Mos e beso po deshe: Lagjja e Xhamisë së Korçës e paprekshme nga tërmetet

E enjte, 28 janar 1931, ora 07.18 minuta, Korça u trondit nga një tërmet i fuqishëm. U shembën shtëpi, kisha, dyqane, banka, shtylla elektrike, shkolla etj. Mijëra veta mbetën pa asnjë strehë. Pati të vdekur dhe të plagosur. Fatkeqësia ishte e madhe. Shumë njerëz u nisën drejt katundeve në kërkim të një strehe tek të njohurit dhe miq të tyre. Qeveria urdhëroi ngritjen e çadrave. Pritej ardhja urgjente e ministrave nga Tirana. Nëna Mbretëreshë, Sadija, shprehu hapur shqetësimin e saj për banorët e dëmtuar nga tërmeti. U premtoi ndihmë financiare. Më e dëmtuar nga gjithë zonat rezultoi “Lagjja e Re” e cila shtrihej përgjatë bulevardit “Shën Gjergji”, në krah të djathtë të tij. Lagjja ishte krijuar gjatë viteve 1880 nga banorë të ardhur prej fshatrave përreth Korçës. Banesat e saj ende nuk i kishin mbushur 50 vite, por tërmeti shembi shumë prej tyre. Dëmi llogaritej në rreth një milionë franga ari. (Vetëm për këtë lagje). Të dëmtuara kishin mbetur edhe lagjet “Barçi A”, “Barçi B”, “Manço”, “Mano”, “Qiro” etj.

1

Befas u vu re se vetëm “Lagjja e Xhamisë” nuk kishte pësuar dëme. Pasojat ishin minimale. Të gjithë mbetën të habitur. Nuk donin ta besonin, por ishte e vërtetë. Më pleqtë thanë se Korça kishte përjetuar tërmete të fuqishme kohë pas kohe, por “Lagjja e Xhamisë” gjithnjë kishte mbetur e paprekur. Kështu kishte ndodhur edhe në tërmetin e 20 tetorit 1782, edhe në atë të 9 majit 1879. Deri atë ditë nuk ishte gjetur asnjë dokument që të fliste për rrënim të pazarit apo banesave për shkak të tërmeteve, qoftë kjo edhe në shekujt e mëparshëm. Pleqtë ishin të sigurtë se e njëjta gjë do të ndodhte edhe me tërmetet që mund të ndodhnin në të ardhmen. “Lagjja e Xhamisë”, ose qyteti i Korçës ku jetonin myslimanët, ndaheshin prej shekujsh nga fshati Peskëpi ku jetonin ortodoksët, vetëm nga lumi i Moravës. (Tashmë dy vendbanimet mbanin të njëjtin emër – Korça). Mos vallë ishte shtrati i lumit ai që nuk lejonte përhapjen e valëve të tërmetit edhe në anën tjetër të tij! Arsyet mund t’i shpjegonin vetëm specialistët e sizmiologjisë. Fjalën e tyre do ta sjellim në vijim të këtij shkrimi.

Çudia u bë edhe më e madhe, kur u mor vesh se nga tërmeti ishin dëmtuar edhe fshatra të tjerë, pranë dhe larg Korçës, ndërsa vetëm “Lagjja e Xhamisë” kishte mbetur pothuajse e pacenuar, njësoj sikur të kishte qenë një ishull i mbrojtur nga një fuqi e mbinatyrshme.

Dikush mund të thotë: e gjitha kjo histori ngjason me një përrallë që nuk mund të merret aspak në konsideratë. Atëherë, nëse keni durimin ose kënaqësinë t’i shkoni rrëfimit deri në fund, ju sigurojmë se do ta gjeni përgjigjen mbi të vërtetën e këtij misteri.

Tashmë po u referohemi fakteve. Banorët e Korçës u kapën nga tërmeti në befasi:

“…Kur ja, papandehur fare, një lëkundje e rëndë, e gjatë, e egër, e tmerrshme, tronditi një Korçë të tërë që në themelet më të thella. U rrëzuan oxhaqe, u rrëzuan mure, u plasën, ranë dhe u shkatërruan me qindra e qindra shtëpi… dëgjoheshin  klithmat, thirrjet e bërtitjet e fëmijëve të tmerruar, e çupave, e djemëve që shikonin varrin (vdekjen) me sy, e grave që thërrisnin për ndihmë, e burrave… lumturisht viktimat janë të pakta… Dëmet materiale në Korçë arrijnë në 3.000.000 franga ar. Pothua të tëra (banesat) të dëmtuara. Nga këto 1.000 janë krejt të pabanueshme. Katastrofën më të madhe e pësoi qendra e qytetit, e cila prezanton tani një pamje me të vërtetë të trishtë… (Në këtë kohë, si “qendër e qyteti” konsideroheshin dy anët e bulevardit “Shën Gjergji). 

