Rama: S’lejojmë askënd që të stigmazitojë Shqipërinë, jemi vend evropian

Kryeministri i vendit, Edi Rama, mbajti sot konferencën e fundvitit, ku morën pjesë anëtarët e stafit të Kryeministrisë, ministrat si dhe gazetarët e të gjitha mediave në vend. Në fillim të fjalës së tij Rama foli për arritjet e qeverisë së tij në këto 100 ditët e para. Rama është shprehur se viti 2013 është viti i ndryshimit për kursin e ri të Shqipërisë nga e ardhmja. Ai tha se po i kthehet dinjiteti shumë institucioneve që e kanë humbur funksionin e tyre. Kryeministri theksoi se në fillim të vitit ardhshëm, mbledhja e parë e qeverisë do të jetë një mbledhje e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë shqiptare. 

“Pesimizmi me të cilin nisi viti 2013, ditë pas dite i la vendin optimizmit të nisur pas 23 qershorit. Buxheti i 2014-së ja ka kthyer optimizmin Shqipërisë. Me votën e tyre, mjekët, policia, ushtarakët, tani do marrin më shumë lekë dhe do kenë më pak taksa. Vitin e ardhshëm do të nisë me mbledhjen e parë të dy qeverive, asaj shqiptare dhe të Kosovës. Shërbimet tona publike në arsim, shëndetësi etj. vitin e ardhshëm do të përfshihen në reforma të shumta. Plani kombëtar i kontrollit të territorit që ka nisur tashmë, gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet edhe më i madh. Shlyerja e borxheve të pakëndshme, bashkë me kantieret e reja do ta bëjnë vitin e ardhshëm, vitin e rilindjes. Marrja në dorë e pasurive kombëtare dhe përdorja siç duhet, sapo ka nisur dhe do të vazhdojë më shumë gjatë vitit të ardhshëm”.

Në lidhje me zotimin e tij për legalizim falas të shtëpive, Rama u shpreh se në janar do të shpallet edhe platform në lidhje me këtë çështje. “Shqiptarët që mbijetojnë në zonat informale dhe që prej vitesh kërkojnë të legalizojnë banesat, do ta përfundojnë kalvarin e tyre për legalizimin e banesave. Duhet të keni pak durim dhe të prisni janarin, kur ne do të shpallim platformën tonë të re të legalizimeve që është në përputhje të plotë me zotimet tona. Duke iu dhënë mundësi atyre që kanë shtëpitë e tyre në zonat informale të marrin certifikatën përfundimtare të pronës së tyre. Legalizimi falas nuk është një premtim elektoral, por një zotim ynë ku ngrihet e gjithë platforma jonë. Vendosja e ndërtimeve të reja në Gjirokastër, Berat dhe Krujë do të rilindë këto qytete”, theksoi Rama.

 Rama i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve

 Zoti Kryeministër, nëse në qershorin e vitit të ardhshëm, Shqipëria nuk arrin të marrë statusin e vendit kandidat sikurse ju thatë, a do të mbajë përgjegjësi kjo qeveri, ju dhe ministrat tuaj?

E dyta, a do të vazhdojë situata me prishjet e ndërtimeve pa leje dhe vendosjen e kontrollit mbi territorin, sikurse keni thënë, sidomos në zonat bregdetare?

Qeveria do të mbajë përgjegjësi për gjithçka i takon qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka që ne na takon që qershori të jetë momenti i vendimit të duhur për Shqipërinë. E ritheksoj, mbetemi me shpresë që ato forca ekstremiste që këtë herë ndikuan në vendimmarrjen e padëshiruar të mos kenë ndikimin që patën këtë herë dhe Shqipëria të vlerësohet për atë që është dhe për atë që meriton dhe të mos kthehet në peng zhvillimesh dhe interesash që nuk kanë asnjë lidhje me rrugën tonë të integrimit europian dhe me përmbushjen e detyrave tona.

