Pse nuk dobësohemi dot kur mundohemi kaq shumë?!

Përse dietat po na shëndoshin në vend të dobësimit? Lexojeni shpjegimin e ekspertes.

Kur Sandra Aamodt flet rreth dietave, njerëzit dëgjojnë ose ndonjëherë nuk duan të mësojnë se çfarë ndodh në të vërtetë me efektin e kundërt që sjell kufizimi i ushqimit apo nënshtrimi ndaj një diete të caktuar.

Aamodt është një neuroshkencëtare, shkrimtare dhe ish-redaktore e një reviste të njohur mbi kërkimet e trurit. Ajo gjithashtu është bërë një mbështetëse e fortë e mesazhit se dietat tradicionale nuk funksionojnë dhe shpesh e lënë një person që i mban më keq se më parë. Ajo është gjithashtu një mbështetëse e fortë e ngrënies me vetëdije.

“E përcaktoj si një ushqim i ngrënë me vëmendje dhe gëzim, pa asnjë gjykim”, tha Aamodt në një intervistë. “Kjo përfshin vëmendjen ndaj urisë dhe ngopjes, për të përjetuar ushqimin dhe efektet që ai ka në trupin tonë”.

Edhe nëse nuk keni dëgjuar më parë për të, me siguri do të dëgjoni. Libri i saj i ri “Përse dietat na shëndoshin”, do të ndryshojë debatin botëror për humbjen e peshës. “Unë jam një terapiste e specializuar në problemet e të ngrënit dhe mes klientëve të mi” shpjegoi Aamodt, që e ka kthyer përqendrimin nga humbja e peshës në kujdesin për veten.

Shumica e klientëve hezitojnë të pranojnë argumentin e saj qendror: se pesha e trupit tonë priret të qëndrojë në “pika të caktuara” nga 4-6 kilogramë në varësi të trurit, pavarësisht përpjekjeve tona për ta ulur peshën.

Megjithatë, kur e shohin se si teoria e pikave të caktuara reflekton në eksperiencën e dietës së tyre, ata kuptojnë se megjithëse nuk kanë në dorë pjesën kryesore të peshës së tyre (pasi e ka truri), klientët kuptojnë që kanë influencë përmes ushtrimeve trupore dhe aktiviteteve që i bëjnë mirë shëndetit dhe rrisin mirëqenien.

Sigurisht, ka pasur shumë studime mbi virtytet e kthimit të të ngrënit në meditim. Nuk është çudi që Aamodt mbulon të njëjtën çështje, por ajo shkruan me më tepër arsye shkencore përse të ngrënit dhe pesha janë bërë një problem kaq i madh dhe ka shumë pak strategji që funksionojnë për t’i zgjidhur ato.

Për shembull, mbajtja e dietës çon në shtim të peshës, shpjegon ajo, sepse është stresuese. “Hormonet e stresit veprojnë mbi qelizat e dhjamit për të shtuar dhjamin në stomak. Për më tepër, ankthi dhe stresi për peshën, çojnë në konsum impulsiv të ushqimeve më vonë dhe shtojnë kështu kilogramët”, tha shkencëtarja.

Në fëmijëri Aamodt donte gjithashtu të ishte e dobët. Ashtu sikurse shumë adoleshente të tjera që e urrejnë trupin e tyre prej standardeve të bukurisë jashtë normales, ajo filloi të mos hante shumë dhe përfundoi në rrethin vicioz të dietës dhe problemeve me të ngrënin.

Pas tri dekadash, në vitin 2010 ajo më në fund ndau mendjen të thyejë ciklin. “Ndërsa fillova të kontrolloj studime që tregojnë se pothuajse të gjithë dietat çojnë në rënien nga pesha dhe pastaj fitim të saj për të vazhduar sërish dietën për t’u dobësuar e kështu me radhë, kuptova se historia ime ishte e zakonshme. Kjo vjen zakonisht ngaqë truri punon për të mbrojtur individin nga vdekja prej urisë”, thotë ajo.

Ndaj ajo u përshtat me të ngrënit e vetëdijshëm, humbi rreth 5 kilogramë pa dietë dhe në vitin 2013 doli në një konferencë TED për të ndarë historinë e saj. Më shumë se 3.5 milionë shikues e kanë parë diskutimin e saj.

Sipas Aamodt, pikat e caktuara variojnë nga njëri person te tjetri, por në përgjithësi shtohet më lehtësisht sesa pakësohen. Është e mundur që dieta të japë efekte pozitive për vite, por është thuajse a pamundur të mbahet pesha e fituar prej saj për shumë kohë. Kjo ndodh sepse truri është i programuar për të mbijetuar dhe nuk e sheh kurrë rënien në peshë si një normale. Truri është i vendosur ta fitojë atë peshë sa më shpejt të mundet.

Teoria e pikave të caktuara nuk është e re, ajo ka qarkulluar që prej vitit 1982. Por pikëpamja neuroshkencore e Aamodt mbi këto përcaktime i ka rikthyer ato në tavolinën e bukës.

Në librin e saj të ri, Aamodt e zgjeron diskutimin e saj 12-minutësh për TED dhe arsyeton më gjerësisht se dietat nuk janë normale për trupin dhe se njerëzit duhet të përqafojnë konsumin e vetëdijshëm të ushqimit dhe sjellje të tjera që përmirësojnë dhe zgjasin jetëgjatësinë tonë.

Sistemi rregullues i peshës në trurin tonë do të mbajë një peshë të qëndrueshme dhe të shëndetshme nëse lejohet të bëjë punën e vet pa ndërhyrë me dieta dhe strategji të tjera të dobësimit. Rekomandimi i saj më i mirë? Mjaft u përqendruat te pesha dhe filloni të përqendroheni tek ushtrimet e rregullta trupore, zgjedhjet e shëndetshme ushqimore dhe pakësimi i stresit.

“Derisa ndalova së mbajturi dietë”, shkruan ajo, “nuk e kisha kuptuar se sa stresuese ishin kthyer vaktet për mua, se sa keq më dukej se po e dëmtoja veten me ushqimin që po konsumoja”, tregon ajo.

Në fund, rezultoi se lënia e dietës ishte kursim i energjive mendore të çuara dëm në përpjekje për të kontrolluar peshën dhe një nga vendimet më të mira të Aamodt.

Ndërsa ekspertja sugjeron se konsumi i ushqimit me vetëdije nuk çon domosdoshmërisht në humbje të peshës, ai mund të çojë në pakësimin e energjive të çuara dëm dhe në krijimin e një marrëdhënieje të mirë me ushqimin.

Kjo marrëdhënie fillon herët ndaj ajo shpreson që prindërit të jenë ndër të parët që ta zbatojnë këtë gjë te fëmijët e tyre. Mësimi i ushqimit në mënyrë të vetëdijshme mund të jetë diçka e çuditshme për ata që janë mësuar të mbajnë vazhdimisht dietë.

“Më parë kisha probleme me kuptimin e kohës kur më kishte marrë uria dhe telashe në zbulimin e ngopjes së trupit nga ushqimi përpara se ta kisha tepruar, por më pas ia mora dorën”, sqaron ekspertja.

“Zbulova se nuk i pëlqeja disa nga ushqimet që përdorja për të tradhtuar dietën time si patatinat dhe petullat”, thotë ajo. “Por ha ende ëmbëlsira, pasi kjo është shumë normale”, sugjeron Aamodt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button