(“Gazeta e Korçës”, 29 janar 1931)

 

Të njëjtat burime pranuan edhe çudinë që kishte ndodhur në “Lagjen e Xhamisë” së Korçës:

“Lëkundja duket se qe pak në treg, në Kasaba, dhe nëpër mëhallat e sipërme të Korçës”. (“Gazeta e Korçës”, 29 janar 1931

Në të vërtetë vetëm “Lagjja e Xhamisë”, ose vetëm pjesa e qytetit në të majtë të lumit të Moravës kishte mbetur e paprekur, pasi edhe mëhallat e sipërme të Korçës, kishin pësuar dëme të mëdha. Kështu kishte ndodhur edhe me lagjen “Barçi A”, që njihet si një nga lagjet e sipërme të qytetit. Dëmet llogariteshin në rreth 800.000 franga ari. (bëhet fjalë vetëm për lagjen në fjalë).

Gjendja ishte vërtet alarmante: një pjesë muri e Bankës Kombëtare ishte rrëzuar mbi dyqanin e Petro Rrëmbecit, shitësit të qumështit dhe i kishte marrë jetën. Kisha e Shën Sotirit ishte shembur dhe shërbëtori i saj ishte plagosur rëndë. Nga investigimi i kryer rezultoi se ishin gjetur të meta konstruksioni në të dy kambaneritë, gjë kishte sjellë shembjen nga tërmeti. Kisha e Shën Gjergjit kishte mbetur pa kambanorjo dhe pa kubenë e mesit. Njerëzit po e braktisnin qytetin:

“Shumë familje shkuan dije nëpër katunde të terrorizuar nga lëkundjet e vazhdueshme. Sot me aeroplan arriti këtu drejtori i përgjithshëm i Kryqit të Kuq shqiptar, dr. Qemal Jusufati dhe i dërguari i kryeministrit. Arritën në mbrëmje deputetët e Korçës Xhafer Ypi, Llambi Bimbli, Kristaq Kosturi dhe Teufik Mborja…” 

(“Gazeta e Korçës”, 29 janar 1931)

 

Gjithçka që kishte ndodhur me qytetin e Korçës u bë e njohur muaj më vonë. Vlera e dëmit llogaritej në 2.467.874 franga ari:

  1. Lagjja Penço 150. 635
  2. Lagjja Barç A 796. 670
  3. Lagjja Barç B 36. 180
  4. Lagjja Radanec 37.049
  5. Lagjja Qoshk 62. 050
  6. Lagjja Varoshi Poshtë 91. 640
  7. Lagjja Manço 12. 240
  8. Lagjja Treg 73. 600
  9. Lagjja Mano 46. 755
  10. Lagjja Manto 69. 210
  11. Lagjja Qiro 56. 200
  12. Lagjja Kulla e Hirit 4. 270
  13. Lagjja  Lumë + Sahati 177.100
  14. Lagjja e Re 936.650

(“Gazeta e Korçës”, e enjte, 14 maj 1931)    

Pra, nga sa vihet re më sipër, dëmtimet më të majtë të lumit të Moravës, ku përfshihen lagjet “Lumi” ose “Lagjja e Xhamisë”, “Sahati”, “Qoshku”, “Tregu” “Radaneci”, dhe “Kulla e Hirit”, shkojnë në 354 mijë franga ari, kurse në pjesën tjetër të qyteti kjo vlerë shkon në 2.113.805 franga ari.

Ndërkaq në Korçë kishin mbërritur edhe specialistët e sizmiologjisë. Në raportin e hartuar prej tyre, “Lagjja e Xhamisë” së Korçës rezulton rezistente ndaj tërmeteve.  Këtë të vërtetë, duke qenë fakt zyrtar, banorët e Korçës e përmendnin shpesh:

“… sipas raporteve të gjeologëve e të sizmiologëve që vizituan vitin e shkuar qytetin tonë në kohën e tërmetit, toka më e shëndoshë dhe më antisizmike ishte vendi që ndodhet nga juglindja e qytetit…” (Pra, pjesë e qytetit më të majtë të lumit të Moravës).