Për sa i përket pyetjes së dytë, është një pyetje retorike, sepse pa asnjë pikë dyshimi, ne do të vazhdojmë me betejën për të rimarrë tërësisht kontrollin mbi territorin. Do të vazhdojmë me shembjen e ndërtimeve të paligjshme që pengojnë zhvillimin e Shqipërisë evropiane, e Shqipërisë turistike, e Shqipërisë normale. Është pak por e sigurt, që shembjet, edhe ato më spektakolaret, janë vetëm fillimi i një vazhde që nuk do të ndërpritet në vitin 2014.

Zoti kryeministër, ka pak ditë që është miratuar buxheti për vitin 2014, mes dilemash dhe diskutimesh, sigurisht. A ka ndonjë shpresë për shqiptarët që pas një viti kalendarik ta ndjejnë veten më mirë ekonomikisht, meqenëse ka pasur shumë dilema për taksën progresive, për biznesin, për sipërmarrjen dhe për të gjitha pikëpyetjet që është e natyrshme të ngrihen, pas një analize tjetër që ju i bëtë mënyrës së orientimit të taksave të shqiptarëve?

Faleminderit! Unë nuk besoj se dilemat i kanë pasur shqiptarët. Shqiptarët, pa asnjë dilemë, kanë votuar në 23 qershor për të paguar më pak, kur fitojnë më pak. E, pa asnjë dilemë, Kuvendi ka ratifikuar shprehjen e vullnetit të tyre në 23 qershor. 97 % e kontributorëve në arkën e shtetit do të paguajnë më pak taksa. Këtë thonë shifrat dhe, sigurisht, kjo do të çojë më shumë para për konsumin e tyre familjar.

Nga ana tjetër, viti 2014 do të jetë, padyshim, viti i fillimit të rimëkëmbjes ekonomike. Do të kemi një rritje ekonomike më të lartë me një trajektore të sigurt rritjeje, vit pas viti, për 4 vitet e këtij mandati. Sigurisht, që viti 2014 do të jetë një vit ku gjithkush do të ndjejë efektet e para të dobishme të politikës sonë të re ekonomike dhe të politikës sonë të re të taksimit të ndershëm. Ata që deri sot kanë mbajtur barrën e pabarazisë që ka në vetvete taksa e sheshtë, me siguri do ta bëjnë lehtësisht diferencën, sapo të fillojnë të shohin se sa para reale do të mbeten në xhepat e tyre nga ulja e taksave.

Zoti Kryeministër, më lejoni ju lutem një pyetje për bashkëpunimin me opozitën. Bashkimi Evropian, populli shqiptar, të gjithë e kërkojnë një bashkëpunim, një mirëkuptim, në çdo hap, me opozitën në Parlament. Cili është projekti juaj? Cilat do jenë përpjekjet tuaja në vitin në vazhdim për të siguruar këtë mirëkuptim, me gjithë fitoret e thellë që keni me gjithë mazhorancën dhe koalicionin e fortë që keni në Parlament?

Fitorja e thellë na ka bërë thellësisht të vetëdijshëm se njerëzit nuk kanë votuar thjesht për të zëvendësuar disa me disa të tjerë, por kanë votuar për një ndryshim rrënjësor. Ne jemi bërë zëdhënës të një ndryshimi rrënjësor në të gjithë drejtimet. E, besoj jemi bërë zëdhënës të një ndryshimi rrënjësor edhe në raport me opozitën. Mjafton të shikoni se sa kohë flet kryeministri dhe sa kohë flet lideri i opozitës, për të kuptuar që opozita ka prioritet absolut në jetën parlamentare.

Nga ana tjetër, sigurisht që ne jemi të gjithëvullnetshëm të dëgjojmë çdo gjë që thotë opozita, por jemi po aq të gjithëvullnetshëm të udhëheqim. Ne do të dëgjojmë dhe do udhëheqim. Kjo është deviza jonë.

Zoti Kryeministër, a mund të jepni më shumë detaje a ka një hendek midis premtimit të legalizimeve falas dhe nismës konkrete të qeverisë suaj në këtë proces? Ku ndalon lapsi i llogarisë falas? Ky proces ka edhe një anë tjetër të medaljes që janë pronarët. A ka menduar qeveria për pronarët që preken nga legalizimet?

