EUROKAMBIALI: A është ligjore marrja e huasë së re dhe kush do ta nënshkruajë atë?

Kreditorët do ta llogarisin edhe çmimin e rrezikut politik kur do të vendosin t’i japin hua Maqedonisë nëpërmjet eurokambialit të ri, dhe ky çmim nuk do të jetë i ulët – konsideron një pjesë e ekonomistëve. Mirëpo, çështja kyçe është se kush do ta nënshkruajë huanë e re, i cila sipas Marrëveshjes së Përzhinës mund të jetë edhe kontestuese në aspekt ligjor. Аnaliza javore ekonomike e Portalb.mk, e eurokambialeve të emituara tregon se deri tani është emituar vetëm një eurokambial me afat të maturimit prej 10 vitesh dhe kamatë prej 4,625% në mandatin e VMRO-DPMNE-së, ndërsa kambiali më i shtrenjtë dhe më afatshkurtër është emituar në vitin 2009 me afat të maturimit prej 3,5 vitesh dhe kamatë prej 9,875%.

Еurokambial në mes të krizës politike….

Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja e emiton eurokambialin e katërt me radhë. Deri tani, vetëm në bazë të këtij lloji të huasë, qeveria ka marrë borxh prej 825 milionë eurosh. Në prag të eurokambialit të katërt me radhë, sipas ekonomistëve, me rëndësi janë disa çështje: me çfarë çmimi do të marrë hua Maqedonia, sa vite do të duhet të paguhet borxhi i ri, mirëpo para së gjithash a duhet në mes të krizës politike Qeveria të marrë një hua të tillë.

Sipas zëvendës-ministrit të deriparadokohshëm plotësues për financa, Kire Naumov, i cili vuri veto në kambialin e vitit të kaluar prej 500 milionë eurosh, pas të cilës niveli i ngarkesës me borxh zbriti në 270 milionë euro, me rëndësi është se a është huaja e re e ligjshme.

“Në këtë moment ne si opozitë nuk jemi pjesë e pushtetit ekzekutiv, mirëpo në fuqi janë ndryshimet ligjore që u bënë në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës, të cilat parashohin se huatë që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhet të kenë edhe nënshkrim të dytë. Në këtë rast qeveria do të marrë hua të re pa pëlqimin e opozitës dhe çdo borxh i ri i krijuar në këtë mënyrë nga ndonjë qeveri e ardhshme mund të shpallet si jolegjitim”, thotë për Portalb.mk Naumovi.

Një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se në rrethana të këtilla politike, nuk duhet të emitohet eurokambiali i ri.

“Ka ardhur koha për konsolidim dhe transparencë në financat publike. Nuk mundet dhe nuk duhet që eurokambiali të emitohet në rrethana të këtilla politike. Ministri i ri për financa së pari duhet të bëjë “regjistrim” të obligimeve, gjegjësisht borxheve të mbetura potenciale, ta vlerësojë qëndrueshmërinë e subvencioneve të të gjitha llojeve dhe t’i rishqyrtojë shpenzimet e fundit për “çokollada”, e pastaj t’i ndryshojë prioritetet e anës shpenzuese dhe të bëjë rebalanc të buxhetit”, thotë për Portalb.mk Marjan Nikollov nga Qendra për analiza ekonomike.

Edhe nga Insituti për hulumtime ekonomike “Finance think” theksojnë se ministri i ri para se ta nënshkruajë huanë e re, publikisht duhet të përgjigjet në disa pyetje.

“Për çfarë qëllimi do të shpenzohen paratë e eurokambialit në paralajmërim, veçanërisht nëse merret parasysh se në kushte të rritjes së zvogëluar ekonomike, ky huazim bëhet relativisht i shtrenjtë? A ka qeveria obligime të maturuara, që nuk janë përmbushur (ndaj kreditorëve të saj, për kthim të TVSH-së, e të ngjashme) dhe në qoftë se ka, sa janë ato? A do të shkurtohen shpenzimet aktuale buxhetore (rrogat, pensionet, ndihmat sociale) në kushte të rritjes së ulët ekonomike që për pasojë ka dobësimin e kondicionit të buxhetit, ose përsëri do ta pësojnë shpenzimet kapitale?”, pyesin nga “Finance think”.

Kush do ta nënshkruajë huanë e re?