(“Gazeta e Korçës”, e martë , 4 prill 1932)

 

Paprekshmëria e “Lagjes së Xhamisë” nga tërmetet, tashmë ishte fakt. Tërmeti kishte prekur zona të tëra të rrethit korçë, ndërsa “Lagjja e Xhamisë”, vijonte të qëndronte e palëkundur. Ja si paraqitej gjendja jashtë qytetit të Korçës: Në Polenë ishte vrarë një plak, një djalë 4 vjeç dhe një foshnjë 6 – muajshe. Babai Vasil Viso dhe nëna e fëmijëve të vrarë, kishin mbetur të plagosur. Vithkuqi rezultonte me 3 shtëpi të rrëzuara dhe 2 të plagosur, Shipska me 12 shtëpi të rrëzuara dhe 23 të dëmtuara, Gjonomadhi me 62 shtëpi të rrëzuara, Lavdari nga 142 shtëpi që kishte, 70 ose ishin rrëzuara ose ishin çarë, Mborja me një 1 shtëpi të rrëzuar dhe  7 të çara, Polena nga 105 shtëpi që kishte, 95 prej tyre ishin çarë ose ishin rrëzuar.

(Referuar “Gazetës së Korçës”, 3 shkurt 1931)

 

Të dëmtuara rezultonin edhe fshatra të tjera: Bulgareci me 10 shtëpi të rrëzuara dhe 60 të çara, Ravoniku me 12 shtëpi të pabanueshme, Kolaneci me 3 shtëpi të pabanueshme, Dërsniku me 14 shtëpi të pabanueshme, Pulaha me 6 shtëpi të pabanueshme, Goskova me 16 shtëpi të pabanueshme dhe Vinçani me 16 shtëpi të pabanueshme. Numri i të plagosurve kishte shkuar mbi 40.

(Referuar “Gazeta së Korçës”, 5 shkurt 1931)

 

Numri i shtëpive të të dëmtuara në qytet shkonte 2.830, nga të cilat: të shkatëruara 80, të pabanueshme 350, të dëmtuara rëndë 400, të dëmtuara lehtë 2000, kurse në katunde gjendja ishte kjo: të pabanueshme e të shkatërruara 302. Gjithsej shtëpi të dëmtuara në qytet dhe katund 3.132.  Popullata e vendosur nëpër baraka rezultonte kështu:  në Korçë, 53 baraka 4000 frymë; në 160 çadra 1000 frymë; në 30 baraka private 5000 frymë. Gjithsej 10.600 frymëNëpër katunde, popullsia e vendosur nëpër baraka 1.220Në Korçë dhe katunde, gjithsej 11.820 frymë.

Si në të gjitha tërmetet, e paprekur kishte mbetur vetëm “Lagjja e Xhamisë”:

“Më 20 tetor 1782 ditën e shtunë (në Korçës) ra tërmet i madh nga i cili u prishën gjithë oxhaqet e Korçës. Më 9 maj 1879, ditën e hënë, ora dy e gjysëm para mesdite, ndodhi kështu një tërmet i tmerrshëm, i cili shkatëroi rreth dymijë oxhaqe, çau disa shtëpi sidomos pësuan dëmtime të rëndësishme shtëpitë e Petro Milit, Pandeli Zografit, Dh. Kërmëzit dhe vëllezërve Mosko. Gjatë këtij tërmeti ndodhi dhe vdekja e një gruaje prej familjes së Naum Mushos, e cila kur po dilte nga shtëpia u pllakos prej oxhakut të shembur të shtëpisë së saj. Pas këtij tërmeti, lëkundjet vazhduan rreth dy muaj, gjatë të cilave vazhdonte dhe një thatësirë gjithashtu e tmerrshme, nga shkaku i së cilës u përhapen edhet (ka mundësi malarja) dhe ndodhën vdekje”

(Ilia Ballauri, “Korça Encyclopedica”, vol. 2, f. 31)  

Nga sa shihet më sipër, nuk përmendet qoftë edhe një emër i vetëm nga lagjet e Xhamisë së Korçës, ose të pjesës më të majtë të lumit. Që kjo lagje u rezistonte tërmeteve pranohet edhe nga urbanisti Pirro Thomo, i cili në librin e tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura” ndër të tjera shkruan:

“Me gjithë kohën e gjatë që ka kaluar që nga ndërtimi i pazarit, pa përmendur termetin e vitit 1879. (Kod, dok 192), nga i cili u dëmtuan vetëm disa dyqane të ndërtuara para asaj kohe, strukturat kryesore konstruktive të dyqaneve të pazarit nuk kanë pasur dëmtime serioze, as nga tërmete të tjera të fuqishme të viteve 1931 dhe 1960”

Pra, së fundi mund të themi se “Lagjja e Xhamisë” së Korçës është e paprekshme nga tërmetet. Duket si mister, por është e vërtetë.

Marrë nga: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Xhamia eshte ndertuar mbi truallin e Kishes Ortodokse te Shen e Premtes, nje Kishe e mirenjohur Mrekulliberese. Prandaj, eshte Kisha ajo qe mbronte ate vend nga Termetet dhe jo xhamia qe u ndertua mbi Kishen. Kjo eshte Historia per ata qe nuk e dine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button