Sejdini: “FFM në 2014 me zëvendës sekretar shqiptar”

Intervistë me nënkryetarin e Federatës së Futbolli të Maqedonisë, z.Muhamed Sejdini

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM), edhe për 4 vite do të udhëhiqet nga Ilço Gjorgjioski, ndërsa nënkryetar i FFM-së nga qershori i vitit 2013 ishte zgjedhur Muhamed Sejdini nga Kërçova, i cili në këtë post zëvendësoi Qenan Idrizin. Portalb.mk ju sjell në vazhdim intervistën me z. Sejdini i cili flet për të vitin 2013 dhe ndryshimet që do të pasojnë në të gjitha ligat në vitin 2014 dhe shumë tema interesante.

PORTALB: Do të fillojmë bisedën me një vlerësimit të Këshillit drejtues të FFM-së gjatë kësaj periudhe  6  mujore, duke pasur parasysh se nga fundi i qershorit ju morën funksionin nënkryetar i FFM-së?

Muhamed Sejdini: “Unë kam qenë në rrjedha me ndodhitë në FFM prej më herët, por në pozitë tjetër dhe sigurisht se dy-tre muajt e parë na shërbyen për tu njoftuar për së afërmi me gjendjen faktike në Federatë. Tani pasi që jemi akomoduar dhe ka kaluar një periudhë e caktuar, mendoj se duhet të fillojmë me punë konkrete. Këshilli Drejtues gjatë kësaj periudhe ka tentuar maksimalisht të kryejë punën e vet si duhet, por si në çdo sferë të jetës edhe këtu ka hapësira për të qenë më mirë”.

PORTALB: Cilat projekte janë realizuar, kishim disa kampanja kundër racizmit dhe dhunës në sport, seminaret për trajnerë dhe motivimi i talenteve të rinj për tu marrë me futboll, investimi në përmirësimin e infrastrukturës, etj?

Muhamed Sejdini: “Është e vërtetë se disa projekte janë realizuar edhe atë me sukses dhe ajo që mua personalisht më gëzon është fakti që në sezonin vjeshtor që sapo përfundoi në ndeshjet e futbollit nuk ka patur sharje dhe ofendime me përmasa më të mëdha nacionale apo fetare. Incidene thuajse s’kishte fare dhe këto janë gjëra shumë pozitive. Seminaret për trajnerë dhe motivimi i të rrinjëve janë procese që vazhdojnë në vazhdimësi, ndërsa duhet të pranojmë se kemi ngecje në infrastrukturë. Ky është problemi më i madh me të cilin përballen klubet, por këtu nuk mundet vetëm FFM-ja të ndryshojë, apo vetëm klubet. Ndoshta edhe shteti duhet të ndihmojë në këtë drejtim dhe të gjithë së bashku të përmirësojmë situatën katastrofale në infrastrukturë. Në pyetjen tuaj nuk cekët se në si palë shqiptare në FFM kemi sjellë disa ndryshime prej ardhjes tonë në këto poste. Për herë të parë në histori Federata e Futbollit të Maqedonisë ka një zëdhënës shqiptar dhe për herë të parë në histori veb faqja funksionon edhe në gjuhën shqipe. Këtë shumë lehtë mund ta konfirmoni nëse me një klikim në internet, ndërsa zëdhënësi njëkohësisht është në disponim të vazhdueshëm për të dhënë çdo informatë në gjuhën shqipe. Kemi edhe emërime tjera në komisione të ndryshme, momentalisht është duke u realizuar sistematizimi në FFM dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi edhe zëvendës sekretarin e përgjithshëm të FFM-së shqiptar.”

PORTALB: Si është bashkëpunimi me anëtarët tjerë shqiptarë në Këshillin drejtues, Memet Abdiun nga Tetova, pastaj Artan Asani nga Struga dhe Salim Abdyli nga Likova?

Muhamed Sejdini: “Unë si nën-kryetar dhe ata si anëtar të Këshillit Drejtues kemi një obligim të përbashkët dhe ai është përfaqësimi i denjë i shqiptarëve në Shtëpinë e Futbollit. Natyrisht se për të patur sukses në këtë drejtim, duhet një bashkëpunim i ngushtë dhe ne tentojmë që të jemi sa më të përpiktë në këtë drejtim.

PORTALB: Cili është autoriteti i përfaqësuesve shqiptarë në FFM dhe sa ato kanë ndikim në vendim marrje?

Muhamed Sejdini: “Mendoj se është në nivel edhe pse përsëris se gjithmonë mundet edhe më mirë. Personalisht nuk kam ndonjë problem në këtë drejtim dhe nga përvoja disa mujore në këtë post nuk më ka ndodhur që të mos realizohet diçka që kemi kërkuar. Përmenda më lartë ndryshimet që kemi bërë dhe në të njëjtat nuk kam patur kurrfarë problemi. Mendoj se jemi në një situatë të mirë, të cilën në vazhdim do kërkojmë që ta përmirësojmë edhe më shumë.”

