Opozita kurrë më bashkë si më parë

Që nga shtyrja e mbajtjes së protestës së opozitës, e cila ishte planifikuar për datën 26 mars si dhe deklaratat që kanë ardhur nga liderët opozitarë për njëri-tjetrin, tri partitë Vetëvendosje, AAK dhe Nisma filluan të përçahen mes vete.
“Opozita e bashkuar” siç e quanin vetën nuk u bashkuan as në protestën e 14 majit, në të cilën nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosje, transmeton Indeksonline.

Mirëpo, kohëve të fundit, ka zëra nga tri partitë për një bashkim të mundshëm, për të kundërshtuar ratifikimin e Demarkacionit kufitar me Malin e Zi.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka thënë për Indeksonline se kjo parti është e hapur për bashkëpunim me këdo që kundërshton marrëveshjen për demarkacion dhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, sa më shumë organizime që bëhen për të kundërshtuar marrëveshjet, aq më mirë për Kosovën.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje është shumë e rëndësishme që Demarkacioni me Malin e Zi dhe marrëveshja për ‘Zajednicën’ të anulohen. Ne do të angazhohemi në mbrojtje të republikës, me të gjitha kapacitetet tona. Ne mendojmë që sa më shumë organizime politike e qytetare që bashkohen, aq më mirë është për Republikën e Kosovës, prandaj jemi të hapur për bashkëpunim me këdo që sinqerisht ka vullnet të kundërshtojë këto marrëveshje të dëmshme”, ka thënë Krasniqi.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi nuk ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera opozitare.

Megjithatë, ai ka thënë për Indeksonline se edhe nëse ndodh bashkimi, opozita nuk do të jetë më asnjëherë siç ka qenë më parë.

“Natyrisht që jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë deputetët qoftë nga pozita apo nga opozita që janë të gatshëm të kundërshtojnë dy marrëveshjet e dëmshme për vendin. Ndërsa, bashkim të opozitës ashtu siç ka qenë më parë nuk besoj se mund të ketë sërish, sidomos pas vendimit të VV-së për tu kthyer në Kuvend, vendim i cili i ka dëmtuar shumë dy kauzat. Arsyet tjera pse nuk mund të ketë bashkim të opozitës siç ka qenë në fillim besoj janë thënë deri më tani mjaftueshëm”, ka theksuar Sherifi.

Indeksonline ka tentuar të marr edhe qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila më 14 maj thirri protestë e vetme. Po ashtu, AAK është njëra ndër partitë që ka kundërshtuar më fuqishëm marrëveshjen e Demarkacionit kufitar me Malin e Zi. /

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button