Haradinaj: SHIK-u dhe UDB-ja i shkaktuan humbjen AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Kosovapress, vitin 2013 e ka vlerësuar si vit pune dhe sfidash. Por, jo vit i ndonjë suksesi të madh për Kosovën.

Pavarësisht se akuzon kundërshtarët politikë për fushatë jo korrekte, duke thënë se SHIK-u i PDK-së dhe UDB-të e partive të tjera, ia kanë shkaktuar humbjen e AAK-së, ai zgjedhjet e fundit i ka cilësuar të rregullta.

Edhe pse zgjedhjet e 3 nëntorit nga Hardainaj u cilësuan si sukses për Kosovën, për partinë e tij ndodhi e kundërta.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkundër se i ka fituar tri komuna; Deçanin, Junikun dhe Obiliqin, ka humbur komunat më të mëdha në të cilat ka qeverisur, Gjakovën, Pejën, Suharekën dhe Rahovecin. Shkak i këtyre humbjeve, sipas Haradinajt, ishte qasja e tyre në përkrahjen e temave nacionale, apo përkrahja e Qeverisë në disa raste si dhe SHIK-u i PDK-së dhe UDB-ja e partive të tjera.

“Mendoj se janë disa argumente, fakte të cilat kanë sjellë deri te humbja. Disa kanë të bëjnë me qasjen tonë në politikat nacionale me përshkrimin e përkrahjes tonë ndaj temave nacionale si përkrahja e Qeverisjes në raste të caktuara.

Ka të bëjë me degradimin e Qeverisë, me mos punën tonë në raste të caktuara në qeverisjen komunale dhe, po ashtu, me kampanjat e kuzhinave të disa individëve politik”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka shtuar se për deklaratat që i ka thënë se SHIK-u i PDK-së dhe UDB-të e partive të tjera, e kanë shkaktuar humbjen e AAK-së, në disa komuna, ka prova se i di format me të cilat ata kanë ndikuar.

I pari i AAK-së, ka thënë se, përkundër mbështetjes që ia kanë dhënë disa subjekte politike AAK-së në formë të hapur, prapa skenës kanë punuar me grupe të tjera në mënyrë të fshehtë për t’i shkaktuar humbjen, transmeton KP.

“Kam thënë se SHIK-u i PDK-së e UDB-jat e partive të tjera kanë bashkëvepruar në raste të caktuara me i shkaktuar humbje Aleancës. Edhe kjo ka ndodh në disa komuna, në disa vende. Kemi prova, e kemi parë bashkëpunimin zyrtarisht, formalisht ose në formë të hapur të strukturave të caktuara të një partie. Na kanë dhënë mbështetjen, në prapaskenë grupe të caktuara, njerëz të caktuar të këtyre strukturave kanë punuar në të kundërtën e subjektit të vet. Kanë pas marrëveshje të fshehta dhe i kanë zbatuar. Këtë e kemi jo vetëm me prova, por e dinë njerëzit në terren, e dinë vet strukturat e subjekteve politike për çka e kam fjalën”, ka shtuar Haradinaj.

Haradinaj ka treguar se është duke kërkuar ndihmën e ligjit që t’i sqaroj deklaratat e kryetarit të ri të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili ka thënë se ka pasur presion, shantazh dhe kërcënim nga Ramush Haradinaj.

Lideri i AAK-së ka sqaruar se do t’i kundërpërgjigjet çdokujt që e “hap gojën në publik”.

“Ai ka bërë deklarime të tilla të vazhdueshme para zgjedhjes së tij si kryetar i Pejës.

Kanë përdor dhe bashkëpunuar me të gjitha kuzhinat e mundshme. Ato le të mbeten në ndërgjegjen e tyre çka kanë bërë, por unë, kam kërkuar ndihmën e ligjit që të sqaroj çka janë këto, pse i bëjnë dhe kush janë njerëzit që i bëjnë.

I kam thënë dhe e përsëris edhe një herë se çdokush që e hap gojën në publik nuk ka me e lanë pa i dhënë sqarimet e nevojshme se a është ajo e vërtetë që po e thotë kushdo qoftë, ai dhe kush është ai që po e thotë”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka thënë se në Kosovë ende ka shumë njerëz që janë të ndërlidhur me shërbimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë.

“Në Kosovë, plot ki njerëz që janë të ndërlidhur ende me ish shërbimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë, se kanë jetuar 50 vjet këtu. Ka në Kosovë plot rryma politike që kujtojnë se Kosovës mundet me ju dhanë një kahje tjetër. Kjo ka vdekë në 99-tën. Kosova duhet m’u reformuar, m’u zhvillu standardi reformues, të trokitet për anëtarësim në Evropë”, ka shtuar ai.

