LSI kushtëzon votën për paketën fiskale, PS-PD janë kundër

Lëvizja Socialiste për Integrim kushtëzon paketën fiskale duke kërkuar “ngrirjen” e tatimfitimit në 10% për biznesin fason.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, propozoi dje publikisht një paketë propozimesh për taksat, ndër të cilat, kryesorja ishte mbështetja e biznesit fason dhe moslejimi i rritjes së tatimit të saj për të stimuluar këtë biznes në rritje në Shqipëri.

Mësohet se, nëse qeveria nuk i pranon propozimet e LSI-së për lehtësimin e biznesit fason, që ka qenë prioritet i saj edhe gjatë fushatës zgjedhore, paketa fiskale mund të rrëzohet në votimin e saj nen për nen. “Një amendament tjetër i rëndësishëm është propozimi ynë që, për sa i takon biznesit fason, tatimi mbi të ardhurat lidhur me këtë biznes të vazhdonte të qëndronte në masën 10% për disa arsye themelore”, tha Vasili në një komunikim për mediat në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Vasili ka argumentuar dhe arsyet që e çojnë LSI-në në këtë kërkesë.

“Ky biznes ka qenë vërtet një motor punësimi për shoqërinë shqiptare dhe ka përballuar një peshë punësimi të rëndësishme, duke qenë dhe një mbështetje sociale; nëpërmjet një tatimi të tillë për specifikën që ka biznesi fason, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend tërheqës për bizneset e huaja, të cilat kësisoj do të preferonin ta zhvillonin atë më mirë në Shqipëri sesa në vendet fqinje në Ballkan”, tha Vasili. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së kërkoi që ky biznes të shihet me prioritet nga qeveria dhe të trajtohet në mënyrë të diferencuar.

Premtimi në fushatë

Gjatë fushatës elektorale, kreu i LSI-së Ilir Meta ka folur për lehtësira fiskale ndaj këtij biznesi. “Ne jemi të angazhuar për të ndihmuar sidomos në financimin e biznesit fason në ristrukturimin më afatgjatë të kredive që ka ky biznes. Njëkohësisht në mbështetje me grantet dhe me kreditë deri në 3% për këtë biznes, sidomos për atë që shton më shumë vende të reja pune, për të subvencionuar një pjesë të pagës për të gjitha ato gra dhe vajza të cilat fillojnë për herë të parë punën në këtë biznes, derisa të arrijnë eksperiencën dhe formimin e duhur profesional në mënyrë që të lehtësojmë kostot e punëdhënësve dhe t’i nxisim ata për të hapur vende të reja pune”, është shprehur Meta gjatë një vizite në një fabrikë fasoni në qytetin e Lushnjës.

Debati në Kuvend

Ndërkaq debat ka pasur dhe në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, ku deputeti i LSI-së Përparim Spahiu i ka propozuar zv.ministrit të Financave Mete paketën e kësaj partie, ndërsa kryetari i këtij Komisioni, Erjon Braçe kërkoi që tatimfitimi për biznesin fason të bëhej zero. “Unë propozoj që tatimfitimi për 3 vitet e ardhshme për manifakturën të jetë zero, me kusht investimin brenda Shqipërisë”, tha Braçe.(Panorama)

Lajme të ngjashme

Back to top button