Viti 2013: Sa u përmirësua jetesa në Maqedoni?

Përqindje pozitive të rritjes ekonomike, zvogëlim i papunësisë, dalje e prodhimtarisë industriale nga zona negative – këto do të ishin performansat kryesore ekonomike për vitin që kaloi. Por sa nga këto parametra tregojnë se edhe realisht është përmirësuar kondicioni ekonomik i sektorit privat dhe standardi jetësor i qytetarëve? Komuniteti i biznesit dhe ekonomistët janë të njëzërit se viti 2013 mund të konsiderohet si vit i humbur kur janë në pyetje integrimet euroatlantike.

Një e treta e qytetarëve jetojnë me 1 dollar në ditë?

Nga lufta tregtare me Kosovën, importi i qumështit toksik nga Kroacia, deri te rritja e borxheve të shtetit dhe thellimi i deficitit buxhetor. Në vitin që kaloi, qeveria vazhdoi me “road-show”-at e njohur, nënshkroi marrëveshje me “Forbs”-in dhe “Financial Times”-in për promovimin e potencialeve investuese, dhe asnjëherë nuk zbuloi se sa na kushton kjo, e solli në vend indianin Subrata Roy – biznismen i cili është në hetime në vendin e tij për mashtrim. Në vitin 2013 – investitorët e huaj paralajmëronin marrjen e vendimeve për investime – ata të vendit edhe më tej luftonin për likuiditet. Edhe pse ekonomia arriti të realizojë rritje pozitive ekonomike – ambienti i përgjithshëm ekonomik nuuk ndryshoi në masë të madhe dhe vendi mbeti para dyerve të BE-së dhe të NATO-s, vlerësojnë biznesmenët.

“Ky vit ishte njëri nga vitet më kryesore, veçanërisht për drejtimin ekonomik që duheshte ta ndjekim si vend. Ishte shumë me rëndësi, posaçërisht për komunitetin e biznesit e cila u godit më së shumti nga kriza ekonomike gjatë këtyre viteve. Si trende pozitiv, mund t’i përmendim përpjekjet për ta stabiluzuar situatën ekonomike, ekonomia dalëngadalë ta luajë rolin e saj, gjegjësisht të mundësohet inkuadrimi i fuqisë së re punëtore. Por nga ana tjetër, për fat të keq, si shtet nuk arritëm ta tejkalojmë vetëveten, gjegjësisht të gjejmë zgjidhje adekuate për tejkalimin e kontestit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, që do të kishtre efekt të drejtpërdrejtë edhe mbi zhvillimin e ekonomisë. Kjo do të mundësonte hapjen e derës së NATO-s, që nga ana tjetër do të nënkuptonte, vend më stabil, rritje të interesit për investime të huaja në vend, rritje e fuqisë punëtore që është e inkuadruar në kapacitetet prodhuese të kompanive të reja, këmbim më i madh tregtar, e me këtë edhe ekonomi më stabile. Por për fat të keq, kjo nuk ndodhi” – vlerëson Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Në gjendje të kondicionit të dobësuar të sektorit privat, vendi edhe më tutje vazhdoi të jetë punëdhënësi më i madh. Performansat pozitive ekonomike nuk  e ndalën trendin e largimit të kuadorve të reja dhe të arsimuara dhe rritjen e jazit ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, konsiderojnë analistët.

“Si trend negativ në vitin 2013 do ta theksoja praninë gjithnjë e më të madhe të qeverisë dhe rolin dhe kontrollin e saj gjithnjë e më të fuqishëm në aktivitetet shoqërore, e veçanërisht në ekonomi dhe përzierjen e drejtpërdrejtë në punën e sektorit privat. Edhe pse ekonomia shënoi rritje, ajo mbetet e dobët dhe e brishtë. Nga ana tjetër, mospasja e alternativave dhe opcioneve për të rinjtë si rezultat i papunësisë dhe zvogëlimit të fuqise blerëse, dhe si rezultat i jetës gjithnjë e më të shtrenjtë të qytetarit e jep rezultatin përfundimtar e ajo është zhdukja e klasës mesatare në Maqedoni” – thotë për “Portalb”-in analisti Visar Ademi.

