VENDI I ÇUDIRAVE

Është e dhimbshme e kaluara historike e shqiptarëve që jetojnë në vendin e çudirave, ku, në njëqindvjetëshin e fundit, janë ndërruar regjimet më shpesh se stinët e vitit. Fat i keq a mallkim hyjnor qenë goditjet e pamëshirshme mbi kurrizin e këtyre njerëzve punëtorë e familjarë të devotshëm, të fisëm, besnikë e të durueshëm gjer në kuptimet e fundme të kësaj fjale.

Shqiptarët e këtyre anëve i përjetuan të gjitha të zezat e mundshme që polli imagjinata e mbrapshtë e regjimeve despotike. Ata qenë me dekada poligon i ushtrimit të dhunës dhe disiplinimit të egër të vullneteve liridashëse, të cilat i mbijetuan në sajë të vetëdijes se janë në tokën e tyre dhe në sajë të besimit të pathyeshëm se, pas furtunave të egra, do vijnë ditë më të bardha.

Ndër furtunat e tilla janë demonstrimet e vitpërvitshme të forcës së shtetit mbi vendbanimet shqiptare, të cilët hallkeqi i viziton vetëm për të treguar kush është më i forti.

Askush nuk e mohon se shtetet kanë të drejtë të ruajnë sovranitetin e tyre, pavarësisht mënyrës se si e kanë fituar atë sovranitet, po askush në botë, përveç Maqedonisë, nuk ndërmerr aksione luftarake kundrejt vendbanimeve përplot me njerëz duarthatë, të cilët nuk kanë asnjë mundësi ta rrezikojnë atë. Së këndejmi, është e qartë se ka pasur mundësi të shmangen ekspeditat policoro-ushtarake  me arsenal të paparë armësh të rënda, të cilat ndoshta e kanë vrarë përgjithmonë mundësinë e bashkëjetesës ndërmjet dy etnive më të mëdha të vendit. Ka mundur të parandalohen ngjarjet e tilla, sikur Maqedonia të mos i trajtonte shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë a te tretë. Ka mundur të hyhet në bisedime me palët e pakënaqura me mënyrën se si i trajton shteti. Në rastet e tilla ka mundur të intervenohet me forca normale, që nuk do të rezultonin me pasojat traumatike për fëmijët e mitur, gratë shtatzëna, pleqtë dhe plakat e sëmura. Ka pasur mundësi të provohen njëmijë mënyra më të pranueshme për zgjidhjen e problemeve, por kjo ashiqare nuk i ka interesuar shtetit, i cili, hiq tatimet e rregullta që peshojnë rëndë mbi kurrizin e njerëzve kryesisht të papunë, ka humbur kontaktin normal me një pjesë të madhe të popullatës së tij. Pra: gjithçka ka mundur të bëhet përpara intervenimeve inatçore me tagre të rënda për më shumë gjenerata, por shteti bëri më të keqen e mundshme.

Përmenda ngjarjet makabre i bindur se janë pikërisht monstrat, dënimet me burgje të rënda të njerëzve të pafajshëm, aksionet e Gostivarit, Brodecit, Kumanovës…, ato që hapën plagët e pashërueshme në raportet ndëretnike të vendit e që ndoshta mund të shërohen vetëm pas distancimit të hapur të krerëve të shtetit dhe kërkimit të faljes prej atyre që u morrën në qafë bilgajrihak. Këtë duhet ta bëjnë edhe cërvenkovskët edhe gruevskët, nëse dëshirojnë ta hapin faqen e re të historisë, në të cilën shqiptarët do të jenë me kushtetutë plotësisht të barabartë me konglomeratin e kombit hyjnor. Politikanët shqiptarë, ndërkaq, duhet të gjejnë udhët përafruese të koncepteve të tyre dhe të mos aktrojnë pushtet e opozitë në qeveritë dhe kuvendet brenda të cilave, gjersa nuk ia dalin ta imponojnë nevojën e ndryshimit të kushtetutës diskriminuese, do të kenë vetëm zë të shterrur pakice. Ata duhet ta kuptojnë domosdoshmërinë e llogaridhënies përpara votuesve të tyre, të largojnë nga radhët e tyre leckamanët e bërë brenda natës aristokratë, të distancohen prej bashkëpartiakëve të korruptuar dhe të hipotekuar për marre, t’i bëjnë transparente dhe të pranueshme aktivitetet e tyre para popullit, për t’ua thënë pastaj troç albanofobëve mos t’ju shkojë më kurrë ndër mend të luajnë shuk me ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button