Duhet vetëm të keni pak durim, besoj mijëra herë më pak durim se ata që kanë duruar gjithë këto vite për të legalizuar shtëpitë dhe të prisni janarin, kur ne do të shpallim platformën tonë të re të legalizimeve, që është në përputhje të plotë me zotimin tonë. Pa asnjë dyshim, procesi i legalizimeve do të fillojë mbi zotimin tonë dhe do të zhvillohet në përputhje të plotë me zotimin tonë, duke u dhënë të gjithë atyre që kanë shtëpitë e tyre në zonat informale, e theksoj këtë, në zonat informale, mundësinë që të marrin certifikatën përfundimtare të pronës së tyre, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhen. Pra, legalizimi falas nuk është një premtim elektoral, është një zotim mbi të cilin ngrihet e gjithë platforma jonë e re e legalizimeve.

Për sa i përket pronarëve dhe marrëdhënies së zotëruesve të truallit mbi të cilin është ngritur shtëpia, me pronarët, edhe këtë do ta përcaktojë qartë platforma e re e legalizimeve.

Gjatë vitit 2014 a do ta realizoni premtimin elektoral për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit? Pyetja e dytë, mazhoranca juaj qeverisëse, gjatë vitit të ardhshëm, a do të përfshihet në ndryshime kushtetuese?

Agjencia Kombëtare e Bregdetit kërkon një bazë ligjore tërësisht të re. Jemi pothuajse në përfundim dhe me fillimin e vitit të ardhshëm, Parlamenti do të miratojë krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe, praktikisht, çeljen e një kapitulli të ri në administrimin e kësaj pjese jashtëzakonisht të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare, që është bregdeti.

Ne nuk kemi asnjë objektiv për ndryshime kushtetuese si qëllim në vetvete. Kemi të domosdoshme një reformë rrënjësore të drejtësisë, e cila mund të kërkojë ndryshime kushtetuese dhe ne jemi të gatshëm që t’i bëjmë ato ndryshime, në rast se projekti i reformës do t’i kërkojë.

Kisha dy pyetje për të bërë. E para, duke e pranuar, unë të paktën, se ju jeni një nga politikanët që flet më mirë në Shqipëri, do të doja të shihja më shumë shifra në atë që thoni. Duke ju dëgjuar me vëmendje, unë kam regjistruar vetëm dy shifra një milion shqiptarë dhe 97% e taksapaguesve. Shifra e parë nuk mendoj se është e qartë, duhet azhornuar, sidomos pas aleancave të fundit të krijuara, duhet të jetë më e madhe, duhet ta ketë kaluar këtë numër. Megjithatë kisha dëshirë të dëgjoja më shumë numra, më shumë shifra për të konkretizuar atë që ju thoni.

E dyta, unë kam ndjekur me vëmendje problemin e emërimeve dhe largimeve nga puna dhe kam në dorë një poezi të Dritero Agollit që thotë Kali dhe gomari. Besoj ju e dini mirë përmbajtjen……….

Pyetja është për kalin, për gomarin apo për mua?

Jo, ju jeni në rolin e fshatarit. Të lutem i thotë kali, vër gomarin mbrapa, mua të parin dhe  bjeri gomarit, jo mua. Ju çfarë do bëni për të realizuar këtë. Pra, pyetja e parë është, çfarë është e mundur të bëjmë që të kemi më shumë shifra kur ju flisni dhe e dyta, çfarë do bëjmë për të pasur kalin përpara dhe gomarin mbrapa.

Sa i përket të parës, besoj se shqiptarët kanë dëgjuar shumë shifra këto 3-4 ditët e fundit dhe në paraqitjen time unë nuk u përqendrova tek shifrat, aq më tepër pastaj se besoj që shumë shifra vrasin kuptimin e asaj që thuhet.

