës. Ndonëse qeveria kohë më parë lajmëroi shqyrtim dhe gatishmëri për marrje edhe të masave radikale ndaj ndotjes së ajrit nga prodhuesit e mëdhenj industrial në vendet e prekura kjo gjë nuk ndodhi deri më tani, kurse vetëm një ditë para protestës ministri u ndie i obliguar që të prononcohet në një konferencë për shtyp, në prani të disa shoqatave ekologjike duke marrë guximin që të shprehet me fjali si “e ashtuquajtura ndotje?!”

Ndonëse edhe ky prononcim ishte efekt direkt nga protesta, atëherë vetëm e paralajmëruar, pasi të mos ishte ajo as që do kishin marrë mundimin për tu shprehur, përkufizimi i helmimit masiv që ndodhë në vend me “ashtuquajtura ndotje” tregon se çka dhe sa mund të bëjnë ata që direkt do duheshin të merreshin me zbutjen e shkallës së ndotjes së ajrit.
Nëse do duhej të shërbeheshim me teknikat e të paaftëve politikisht do duhej edhe ne të përfundojmë me konstatime dhe konkluzione se ata që do duhej të merrnin masa direkte dhe politike si duket qëmoti i ka mbuluar dhe helmuar tymi dhe smogu. Kurse me vazhdimin e artikulimit qytetarë do dëshmohet nëse qytetarët dhe rezistenca e tyre vazhdon ende të marrë frymë dhë të përpëlitet, pasi, si duket kjo ka mbet metoda e vetme për tu këndellë njerëzit e që të parandalohet ky helmim masiv.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button