Përmendorja e Car Dushanit, ministria e drejtësisë e pafuqishme

Përmendorja e Car Dushanit ende vazhdon të qëndrojë në Sheshin e Shkupit, për deri sa askush nuk merr përgjegjësinë për vendosjen e saj.

Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Elirjana Zilbeari bën të ditur se për momentin ky institucion nuk ka në dorë asgjë.

“Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca që të bëjë një ndërhyrje për të konstatuar legalitetin e përmendoreve. Së pari duhet të bëhen padi e më pas nga prokuroria kur të kalon në gjykatë, ne mund të verifikojmë faktet dhe të ndërmarrim masa”, tha për Portalb, Zilbeari.

Nga ana tjetër juristi Osman Kadriu thotë se përmendorja e Car Dushanit është një çështje që ka nxit shumë debate dhe diskutime.

“Çështja e kësaj përmendore është mjaft e kontestueshme. Askush nuk merr përgjegjësi, dhe tani na del Ministri i Transportit dhe Lidhjes, Mile Janakievski dhe thotë se leje ndërtimi është dhënë për urën, dhe se përmendoret janë vetëm dekorim, kjo gjë nuk është e ligjshme. Për çdo gjë duhet të ketë plan urbanistik. Kjo përmendore nuk ka leje dhe me ndryshimin e ligjeve, ndërtimet e egra jo vetëm që hiqen, por edhe dënohen penalisht kryerësit e veprës”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se vepra penale duhet të kalojë në Prokurori të verifikohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe më pas të kalojë në Gjykatë, ku mund të kalojë edhe në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ana tjetër Këshilli organizativ për heqjen e Car Dushanit, në krye me Daim Hisenin, tani më ka ngritur padi penale dhe kërkesën për heqjen e përmendores së lartpërmendur

“Lënda është dorëzuar në prokurori dhe tani jemi në pritje të një përgjigjeje. Kryesisht këto lëndë zgjasin tre muaj, po duke pasur parasysh tensionin që është krijuar në vend, shpresojmë që Prokuroria do të përshpejtojë procesin dhe që së shpejti të zgjidhet kjo çështje”, tha për Portalb, Hiseni.

Ai tha se shpesh kur ka krizë ekonomike, qeveria mundohet ta mbulojë atë duke provokuar dhe duke prekur ndjenjat e popullit dhe në këtë mënyrë arrin që të shpërqendrojë popullin.

Po ashtu edhe partia opozitare maqedonase  LSDM, ka ngritur  kallëzim penal, deri  te Prokuroria publike për ndjekjen e krimit të organizuar, kundër ministres së kulturës, Elizabeta Milevska Kancevska, kundër ish kryetarit të Komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq dhe këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, gjatë mandatit të kaluar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button