Brenda një periudhe të shkurtër, Haradinajt i’u kanë hapur shumë konflikte.

E konflikti i radhës është themeluesi i LISBA-s, Fuad Ramiqi, dhe personat e anëtarësuar në të që Haradinaj i pati quajtur “Flliqtana me mjekra”.

Ai, ka thënë se në Kosovë ka tendencë që me i’u imponuar qytetarëve të vendit, jetës shoqërore, normat, standardet dhe vlera, të cilat nuk janë shqiptare.

Ai ka thënë se këto imponime janë fonde që vinë nga Beogradi dhe që e rrezikojnë Kosovën dhe shumë njerëz bien viktimë e tyre.

“Kryesisht janë fonde që vinë nga Beogradi, janë agjenda që me e prezantuar Kosovën si një rrezik për të tjerë janë fonde të zeza janë indirekt, janë mekanizma për me e penguar Kosovën në rrugën e vet.

Plot qytetar të Kosovës bien viktimë e tyre se është një skamje, jetë e vshtirë, e rëndë, ta keqpërdorin gjendjen e njerëzve tonë, ta keqpërdorin pamundësitë e njerëzve tonë me kriju perspektiva në jetë, dhe i shkaktojnë probleme vendit, vetës dhe shoqërisë që si të tillë janë kryesisht këta, rasti konkret për zotërinë merreni biografinë dhe e shihni se kush është ai”, ka deklaruar Haradinaj.

Negociatat, Refoma dhe rezervimi i ulëseve në Kuvend

Kryetari i partisë, e cila radhitet e katërta në nivel vendi, ka thënë se është i interesuar për përmbylljen e procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë, se i kanë dhënë mundësi dhe përkrahje dialogut si opcion me zgjidh gjendjen në veri, me shtri juridiksionin.

Edhe pse është shprehur i kënaqur me rezultatet që janë arritë në këto bisedime, ajo çka e shqetëson është vazhdimi apo përsëritja e tyre.

Ai ka treguar se ka kërkuar nga kolegët që marrin pjesë në dialog, që të shterohet dialogu, dhe të vazhdojnë vetëm me marrëdhënie fqinjësore Kosovë-Serbi dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes.

“Ne nuk e shohim se çka do t’i ndihmojmë Kosovës më tutje, me vetëm mbajtjen hapur të bisedimeve.

Ne kemi pasur vullnet dhe gatishmëri me përkrah tema, juridiksionin, normalizimin e veriut, funksionalizimin e rendit dhe ligjit në veri, por nuk dimë më tutje pse duhet me mbet.

Jemi të interesuar, edhe një herë po e them, jo me ndërpre dialogun, me ndal dhe me lënë pa epilog, por jemi të interesuar me shteruar, përmbyll, në mënyrë që ato që janë arritë përmes dialogut, me mujt me i zbatuar dhe përvetsuar në terren”, ka thënë Haradinaj.

Aleanca, si mundësi të hapur për përkrahje e ka lënë edhe kërkesën e minoriteteve për rezervimet e ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka pohuar se për një mandat, AAK-ja, do të jetë pro rezervimit të ulëseve në mënyrë që t’i falënderoj minoritetet që kanë qëndruar në Kosovë dhe nuk e kanë penguar Kosovën në shtetbërje.

“Me qenë se do të kemi përfaqësues nga veriu në Kuvendin e Kosovës, kishim pas dëshirë me ju shpreh një falënderim përfaqësuesve të komuniteteve etnike në Kosovë, të cilat kanë qenë konstruktiv, kanë ndihmuar Kosovën deri më sot.

Pra, të mos i dëmtojmë, se ata janë pjesë e Kosovës”, ka pohuar Haradinaj.

Ndryshe, i pari i AAK-së nuk ka bërë me dije se a do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme për postin e kryeministrit, por ka thënë se do të kandidoj si kryetar i AAK-së, në mënyrë që ta marrë besimin e qytetarëve të vendit.

Ai ka thënë se do të qeverisë me duar të pastra, me modelin 100 ditësh, siç e pati praktikuar në vitin 2005.

Por, a do të bëjë koalicion me ndonjë subjekt politik, nuk dihet. Meqenëse Kadri Veseli, nga PDK-ja, pati thënë se nuk do të bënte koalicion me AAK-në, dhe nuk do të dëshironte që Haradinaj të jetë kryeministër në Qeveri me Thaçin, Haradinaj ka thënë se, “Nuk dëshiroj t’i komentoj deklaratat e zotëriut në fjalë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button