Abdylaqim Ademi paralajmëron mbyllje të fabrikës së Jugohromit

Nëse deri në prill të vitit 2014 fabrika e Jugohromit e cila është një nga ndotësit më të madh të Pollogut, nuk vendos filtra në oxhaqet e saj, kjo fabrikë do të mbyllet. Kështu tha sot ministri i ambientit jetësor, Abdylaqim Ademi i cili ishte në Tetovë në takim me organizatat jo qeveritare të Tetovës dhe rrethinës për çështjen e ajrit të ndotur në këtë regjion.

“Te gjitha ato fabrika dhe ndërmarrje që nuk i plotësojnë kushtet sipas ligjeve për mbrojte të ambientit jetësor do të sanksionohen. Kombinati Jugohrom deri më tash nuk ka ndërmarrë asnjë masë për investim për të punuar në drejtim të mbrojtjes së ambientit nga ndotja që e bën. Një investim i tillë do kohë dhe sipas gjitha gjasave fabrika do të mbyllet deri më 1 prill. E dimë se ky kombinat ushqen një mijë familje por nga ana tjetër ai ndot ajrin e 400 mijë banorëve të Pollogut. Prilli është afati i fundit që kjo fabrikë të instalojë filtrat në oxhaqet e saj” tha sot Ademi, transmeton Portalb.

Deri në prill ka edhe katër muaj ndërkohë që qytetarët do të vazhdojnë të helmohen nga ajri i tej-ndotur nëpër qytetet më të mëdha në vendit.

Edhe sot në bazë të të dhënave të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, në Shkup, Tetovë dhe Kërçovë gjendja është alarmante për sa i përket ajrit të ndotur. Prezenca e grimcave ‘PM-10’ rezulton shumë më lartë kufirit të lejuar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button