Maqedonia përkrah Kombëtaren shqiptare

Një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë nga Maqedonia, kanë udhëtuar për në Paris, që nga afër të shijojnë emocionet që sjell loja e së shtunës e kombëtares së Shqipërisë gjatë përballjes me Zvicrën

Ndërkohë, në disa lokale të Shkupit, Tetovës, Kumanovës dhe qyteteve të tjera janë vendosur ekrane të mëdha, për të transmetuar drejtpërdrejt ndeshjet e futbollit të kampionatit evropian “Euro 2016”.

Hajush Mani, gazetar i sportit, thotë se shqiptarët e Maqedonisë me emocione ndjekin kampionatin evropian të futbollit 2016, meqë në këtë eveniment të madh sporti marrin pjesë dhe fanellat kuq e zi.

“Kombëtarja shqiptare për herë të parë bëhet sikurse dhe himni kombëtar, ka bashkuar të gjithë futbolldashësit, po edhe ata nuk janë dhe aq adhurues të futbollit. Të gjithë janë mbledhur bashkë nën flamurin kombëtar për t’i dhënë mbështetje dhe forcë kombëtares duke e ndjekur nëpërmjet ekraneve televizive”, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Pa marrë parasysh se cili do të jetë rezultati, mendoj se Shqipëria ka bërë një hap të madh me vetë kualifikimin në kampionatin evropian të futbollit për vitin 2016 dhe kjo ka zgjuar interesim të madh edhe te shqiptarët e Maqedonisë. Kudo shihen grupe të mëdha tifozësh, të cilët me një këngë, me një zë anojnë kah Shqipëria“, thekson ai.

Zllatko Kalinski, i cili si gazetar sporti punon tashmë katër dekada, konsideron se kampionati i futbollit nxit ndjenja të veçanta. Ai thotë se karrierën e tij si gazetar sporti do ta përmbyllë pikërisht me kampionatin evropian të futbollit 2016, ndërkohë duke qëndruar në Francë shpreh bindjen se fryma e kampionatit evropian të futbollit, nuk do të ngryset në asnjë mënyrë nga frika për sulme terroriste.

“Mendoj se fryma sportive e kampionatit evropian, në asnjë mënyrë nuk është e rrezikuar, sepse masat e sigurisë janë në nivelin e dukur këtu”, konsideron Kalinski.

Edhe Bujar Nexhipi, student, thotë se nuk ka frikë aspak nga aktet terroriste, por janë mjetet financiare që e kanë pamundësuar të shkojë në Francë, megjithëse ndeshjet e kombëtares do t’i ndjekë me shokë nga lokalet e shumta të Shkupit, të cilat kanë vendosur ekrane të mëdha në verandat e tyre, duke u lidhur me transmetim të drejtpërdrejtë të kampionatit të futbollit në Francë.

“Ndeshjet e kombëtares do t’i ndjek me shokë, miq të afërt, sepse kështu ka më shumë emocione, këtu në Shkup në ndonjë nga lokalet. Nga kombëtarja shqiptare pres vetëm fitore,pse jo vendin e parë”, thotë Bujari.

Ndërkaq, Florent Rustemi, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës me motor bashkë me shtatë shokët e tij, ka vendosur që emocionet që sjellin përballjet e kombëtares shqiptare, t’i ndajnë në më shumë qytete të Shqipërisë.

“Për mua është një mundësi e rrallë për t’u kapluar me emocione si këto sot. Jo gjithnjë mund ta shohim kombëtaren në kampionat, kështu që emocionet që kanë lojtarët e kombëtares, i kemi edhe ne, si shqiptarë, në të gjitha trojet dhe shpresojmë se kombëtarja do të na sjellë fitore pa ndërprerë”.

“Sot po marrim rrugën për në Shqipëri me dëshirë që lojën e parë ta ndjekim nga Shqipëria, jemi tetë shokë që kemi vendosur me motor të përshkojmë rrugën Shkup, përkatësisht nga Valbona në veri e deri në Jug. Ashtu si rrjedhin ndeshjet e futbollit , ashtu dhe do të ndryshojmë ne ndalesat për të ndarë emocionet me shumë shqiptarë nga të gjitha trojet”, thotë Florent Rustemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button