Pse Opinioni 88 i Venecias po zvarrit reformën shqiptare në drejtësi

Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, anëtar i Komisionit të Reformës për Drejtësi, deklaroi sot se kriza politike në vend për mosmiratimin e reformës në drejtësi është bllokuar pikërisht në pikën 88 të opinionit të Komisionit të Venecias.

Nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook mëngjesin e të enjtes, Majko në argumentimin e tij shprehet: “Ajo është pika 88 e këshillave të Komisionit të Venecias, ku thuhet: “Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”.

Majko rendit argumentet, ku shprehet se 1-“Nëse del dikush nga PD dhe i shpjegon publikut se ku, si dhe për çfarë nuk është rënë dakord në Komisionin e Reformës lidhur me shumicën e cilësuar me të cilën fillon pika 88 “e shenjtëruar” nga opozita, atëherë pse nuk del dikush nga ekspertiza ndërkombëtare që ka marrë pjesë në të gjitha diskutimet e regjistruara në Komision dhe të akuzojë mazhorancën për këtë “mungesë”përgjegjësie” karshi këshillave të Komisionit të Venecias?! 2- Nëse opozita ka kaq të drejtë dhe mazhoranca është kaq “kokëfortë dhe e papërgjegjshme” për zbatimin e pikës 88 të Komisionit të Venecias, përse nuk bien dakord palët që të bashkojnë votat në Kuvend dhe dy alternativat të shkojnë në Referendum”.

Në vijim, Majko argumenton duke pohuar: “3- Nëse PS ka qëllim që të “kapë” sistemin e drejtësisë, kaq naiv qenka Perëndimi (SHBA dhe BE) që nuk i bashkohet opinionit të opozitës për këtë çështje?! 4- Nëse PD pretendon t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme elektorale, pse shqetësohet se do të ‘kapet’ sistemi i drejtësisë në një reformë drejtësie që do të dojë disa vite për t’u aplikuar dhe do të drejtohet nga ekspertiza ndërkombëtare? 5- Nëse ka gjykatës dhe prokurorë kaq të veçantë, që po u propozuan nga partitë politikë, do të garantojnë një reformë drejtësie më të ndershme e të “pakapur” sesa ajo e miratuara në Komisionin e Reformës dhe ekspertiza ndërkombëtare?!”.

“6- Nëse e gjitha dhe të gjithë janë të “gabuar” dhe opozita ka të drejtë, a ia vlen ta lësh vendin sot në grupin e shteteve të dështuara dhe jashtë Bashkimit Europian?! 7- Nëse besoni në çfarë doni, ju lutem a mund të e na thoni si e doni vërtet atë që kërkoni miq, kolegë, vëllezër dhe kundërshtarë në opozitë që ta a dimë çfarë u kemi apo do të na e keni borxh për sot e nesër, atyre që janë dhe atyre që do të vinë në jetë për të banuar në këtë vend? 8- Nëse ia vlen vërtet kaq shumë kjo që po bëni, a mund ta shkruani se si e kuptoni të ardhmen për vendin që doni të qeverisni, nëse e keni këtë qëllim në zgjedhjet e ardhshme elektorale dhe të vendosni një “titull” në të?”, shkruan Majko.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button