Maqedoni, kërkesat e Zaevit dhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar, çfarë më tej?

Zoran Zaev kërkoi që deri më 18 qershor Gjykata Kushtetuese ta konfirmojë kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale dhe të lirohen protestuesit e arrestuar. Analistët vlerësojnë se këto kërkesa mund të realizohen për shkak të presionit të faktorit ndërkombëtar.

Sipas Mirjana Maleskës bashkësia ndërkombëtare fuqizon kërkesat e arsyeshme të secilës parti politike për zgjidhje të krizës, kështu ajo do t’i fuqizojë kërkesat e Zaevit dhe të njëjtat do të realizohen.

Në pyetjen sa janë reale kërkesat e Zaevit Maleska deklaroi: “Në politikë rol shumë të rëndësishëm luajnë: numrat, fuqia dhe kuptohet e drejta. Megjithatë nga vendi në vend ka dallim në balancin mes këtyre tre gjërave. Kështu për të kuptuar se sa janë reale kërkesat duhet t’i shikojmë lidhjet mes këtyre tre gjërave. Sikur të mos ishte kjo pjesëmarrje e fuqishme e bashkësisë ndërkombëtare përmes diplomatëve këtu në Maqedoni të na ndihmojë të dalim nga kriza nuk e dij çfarë do të ju përgjigjej në pyetjen tuaj. Por pasi jemi dëshmitarë se për shumë arsye si: gjeopolitike, strategjike, pretendimi i Maqedonisë për t’u integruar në UE… bashkësia ndërkombëtare seriozisht është e involvuar dhe dëshiron ta ndihmojë vendin për dalje nga kriza, në këtë kontekst ajo i jep fuqi secilës kërkesë të arsyeshme.”

“Dhe mendoj se kërkesat e Zoran Zaevit janë të arsyeshme. Fillimisht para Gjykatës Kushtetuese ka një iniciativë të tillë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të vendos për diçka që ka legjitimitet, sepse katër partitë më të mëdha janë pajtuar për ekzistimin e një institucioni të tillë. Çfarë i mbetet Gjykatës Kushtetuese të bëjë nën këtë presion?!”-elaboroi Maleska, “Dhe e dyta është e arsyeshme sepse ka pasur shumë shkelje të procedurës së parapurgimit nga njëra anë e nga ana tjetër populli ka të drejtë të rebelohet kundër një qeverie që është e korruptuar dhe kjo është parë nga shumë indikatorë.”

Ajo nuk mund të prognozojë nëse këto kërkesa do të realizohen deri në datën që Zaev ka caktuar, por se beson se punët shkojnë në drejtim të fitores së drejtësisë.

“Sa e dij Zaevi dy kërkesa ka bërë. Njërën sot ia kanë plotësuar, i kanë liruar djemtë që ishin në paraburgim.”-u shpreh Albert Musliu për Portalb.
LEXO: Shfuqizohet masa e paraburgimit për Savevskin dhe Kunovskin

Ndërsa për kërkesën tjetër tha “ Nuk e shoh si të pamundshëm plotësimin e atij parakushti, ky nuk është parashtruar vetëm nga ana e Zaevit por edhe nga sektori civil dhe faktori ndërkombëtar. Po edhe në rast se Gjykata Kushtetuese e shpall si jokushtetuese Prokuroren Speciale, Parlamenti është funksional dhe mendoj se me një trysni pak më të shprehur të faktorit ndërkombëtar do të gjendet mënyra kushtimisht kushtetuese, sepse sipas meje ajo është kushtetuese. Pra prej Prokurores Speciale nuk ka ikje.”

“Po edhe kërkesat e Zaevit janë të limituara krahasuar me kërkesat që ishin më parë, që t’i jepet një mundësi VMRO-DPMNE-së që me dinjitet të kthehet në tavolinën e negociatave. Jam i sigurtë se do t’i plotësojë.”-tha Musliu.

I pyetur nëse beson se kërkesa do të realizohet deri më 18 qershor Musliu tha:“18 qershori është pak i lidhur edhe me raportin e Këshillit të Ministrave të UE-së për Maqedoninë, për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Ashtuqë besoj se do të tregojnë vetëdijshmëri edhe gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese dhe këtë procedurë ta bëjnë në kohë.”/Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button