Kroacia, adresa e re e krizës politike në Ballkan

Territori i Ballkanit, i cili deri në historinë e afërt ka qenë temë globale diskutimi me luftërat dhe përplasjet e përgjakshme, edhe pse duket t’i ketë pastruar problemet etnike, ende vazhdon të shkaktojë kriza politike.

Maqedonia po përmendet për krizën politike të fundit, për zgjidhjen e së cilës mëngët ka përveshur edhe bashkësia ndërkombëtare e cila po luan rol aktiv, ndërkohë që kësaj i janë shtuar edhe Kosova dhe Mali i Zi me mosmarrëveshjet e thelluara pozitë-opozitë, si dhe Kroacia në të cilën ka filluar të lëkundet qeveria gati pesëmujore e koalicionit.

Ndërsa Partia Social-Demokrate (SDP) e cila kishte dalë fituese në zgjedhjet pararendëse u rendit e dyta në zgjedhjet e 8 nëntorit në Kroaci, ngadhënjyes në zgjedhje ishte “Koalicioni Patriotik” nën udhëheqjen e partisë konservatore Partia Demokratike Kroate (HDZ).

Edhe pse “Patriotët” i fituan zgjedhjet, ata ishin të detyruar të nisin negociata për qeveri koalicioni pasi që nuk e arritën shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë vetë. Si rrjedhojë e marrëveshjes së arritur pas një periudhe prej dy muajsh e gjysmë me Lëvizjen Most – e cila e cilëson veten si “lëvizja e të pavarurve” – filloi punën në janar qeveria e koalicionit me në krye kandidatin e HDZ-së Tihmoir Oreskoviç. Ndërkaq, në dy pozitat e zv/kryeminstrit të qeverisë së re u caktuan kryetari i përgjithshëm i HDZ-së, Tomislav Karamarko, dhe lideri i Lëvizjes Most Bozo Petrov.

Biznesmeni i suksesshëm Oreskoviç, për shkak të mungesës së përvojës politike dhe qëndrimit jashtë vendit për vite të plota dhe, rrjedhimisht, “çalimi” në zotërimin e gjuhës kroate, u bë shënjestër kritikash që nga dita e parë. Edhe pse Oreskoviç i shpërfilli kritikat dhe punonte për zhvillimin e ekonomisë së shtetit, kësaj radhe ngeli në mes të mospajtimit mes dy zëvendësve të tij.

Nga ana tjetër, partia opozitare kishte kërkuar që në kuvend të bëhet votëbesim për Karamarkon, ndërsa rrjedhja e informacioneve deri te opinioni se disa deputetë të Lëvizjes Most gjithashtu do të votonin kundër Karamarkos shkaktoi lëkundjen e parë në qeveri.

Gjersa çdo ditë e më shumë rritej tensioni mes Karamarkos – i cili e akuzonte liderin e Lëvizjes Most për “moseksperiencë politike” – dhe partnerit të koalicionit, përfundimisht kryeministri Oreskoviç ndërhyri në këtë grindje duke kërkuar që të dy ndihmësit të japin dorëheqje “për hirë të interesit të shtetit”.

– Procesi i largimit të Oreskoviçit nga detyra-

Nuk u vonua reagimi i Karamarkos dhe Petrovit ndaj kryeministrit Oreskoviç i cili kërkoi largimin e të dyve. Derisa Karamarko deklaroi se HDZ do të resht së përkrahuri “kandidatin e vet” Oreskoviç, Petrov, nga ana tjetër, tha se nuk ka arritur ta kuptojë se pse është shënjestruar si “faktor obstruktiv” dhe se është i gatshëm ta paguajë çmimin e kësaj.

Pas këtyre zhvillimeve, HDZ u mblodh për ta diskutuar çështjen e Oreskoviçit, ndërkohë që nga këto bisedime doli vendimi për fillimin e procesit zyrtar të largimit të Oreskoviçit nga detyra. Duke deklaruar se kanë filluar procesin për largimin e Oreskoviçit, kryetari i përgjithshëm i HDZ Karamarko u shpreh se Kroacisë i nevojitet një qeveri “stabile, homogjene dhe e bashkuar”.

Një kohë të shkurtër pas gjithë këtyre zhvillimeve erdhi deri te prishja e partneritetit të koalicionit mes HDZ-së dhe Lëvizjes Most, parti këto të cilat dallohen edhe nga pikëpamjet ideologjike.

Pavarësisht se liderët nuk e fusin në plan të parë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, mediumet në vend dhe analistët politikë kanë filluar të komentojnë se Kroacia së shpejti mund të shkojë sërish në zgjedhje. Ndër tjerash, ata shprehen se qeveria tani ekziston vetëm formalisht dhe se zgjidhja më e arsyeshme e krizës janë zgjedhjet e reja.

