Ameti: USHT e përmbylli me sukses vitin 2013

Universiteti Shtetëror i Tetovës ka shënuar të arritura të mëdha në të gjitha fushat dhe e ka përmbushur me sukses të plotë veprimtarinë mësimore-shkencore gjatë këtij viti që po e lëmë pas. Kështu njoftoi Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, gjatë një takimi me gazetarët, ku edhe i prezantoi rezultatet dhe të arriturat e punës njëvjeçare të këtij institucioni të lartë arsimor.  

“Universiteti ynë, edhe gjatë vitit që lëmë pas e ka zhvilluar me sukses të plotë veprimtarinë e tij mësimore-shkencore në të dy ciklet e studimeve, në studimet themelore dhe ato të magjistraturës, si dhe mbarëvajtja e mësimit dhe veprimtaritë tjera akademike janë zhvilluar me sukses të plotë, si në qendrën e tij në Tetovë, edhe në fakultetet dhe programet studimore të disperzuara, në  Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër. Përgjatë një viti, Universiteti ynë ka shënuar rezultate të konsiderueshme në të gjitha fushat, dhe në këtë mënyrë vlerësojmë se e ka arritur t’i realizojë objektivat e tij themelore të arsimimit sipëror në vendin tonë, si, avancimin e stafit akademik në të gjitha fakultetet, forcimin e autonomisë universitare në zgjedhjen e organeve legjitime, si: konsolidimin e plotë të Senatit të Universitetit, Këshillit të Rektoratit dhe zgjedhjen e Rektorit me procedurë të rregullt në mandatin katërvjeçar”, tha Rektori Ameti. 

Ameti theksoi se gjatë vitit 2013 USHT-ja ka akredituar Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë dhe se janë në procedurë për t’u themeluar edhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, si dhe Fakulteti i Gjeoshkencave dhe Teknologjisë, janë bërë investime edhe në infrastrukturën e Universitetit, ku mes tjerash janë promovuar vepra të ndryshme shkencore, janë organizuar konferenca shkencore, si dhe debate dhe tryeza të shumta në bashkëpunim dhe me institucionet tjera arsimore nga vendi dhe ato ndërkombëtare. 

Në mesin e këtyre aktiviteteve në kuadër të nëntëmbëdhjetë vjetorit të USHT-së janë ndarë bursa për studentët me mesatare mbi 9.50.  

Universiteti Shtetëror i Tetovës, për vitin e ardhshëm gjithashtu do të kujdeset në vazhdimësi për përmbushjen e misionit të tij dhe realizimin e të gjitha reformave të nevojshme në arsimin sipëror. Rektori i ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e medieve për bashkëpunimin e shkëlqyer, me ç’rast të gjithë qytetarëve, stafit akademik, profesorëve dhe studentëve ua ka uruar festat e fundvitit.

Lajme të ngjashme

Back to top button