(Ilço Gjorgjieski dhe Muhamed Sejdini)

PORTALB: Mund të ndalemi pak te reprezentacioni i Maqedonisë, që në garat eliminatore për botërorin e ardhshëm “Brazil 2014”, ashtu si edhe më parë dështoi dhe tani timonin e përfaqësueses sonë do ta drejtojë ish-futbollisti Boshko Gjurovski. A jeni konsultuar nga kryetari Ilço Gjorgjioski që Gjurovskin të bëhet seleksionues dhe a keni pas bisedime që mos të injorohet futbollistët shqiptarë për të qenë pjesë e reprezentacionit tonë?

Muhamed Sejdini: “Po patjetër. Nuk di sa jeni të njoftuar dhe sa keni ndjekur këtë periudhë lajmet nga FFM-ja, por unë kam qenë pjesë e komisionit për përzgjedhjen e seleksionuesit të rij dhe për çdo kandidat të mundshëm jam konsultuar ngushtë nga presidenti Ilço Gjorgjioski. Kemi vendosur bashkërisht për Boshko Gjurovskin, ndërsa gjithashtu bashkërisht kemi vendosur edhe për emrat e ndihmës seleksionuesve”.

PORTALB: Si emra të mundshëm për  të  qenë ndihmës i seleksionuesit ishin ish-futbollistët e  mirënjohur shqiptarë Artim Shaqiri, Argjend Beqiri dhe Qatip Osmani?

Muhamed Sejdini: “Respekt për të tre personat që përmendët. Shaqiri, Osmani dhe Beqiri janë shembull i vërtetë prej një sportisti të suksesshëm dhe që edhe si trajnerë janë duke ecur mirë. Natyrisht se secili prej tyre meriton të ulet në këtë post, por kuptohet se vend ka vetëm për njërin. Dhe kësaj radhe në konsultime të ngushta me bashkëpunëtorë, me kreun e FFM-së dhe me vetë seleksionuesin e rij Gjurovski, kemi vendosur që ndihmës seleksionues i Kombëtares së Maqedonisë të jetë Argjent Beqiri. Urojmë që ta kryejë me sukses këtë detyrë.

(Zëdhënësi i FFM-së, Faton Zylbehari dhe nënkryetari Muhamed Sejdini)

PORTALB: Sa i përket kampionatit, a mund të jepni një vlerësim sa jeni të kënaqur me cilësinë e lojës që është treguar, si në kategorinë e parë, një ashtu edhe në atë të dytë?

Muhamed Sejdini: “Në Ligën e Parë jemi duke ndjekur një kampionat interesant, ku më shumë skuadra janë në luftë për kreun e tabelës. Në këtë drejtim duket se ka cilësi dhe kjo vlen edhe për kategorinë e dytë. Nuk mund të jemi të kënaqur me paraqitjen e ekipeve shqiptare, kur shohim Gostivarin të fundosur në tabelë. Gjithashtu një Shkëndijë që premtoi shumë, por nuk është aty ku pretendon të jetë, por gjithsesi se pritet që të përmirësohen në pranverë. Renova duket solide, por s’është ajo Renovë e viteve të kaluara. Edhe në Ligën e Dytë kemi mundur të jemi më mirë. Do nis me Zajazin prej nga vij edhe unë. Skuadër debutuese në Ligën e Dytë që pati nevojë për pak kohë deri sa u adaptua në këtë shoqëri garash dhe duket se kohëve të fundit gjërat hyjnë në binarë. Drita si skuadër me përvojë të madhe në Ligën e Dytë dhe si ish-anëtare e Ligës së Parë ka treguar paraqitje solide. Vrapçishti ka qenë befasi në një periudhë, ndërsa

PORTALB: Sa e vlerësoni ndryshimin e sistemit të garave që do të pasojë nga sezoni i ardhshëm futbollistik, kur dy kategoritë e para do të numërojnë nga 10 ekipe. A mendoni se do të dëmtohen skuadrat shqiptare me këtë sistem të ri?

Muhamed Sejdini: Qëllimi i federatës është që përmes zvogëlimit të ligave të ndikojë në rritjen e kualitetit dhe cilësisë së futbollit të Maqedonisë, dhe jo vetëm në Ligën e Parë apo të Dytë që do të numërojnë nga 10 ekipe, por edhe në atë të Tretë që do të numërojë nga 12 ekipe. Mendoj se ky është një hap i duhur pasi kështu do shmanget kuantiteti dhe do rritet kualiteti. Mendoj se një gjë e tillë do të bënte që në Ligën e Parë të ketë vetëm ekip e cila do të jetë me financa stabile dhe që njëkohësisht posedon edhe kualitet. E njëjta do të vlejë edhe për Ligën e Dytë dhe Ligat e Treta.

PORTALB: Cili do të  jetë mesazhi juaj për sportistët, tifozët dhe për të gjithë ata  që e duan futbollin?

Muhamed Sejdini: Të vazhdojnë të besojnë në veten e tyre, të punojnë shumë dhe të tentojnë të ndjekin shembullin e vendeve më të zhvilluara evropiane. Tifozët të vazhdojnë ti mbështesin skuadrat e tyre në mënyrë sportive pa ofendime dhe sharje të kundërshtarit. Mendoj se është koha që të përcjellim vendet më të zhvilluara dhe të shkojmë hapave të tyre, pasi që jemi shumë larg, na duhet shumë punë, por ja vlen që të tentojmë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button