Zhuta boksieri më i mirë në Maqedoni

Federata e boksit te Maqedonisë (FBM) ka shpallur boksierin shqiptar nga Struga, Fatlum Zhuta, për herë të dytë si më të mirin e Maqedonisë. Shpallja është bërë në manifestimin tradicional sportiv që organizohet në çdo fundvit. 

Kjo meritë Zhutës i ka takuar pas rezultateve të mira që ka shënuar gjatë vitit 2013, duke u stolisur me medalje bronzi në Lojërat mesdhetare në Mersin të Turqisë dhe duke u shpallur kampion i i Maqedonisë. 

Në mungesë të Zhutës, i cili gjendet në kampin “Daniel Boxing Scool” në Alaskë të SHBA-ve, për meçin debutues në boksin profesionist, trofeun e mori nënkryetari i FBM-së, Faton Salihu.

Në fillim të programit fjalë rasti mbajtën kryetari i FBM-së, Vojo Nastevski dhe nënkryetari Faton Salihu, i cili të pranishmëve iu drejtua në gjuhën shqipe.  

“Mirë se keni ardhur në manifestimin e sotëm sportiv me rastin e shpalljes së boksierëve më të mirë për vitin 2013. Fillimisht përshëndes kryetarin e Federatës së boksit të Maqedonisë, Vojo Nastovski, mysafirët e tjerë si dhe përfaqësuesit e mediave.  Viti 2013 është vit që mund të konsiderohet si i suksesshëm për ne, duke marrë parasysh kushtet në të cilat kemi punuar, por mbesim me shpresë se ne vitin e ardhshëm do të sjellim rezultate edhe me të mira”, tha Salihu.

Në garat ekipore klubet më të suksesshme u shpallën: KB Bargalla nga Shtipi, i dyti KB Shkupi dhe i treti KB Shkëndija nga Tetova, ndërsa vendin e parë për sukseset e arritura në garat ndërkombëtare e zuri po KB Bargalla, i dyti Ohri dhe i treti KB Sindi nga Struga. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button