Funksionari i mëparshëm në Ministrinë për Financa vlerëson se ka mundësi që qeveria, duke tentuar të sigurojë kamatë më të vogël, të vendosë të marrë hua në afat më të shkurtër, gjegjësisht në afat të mesëm, që gjithsesi nuk do të thotë se vendi do të marrë hua të lirë në tregun ndërkombëtar.

“Nuk mund të licitohet me lartësinë e kamatës, mirëpo në vlerësimet mund të ndihmojë rasti i Kroacisë, e cila para do kohësh hoqi dorë nga emitimi i eurokambialit. Në fakt, Kroacia llogariti se për hua prej një miliardë eurosh, me afat të kthimit prej 10 vitesh do të paguhej kamatë prej 5%, që është më e lartë se sa kamata prej tre për qind që e pagoi për eurokambialin vetëm një vit më parë. Nëse shkojmë sipas logjikës se Kroacia, e cila ka krizë politike, mirëpo shumë më të vogël se kjo e Maqedonisë, dhe ka për një nuancë tregues më të mirë ekonomikë se sa vitin e kaluar, megjithatë do të paguante çmim më të lartë, gjegjësisht në kamatë do të llogaritej edhe premia e rreziqeve politike, atëherë mbetet të supozojmë se çka do të ndodhte me huanë që e kërkon Maqedonia”, thotë Naumovi për “Portalb”-in duke theksuar Maqedonia, për dallim nga Kroacia ballafaqohet me krizë shumë më të thellë dhe me rezultate shumë më të dobëta ekonomike se sa në vitin 2015.

Para do kohësh, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, publikisht deklaroi se Maqedonia ka nevojë për hua të re, duke theksuar se vitin e kaluar LSDM-ja ka vënë veto në 500 milionët e planifikuara që duhej të sigurohen nga jashtë.

“Nuk jam i informuar në detaje, mirëpo nga ajo që e mbaj mend nga viti i kaluar, kur LSDM-ja vendosi një lloj bllokade në emitimin e eurokambialit, ata, debllokimin e tyre e kushtëzuan me atë që kambiali të emitohet vetëm për gjashtë muaj, në vend për një vit siç ishte planifikuar më parë, dhe siç është praktikë e zakonshme në çdo vend. Kështu që supozoj se do të ketë nevojë për hua dhe se Ministria për Financa dhe qeveria do ta bëjnë këtë, për shkak se kjo është mënyrë normale për financimin e deficitit në një vend”, deklaroi Gruevski.

Edhe një pyetje që pret përgjigje është se kush do ta nënshkruajë eurokambialin e ri. Në fakt, formalisht, huazimi i ri do të nënshkruhet nga ministri i ri Kiril Minovski, mirëpo shtrohet pyetja se në çfarë faze ai e mori përsipër procesin, gjegjësisht operacionin për marrjen e huasë.

“Po, formalisht ministri i ri do ta nënshkruajë eurokambialin, mirëpo me rëndësi është se a i ka zvilluar negociatat ish-ministri Stavreski. Nëse ai i ka kaluar të gjitha fazat, duke e përfshirë edhe vendimin për marrjen e huasë në mbledhjen e qeverisë, atëherë bartës i kësaj huaje 99% është Stavreski. Nga ana tjetër, nuk është e njohur se mos ndoshta ai vetëm i ka filluar bisedat, apo ndoshta edhe e ka kundërshtuar këtë hua”, thotë për Portalb.mk, Naumovi.

Ministri i deritanishëm për Financa, Zoran Stavreski, pati mandatin më të gjatë në krahasim me paraardhësit e tij, nënshkroi dy eurokambiale me vlerë të përgjithshme prej 770 milionë eurosh. Njërin e emitoi në vitin 2014 në vlerë prej 500 milionë eurosh, me afat të kthimit prej shtatë vitesh me kamatë prej 3,975%. Eurokambiali i dytë të cilin e nënshkroi Stavreski u emitua vitin e kaluar, me ç’rast qeveria mori hua prej 270 milionë eurosh. Kjo hua do të kthehet në periudhë prej pesë vitesh me kamatë prej 5,125%. Qeveria e udhëhequr nga Nikolla Gruevski më parë emitoi edhe një eurokambial në vitin 2009, kur me nënshkrimin e ministrit të atëhershëm Trajko Sllavevski u siguruan 175 milionë euro me kamatë prej 9,875% dhe afat të kthimit prej  tre vitesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button