– Koalicion i ri, apo zgjedhje të parakohshme?-

Në vazhdën e krizës, edhe pse pjesa dërrmuese e opinionit publik është e mendimit se së shpejti do të mbahen zgjedhje, tabori i HDZ-së ende vazhdon të potencojë se zgjedhjet nuk janë mundësia e vetme dhe është e mundur që të formohet koalicion i ri qeveritar.

Analisti politik Davor Gjenero, për gazetarin e AA-së dha vlerësime për skenare të mundshme, ndërkohë që u shpreh se në zgjidhjen e krizës rol të rëndësishëm mund të luajë presidentja e vendit me rrënjë në HDZ, Kolina Grabar Kitaroviç.

Gjenero mbron tezën se Karamarko është “humbësi i zgjedhjeve” edhe pse partia e tij ka fituar numrin më të madh të votave, duke pohuar se koalicioni i ri që do të formohet gjithashtu do të jetë një qeveri jostabile.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve është alternativa që bëhet më e mundur sa më shumë që koha kalon, ndërsa është dobësuar mundësia për formimin e një koalicioni qeveritar ku do të ndihet pesha e HDZ-së pas nismës për largimin e Oreskoviçit nga detyra. Duke u shprehur se ekziston siguri që kryeministri Oreskoviç do ta humbasë mbështetjen e kuvendit në qoftë se kalohet në votëbesim, Gjenero theksoi se me daljen e rezultateve kundër Oreskoviçit do të bie edhe qeveria aktuale.

“Atëherë barra e zgjidhjes do të binte mbi presidenten e Kroacisë, sepse tani më nuk ngelet mundësia e krijimit të një qeverie të pakicës. Mundësia e vetme është që presidentja të caktojë një figurë të paanshme për krijimin e qeverisë që do ta kryente detyrën deri në zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm”, vlerësoi Gjenero.

– Populli kërkon zgjedhje të reja-

Gjenero është i mendimit se pjesa dërrmuese e popullatës pret që presidentja të shpallë zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që rikujtoi se në rast se nuk arrihet marrëveshje për caktimin e një figure që do ta formojë qeverinë pasi që Oreskoviç të humb mbështetjen e kuvendit, atëherë presidentja është e detyruar që mes 30 deri 60 ditëve të shpall zgjedhje të parakohshme.

Duke nxjerrë në pah se afati i parë i mundshëm për zgjedhje është java e fundit e korrikut, Gjenero tha se “Në fakt, kjo është koha më e papërshtatshme për zgjedhje. Pjesëmarrja do të jetë shumë e ulët dhe nuk do të ketë fushatë parazgjedhore. Megjithatë, nga ana tjetër, ky afat është i dobishëm për të gjithë, sepse nuk ka kaluar shumë kohë nga zgjedhjet pararendëse dhe partitë politike nuk posedojnë buxhet të mjaftueshëm për financimin e fushatave.”

Sipas Gjeneros, lideri i HDZ-së Karamarko në sytë e popullit konsiderohet “përgjegjësi i këtyre zhvillimeve”, ndërsa garimi i vetëm i HDZ-së në zgjedhjet mundshme të parakohshme do të shkaktojë humbje të mëdha të votave.

– “Çështje këshilltari”-

Protagonistja kryesore e diskutimeve që në opinionin publik cilësohen si “çështje këshilltari” është bashkëshortja e liderit të HDZ-së Tomislav Karamarko, Ana Karamarko.
Pohohet se firma në pronësi të Ana Karamarkos, Drimia, ka bashkëpunuar me lobistë të firmës hungareze MOL me të cilën Kroacia është në mosmarrëveshje, e cila pritej të zgjidhej nga komisioni i arbitrazhit.

Ndërsa thuhet se Ana Karamanko brenda dy viteve ka bërë biznes me lobistin hungarez në vlerë prej 60 mijë eurosh, Komisioni për Parandalimin e Përplasjes së Interesave në Kroaci po hulumton nëse në punët e Ana Karamarkos ka gisht edhe bashkëshorti Tomislav Karamarko.

Karamarko, i cili njihet si mbështetës i ndërprerjes së procesit pranë komisionit të arbitrazhit mes Kroacisë dhe firmës MOL, shpeshherë kishte deklaruar se bizneset e bashkëshortes nuk përbëjnë “përplasje interesash”.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, opozita bëri kërkesë për votëbesim për largimin nga detyra të Karamankos. Ndërkaq, kriza arriti në shkallën që gjendet sot kur deputetët e partisë së koalicionit, MOST, bënë të ditur se do ta përkrahnin opozitën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button