Në vitin 2013, qeveria e shpalli nivelin më të ulët të papunësisë prej 28,7%. Sa ky zvogëlim edhe realisht e ka ndryshuar pasqyrën e përgjithshme të papunësisë?

“Sipas të dhënave zyrtare statistikore, situata është e atillë siç tregohet, por duhet të konstatojmë se megjithatë ka një lloj përmirësimi edhe në aspekt të qarkullimit që e bënë kompanitë gjatë vitit 2013. Megjithatë, ka edhe një aspekt tjetër që nuk duhet të harrohet, e ajo është se rritje më të madhe ka shënuar ndërtmitaria, dhe mu në këtë sektor është regjistruar rritja më e madhe e numrit të të papaunësuarve. Për përmirësimin e gjendjes në këtë sektor, kontribut më të madh ka projekti famoz për deformimin e Shkupit. Kjo do të thotë se përmirësimi në sektorin e ndërtimtarisë u shndërrua në këtë aktivitet, që do të thotë se kemi rritje artificiale, për shkak se të gjitha aktivitetet zhvillohen në një hapësirë prej vetëm disa kilometrash katrorë”, vlerëson Halili.

Edhe pse papunësia u zvogëlua – problemi nuk u zgjidh, konsideron edhe Ademi.

“Qeveria me shkathtësi manipulon me informatën nga statistika, por fakt është se gjysma e popullatës aktive për punë punon në administratën publike që sipas meje është faktor brengosës. E nga ana tjetër, gjysma tjetër ose janë të papunësuar ose punojnë në ndonjë biznes të vogël ose mikro familjar, të cilat gjithnjë e më vështirë e arrijnë fundin e muajit” – thotë Ademi dhe shton:  

“Mbetet fakti se një e treta e njerëzve në Maqedoni jetojnë me më pak se 1$ në ditë (sipas Bankës Botërore) ndërsa dy të tretat me 2$ në ditë, që tregon se sa është përmirësuar gjendja financiare e qytetarëve të Maqedonisë.”

Edhe pse treguesit e ekonomisë janë pozitivë, sektori privat edhe më tej luftonte me likuiditietin dhe për kapital të freskët, vlerësojnë ekonomistët. Konkurrenca e ulët e prodhimtarisë vendore mbetet problem që pret zgjidhje. 

“Vitin e kaluar në pjesën promotive të qeverisë, dua ta theksoj fushatën për përkrahjen e inovacioneve dhe ndërmarrësisë që kishte për qëllim të ngritet dhe të përforcohet pragu institucional i kompanive. Por duhet menduar për gatishmërinë e kompanive të Maqedonisë të luftojnë në mjedis konkurrent (nëse duam që produktet tona të gjenden në tregjet e huaja dhe të dominojnë në tregun vendor). Krijimi i kompanive me profesionalitet të lartë, të orientuara drejt shfrytëzuesit dhe profitabile do të kontribuojë shumë për zhvillimin e sektorit real, si dhe për krijimin e vendeve të reja të punës” – konsideron profesor Taip Jakupi dhe shton se bankat duhe të kenë rol më të madh në përforcimin e sektorit privat. 

“Mendoj se ka nevojë të rritet kapaciteti i Bankës maqedonase për përkrahjen e eksportit. Te bankat komerciale patjetër duhet të bëhet transformimi, para së gjithash përparësi t’u jepet bankave me kapital të rrezikshëm, si dhe fondeve investuese ku vlen deviza “Ideja është kapitaë ndërsa paratë janë te bankat”, që do t’u mundësojë të gjithë të rinjve me ide ndërmarrëse ardhmërinë ta shohin këtu e jo jashtë vendit” – sqaron Jakupi.

Sipas projektimeve të qeverisë, trendi pozitiv ekonomik i këtij viti do të përcillet edhe në vitin 2014, për kur është projektuar rritje e PBB-së prej 3,2%.
Aneta Dodevska, Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button