Ndërkohë që përsa i përket kalit dhe gomarit, jam i bindur që edhe pse ju më bëtë komplimentin që flas më mirë se shumë të tjerë, kush ishte këtu para meje ishte më kompetent, qoftë për kuaj, qoftë për gomerët. Unë s’e kam atë kompetencë, kështu që do mendohem e do t’i referohem atyre që kanë më shumë njohuri dhe këtë përgjigje do t’jua jap në konferencën e fundvitit tjetër.

Një pyetje që lidhet me integrimin dhe një pyetje tjetër që lidhet me rajonin. E para, presidenca e BE-së dihet që 6 muajt e ardhshëm do të kontrollohet nga Greqia. Plani i saj është që brenda 2014 të përfundojë çështjen e kufirit detar, që ju e keni kundërshtuar kur u miratua nga qeveria e kaluar dhe më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Mendoni se mund të ketë një problem të përsëritur, ashtu sikundër pati kundërshtime në mbledhjen e fundit të dhjetorit, mund të vendoset vetoja nga Greqia, në qoftë se nuk do të jetë e kënaqur nga ndarja e kufirit detar?

Së dyti pyetja për rajonin, ju keni deklaruar se Turqia është shpallur një partner strategjik i qeverisë suaj. Çfarë përfitimesh mendoni se mund të keni nga ky partneritet në terma konkrete, në dobi të qytetarëve të paktën për vitin 2014?

Sa i përket të parës, modestish do t’i bëja një redaktim. Kush ka presidencën e radhës nuk kontrollon Bashkimin Evropian, por thjesht koordinon Bashkimin Evropian. Nuk besoj që çka përbën një çështje të axhendës së marrëdhënieve dypalëshe, mund të kthehet në një çështje të Bashkimit Evropian me një vend. Aq më tepër pastaj, që ne e kemi thënë dhe unë e përsëris: Ne jemi të hapur të trajtojmë çdo çështje të axhendës të marrëdhënieve dypalëshe, duke respektuar të drejtën e palës tjetër për të konsideruar çështjen në fjalë dhe duke kërkuar që të respektohet edhe e drejta e jonë për të konsideruar edhe disa çështje të tjera, të cilat janë çështje që kërkojnë zgjidhje. Nuk po i përmend këtu, ato dihen dhe janë çështje që, në frymën e kohës së re që jetojmë për rajonin, meritojnë të zgjidhen për të mos qenë më përpara nesh, në rrugën e përbashkët drejt të ardhmes.

Për sa i përket Turqisë, e panatyrshme ka qenë koha kur Turqia nuk konsiderohej partner strategjik. Konsiderimi i Turqisë partner strategjik është krejt i natyrshëm, në kontekstin e një influence të pamohueshme që Turqia, ashtu si Italia dhe Greqia, kanë për rajonin tonë. Nëse ju me pyetjen tuaj nënkuptoni se çfarë përfitimesh të drejtpërdrejta monetare ka ky partneritet, unë do ju thosha se partneritetet strategjike nuk janë si pazaret “më jep, të jap”, por janë shumë më tepër se kaq. Pa asnjë dyshim, përfitimet e Shqipërisë, në kuadrin e partneritetit strategjik me Turqinë, me Italinë apo me Greqinë, janë të mëdha. Janë të mëdha si për çdo vend tjetër të rajonit, besoj unë.

Kam një pyetje në lidhje me transparencën publike. A ka ndonjë arsye pse qeveria juaj refuzon të publikojë vendimet e Këshillit të Ministrave në faqen e vet zyrtare? Në mënyrë të përsëritur nuk i publikon, ose publikon vetëm titullin e tyre. Ju faleminderit!

Unë e përjashtoj këtë dhe besoj që mund të jetë diçka që mund të ketë ndodhur në një rast, që është thjesht një përjashtim që e përforcon rregullin që çdo vendim i qeverisë pasqyrohet menjëherë në faqen e vet zyrtare. Kjo ndodh gjithmonë dhe pa asnjë përjashtim. Nëse nuk ka ndodhur, me siguri ka qenë thjesht arsye teknike. Ju do të më ndihmonit në qoftë se do të më referonit ndonjë vendim, ku mungesa e transparencës ka qenë e lidhur me përmbajtjen e vendimit si dyshim, por nuk ka të tilla. Pra, është thjesht mangësi e natyrës teknike.

