fbpx

Fëmijët shqiptar preferojnë mësimin fetar

Ishte e Diele, ora 12:15. Në Wädenswil ishin mbledhur shumë nxënës para një objekti i cili nga jashtë duket si një shtëpi banimi, por brendia i është përshtatur kushteve të një xhamie. Në njërën prej dhomave të kësaj xhamie, rrinë dhe pinë kafe prindërit e nxënësve deri sa fëmijët e tyre ta kryejnë mësimin në xhami.

Mësimi fillon dhe para nxënësve mban ligjëratë Ibrahim Ibrahimi, që njëherësh është edhe imam i kësaj xhamie. Mësimi jepet kryesisht në gjuhën shqipe, por edhe atë arabe.

Imami thotë se është i kënaqur me pjesëmarrjen e nxënësve në mësim-besim, dhe këtë punë ai e bën ai me plot dëshirë dhe pa obliguar fëmijët që të paguajnë.

“Numri i nxënësve është i kënaqshëm, janë 37 nxënës dhe deri më tash edhe prindërit e fëmijëve janë të kënaqur me mësimin. Qëllimi im është që përveç mësim-besimit, fëmijët tanë të mësojnë edhe të flasin gjuhën shqipe. Për të lexuar në gjuhën shqipe, në fillim fëmijët kanë pasur shumë probleme, mirëpo tash e kanë përparuar shumë në këtë drejtim”, thotë Ibrahimi.

Ai po ashtu shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me shkollën shqipe, përkatësisht me LAPSH-in, në mënyrë që së bashku të ruajnë dhe mbrojnë gjuhën dhe identitetin e kombit. Kjo vlen sidomos për më të vegjlit, që janë lindur e rritur në Zvicër.

Dardani, Endriti dhe Arjeta janë disa ndër nxënësit e rregullt që ndjekin mësimet e fesë islame.

“Jam Dardan Ajeti, jam 14 vjeç dhe me dëshirë i ndjek mësimet e fesë. Kurse do të ishte mirë të shkoja edhe në shkollën shqipe”

“Unë jam Endrit Shabani dhe jam 12 vjeçar. Në mësimin e fesë shkoj qe një vit. Aty mësojmë shqip dhe duatë arabisht. Në shkollën shqipe kam qenë një vit, por tash nuk jam më”.

“Quhem Arjeta Beadini, jam 12 vjeçare dhe mësimet e fesë i ndjek tash dy vite, vij me qejf këtu. Në shkollën shqipe nuk kam qenë asnjëherë, mirëpo këtu jam mësuar mjaft mirë që të lexoj shqip. Arsyen pse nuk shkoj në shkollë shqipe s`di ta them. Ndoshta prindërit nuk më kanë propozu asnjëherë që të shkoj në shkollë shqipe”

Lajmi i plotë është në këtë link

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button