Ngrohja globale ndryshon mënyrën sesi Toka vallëzon

Ngrohja globale është e lidhur ngushtë me ndryshimet klimaterike. Ky lloj fenomeni ndikon drejtpërdrejt mbi temperaturën mesatare të Tokës; duke ndikuar në rritjen e saj gjithmonë e më shumë. Duke filluar që nga viti 1960 e deri në ditët e sotme, temperaturat mesatare të sipërfaqes së planetit kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit. Në mbështetje të këtij konstatimi vijnë një sërë provash shkencore, të cilat pasqyrojnë fakte mbi ngrohjen e përgjithshme të klimës. Pothuajse e gjithë nxehtësia që “ngec” në Tokë, depozitohet në ujërat e oqeaneve, duke sjellë shkrirjen e akullit. Sikur të mos mjaftonin të gjithë efektet negative të ngrohjes globale, një studim i ri tregon për mënyrën sesi kjo dukuri ka ndryshuar mënyrën sesi planeti “vallëzon” në hapësirë. NASA sjell fakte të reja për mënyrën sesi poli i Veriut ka ndryshuar. Ky pol pothuajse ka shkrirë nga akujt dhe është zhvendosur nga pozicioni i pandryshuar për mijëra vjet, shkruan “Wespeakscience“.

Ngrohja globale ndodh si pasojë e efektit serë. Le ta imagjinojmë të gjithë planetin si një serë gjigande. Rolin e xhamave apo të plastmasës, ia atribuojmë e shtresës  së ozonit si dhe tërësisë së gazeve të çliruara nga aktiviteti i njeriut, si një proces i pakthyeshëm në rrugën e plotësimit të nevojave dhe dëshirave tona. Shtresa e ozonit është shumë e rëndësishme. Ajo mbron Tokën nga rrezatimi ultraviolet, rrezatim i cili mund të shkaktojë dëmtime serioze në lëkurë, siç është  shfaqja e kancerit. Në këtë aspekt ozoni mund të mendohet si barrierë. Pavarësisht kësaj, kjo shtresë lejon nxehtësinë dhe pjesën e mbetur të spektrit të dritës për të hyrë në brendësi të atmosferës, derisa takon sipërfaqen e Tokës. Një pjesë e ndriçimit absorbohet dhe një pjesë tjetër reflektohet. Në momentin që drita reflektohet, ajo ndryshon gjatësinë e valës. Tashmë vala e reflektuar, që përmban nxehtësi vetjake ka një gjatësi më të madhe; në këtë moment, me këtë lloj gjatësie ato valë e kanë të pamundur për të kaluar përtej shtresës së ozonit. Një efekt i ngjashëm ndodhë dhe brenda një sere. Panelet e xhamit kanë veti të ngjashme me shtresën e ozonit, referuar dritës së reflektuar. Kjo është arsyeja pse në momentin që futesh brenda një sere, gjithmonë ndihet një mjedis më i ngrohtë se mjedisi i jashtëm. Megjithëkëtë, duhet theksuar se nxehtësia e diellit nuk është aq e madhe sa të shkrijë akullin në pole. Edhe pse dielli ka rritur aktivitetin e tij rrezatues përgjatë mijëvjeçarëve të fundit, nxehtësia e tij është në nivele të tilla, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me shqetësimin tonë për ngrohjen globale. Tërësia e gazeve të çliruara në atmosferë janë ata që bëjnë diferencën për keq. Këto gazra kanë krijuar një shtresë të trashë poshtë shtresës së ozonit, duke shkaktuar një efekt negativ të dyfishtë. Nga njëra anë, këto gazra dobësojnë shtresën e ozonit duke e holluar atë. Kjo dukuri rrit rrezikun e krijimit të çarjeve brenda shtresës së ozonit. Këto vrima janë të rrezikshme, sepse lejojnë depërtimin e rrezeve ultraviolet në brendësi deri sa ato takojnë sipërfaqen e Tokës. Nga ana tjetër kjo shtresë gazrash vjen duke u dendur çdo vit, duke detyruar rrezet e reflektuara të qëndrojnë pranë sipërfaqes. Kjo do të thotë që këto rreze të ngrohta ndodhen aq pranë nivelit të oqeanit, saqë fillojnë të përthyhen nën ujë derisa të absorbohen plotësisht prej tij. E gjitha kjo shoqërohet me shkrirjen e akujve në pole dhe rritjen e përgjithshme të nivelit të oqeaneve. Gjithmonë e më shumë sot po vërehen dukuritë e krijimit të ajsbergëve pranë poleve, që nuk tregon gjë tjetër veçse tkurrjen e Oqeanit të Ngrirë të Veriut apo të Antarktidës në jug. Këto shenja duhet të shërbejnë si një sinjal i kuq rreziku, e cila duhet të vërë në lëvizje të gjithë shoqërinë tonë, duke qenë se ne jemi e vetmja specie, në gjendje për të sjellë një ndryshim; një ndryshim për mirë kësaj radhe.

Një tjetër efekt interesant i ngrohjes globale lidhet me mënyrën sesi Toka “vallëzon”. Vallëzimi nuk është gjë tjetër veçse lëkundja dhe rrotullimi i planetit rreth vetes, gjatë lëvizjes në orbitën rreth Diellit. Sipas NASA-s, shkrirja e shtresave të akullit ka ndryshuar shpërndarjen e ngarkesës në planet, duke ndryshuar pozicionin e polit të Veriut, së bashku me mënyrën sesi Toka lëkundet. Lëkundja e planetit, ndryshe e quajtur lëkundja polare, ka ndryshuar kursin e lëvizjes si pasojë e kësaj dukurie. Megjithatë duhet thënë se kjo dukuri nuk është veçse dukuri e interesit shkencor, duke qenë se nuk përbën ndonjë rrezik për tu shqetësuar apo për të marrë masa të caktuara në këtë drejtim. Prandaj le të jemi të qetë, sepse Toka do vazhdojë të “vallëzojë”; ajo do të vazhdojë t’i rrotullohet Diellit; deri në ditën që Toka do të përplaset në Diell. Megjithatë, edhe kjo dukuri nuk është për tu shqetësuar, duke marrë në konsideratë faktin se do të ndodhë miliarda vjet më vonë. Derisa të vijë ajo kohë, Toka, me shumë gjasa, do të jetë një planet pa jetë dhe njerëzimi do të pushojë së ekzistuari; vetëm nëse ne bëhemi mjaftueshëm të zgjuar për të gjetur një shtëpi të re. E përderisa kemi dëshirën për të jetuar dhe për të evoluar është e sigurt që do të mbijetojmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button