Ju i jeni referuar duke pasur parasysh refuzimin e statusit, rrymave politike potencialisht të fuqishme, ekstreme, të cilat ndikuan në këtë përgjigje, pjesë e të cilës janë edhe paragjykimet për shkak të çështjeve të fesë, apo dhe anëtarësimeve që Shqipëria ka në forume të caktuara. A ka qeveria juaj ndonjë plan për të iniciuar në të ardhmen lëvizje për ta tërhequr Shqipërinë nga Konferenca e Vendeve Islamike?

Pyetja e dytë, përtej vullnetit të dukshëm politik për të bashkëpunuar mes faktorit shqiptar në rajon, kryesisht Kosovës, duke qenë se edhe mbledhjen e parë të vitit të ardhshëm do ta bëni në Prizren, në praktikë biznesi në Kosovë ka patur shumë vërejtje për krijim barrierash të reja në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, buruar edhe nga paketa e re fiskale. A ka ndonjë përplasje mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet, përsa i përket bashkëpunimit ndërshqiptar në rajon. Faleminderit. 

Po e filloj nga e dyta. Unë nuk e di kujt i referoheni kur flisni për barriera të reja. Nuk ka asnjë barrierë të re. Di që ka pasur një diskutim lidhur me birrën “Peja”, në kuadrin e dy niveleve të akcizës së birrës. Por, nga ana tjetër, ne i jemi përmbajtur në konformitet të plotë direktivës së Bashkimit Evropian dhe kemi mbajtur dy nivele, duke ndryshuar një situatë paksa qesharake dhe duke e normalizuar nga pikëpamja ligjore, trajtimin e produkteve vendase me produktet e importit, konform direktivës së Bashkimit Evropian.

Sa i përket pastaj, asaj që ne do të bëjmë, ju siguroj se me mbledhjen e parë të dy qeverive shënohet dhe fillimi i bashkëqeverisjes strategjike mes dy shteteve tona. Dy shtete shqiptare në rajon, që i ndan një kufi, të cilin ne e konsiderojmë të pandryshueshëm si shprehje e besës që i kemi dhënë komunitetit ndërkombëtar, por që nga ana tjetër do ta bëjmë të padukshëm në ndërtimin e politikave të përbashkëta strategjike, në të mirë të shqiptarëve po njësoj, në Shqipëri dhe në Kosovë, por besoj edhe si model bashkëpunimi në rajon.

Kurse referuar atyre forcave ekstremiste, ato janë një problem i Bashkimit Evropian, janë një çështje shqetësuese për Bashkimin Evropian, janë burime të një politike që i bie ndesh idealit dhe vlerave të Bashkimit Evropian. Nuk na takon dhe nuk është në fuqitë tona që ta trajtojmë dhe zgjidhim çështjen e tyre, por ajo çka na takon është të bëjnë ne maksimumin tonë, që çështja jonë e integrimit të mos pengohet prej tyre. Sigurisht, dhe ju falënderoj, që ju e nënvizuat në pyetjen tuaj, ata nuk e fshehin, s’kemi pse e fshehim dhe ne, që përkatësia e një pjesë të popullsisë sonë ndaj fesë myslimane, prej tyre konsiderohet si problem. Ndërkohë që, përsa më takon, fakti që Shqipëria është një vend multireligjioz dhe i bashkëjetesës në harmoni mes feve është një vlerë e shtuar për ne. Jo vetëm që unë dhe besoj të gjithë bashkë duhet t’i neverisim këto forca dhe këto pikëpamje, por me krenari për këtë vlerë dhe për këtë harmoni, që ne e shprehim zakonisht kur kemi festat tona fetare, ne duhet t’i shohim në sy të gjithë dhe t’ju themi se ne nuk lejojmë askënd që të stigmatizojë Shqipërisë si të tillë apo si të atillë. Shqipëria është një vend evropian, i përket Evropës qysh në krye të herës dhe në programin tonë të rilindjes, jo rastësisht, ne kemi folur për ribashkim me Evropën. /Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button