Arsimtarët dhe nxënësit të pakënaqur: testimi ekstern nuk ka asgjë pozitive

Testimi ekstern i arritjeve të nxënësve për vitin shkollor 2015/2016 në sesionin e qershorit filloi të martën dhe do të zgjasë deri të shtunën.178.648 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme testohen në 1972 lëndë. Në anketën e realizuar, nxënësit dhe mësuesit deklaruan për Portalb se ky testim nuk ka përmirësuar cilësinë e arsimit, se nuk ndjejnë asgjë pozitive, por përkundrazi e ka dëmtuar arsimin dhe u ka shkaktuar emocione negative.

“Më keq është bërë në fakt. Ka shtuar stres tek ne, frikë, shqetësim sepse  notat e testit ekstern llogariten në mesataren tonë përfundimtare.”-tha K.A., semimaturante “Një gjë nuk mund të jetë pozitive përderisa nuk është logjike e nuk ka logjikë që për një orë të testohemi për gjithçka që kemi mësuar një vit. Gjatë orëve mësimore arsimtarët na kanë pyetur neve, por në testim ekstern ne i pyesim arsimtarët. Sepse ka pyetje për gjëra të cilat nuk i kemi mësuar asnjëherë. Poashtu ka pyetje, përgjigjet e të cilave nuk janë në opsionet e mundshme.”

Unë i jam nënshtruar katër vjet edhe nuk kam pa efekte pozitive perveç atyre negative: stres, shqetësim të panevojshwm për një test jo adekuat dhe jo të nevojshëm në këtë kohë për nxënësit e RM-së.”-deklaroi Semra Sadiku, maturante.

E pyetur nëse ka hasur ndonjëherë ndonjë gabim, Sadiku tha “Po, kam hasur secilen herë. Gabimet më banale mundeni t’i gjeni në testimin ekstern!”

LEXO: Testimi ekstern sërish skandaloz, pyetje jo-logjike në kufi të talljes! (FOTO)

“Sikur ta bënin vërtetë vetë nxënësit testin mund të kishte efekte pozitive, por nuk po realizohet në mënyrë të realtë, ndërhyjnë arsimtarët, ndërhyjnë nxënësit tjerë. Mandej është shumë vështirë që për një ditë të vlerësohet se sa nxënësi e ka përvetësuar materialin e tërë vitit. Nuk e dij ku ekziston ky model i testimit! Të gjithë kolegët jemi të mendimit se shumë më mirë vlerësohet nxënësi me testet që ne i përgatisim çdo tre muaj, është më i qetë dhe punon vetë.”-tha R.S., mësues për Portalb, “Kështu tërë vitin nxënësi është i stresuar, se mos e merr ndonjë notë më të ulët në testin ekstern ndërsa e ka 5. Shqetësohet, ajo notë i shkruhet në dëftesë. Tërë kohën i dëgjoj nxënësit duke thënë “Ah sikur ta heqin”.

“Këtë vit kishte pasur më pak gabime se vitin e kaluar.”-sqaroi R.S., “Në përgjithësi ishin mirë të formuluara, por kishte pyetje jashtë materialit. Mendoj se është e mundur që pyetjet të përpilohen nga dy a tri libra që Ministria i lëshon për një lëndë, ndërkohë që secila shkollë përcaktohet për një prej atyre dy a tre librave.”

 “Unë nuk shoh asgjë pozitive te testi ekstern. Ka arritur të na e prish arsimin edhe më shumë.”-deklaroi për Portalb G. R., arsimtare e gjuhës frënge, “Nuk mundet që me anë të një testi formal nga Ministria të verifikohen njohuritë e nxënësve apo  notat që ua kemi vendosur ne. Ne nxënësit i notojmë në bazë të vëzhgimit një-vjeçar, me anë të të pyeturit gojor, me testet tona, me evidencën për aktivitetin e treguar brenda tërë vitit.”

R. sqaroi: “Nota e testit ekstern nuk është aspak reale sepse nxënësit pyetjet i mësojnë përmendësh dhe i plotësojnë.  Pyetjet janë me opcione, gjë që nxënësit mund t’i qëllojnë edhe pa i ditur. Pastaj ato që kanë nota të dobëta ulen afër ndonjë nxënësi me sukses më të lartë dhe ndihmohem në mes veti. Në shumicën e rasteve notat e testit ekstern dalin më të larta se notat  tona. Por ndonjëherë ndodh edhe e kundërta: ka raste që nxënësit e shkëlqyer dështojnë në testet eksterne nga shkaku se i kapin emocionet dhe nga panika hutohen dhe i bëjnë gabim detyrat.”

Rezultatet e testimit ekstern fillimisht do të publikohen për nxënësit e klasave të nënta (më 13 qershor), ndërsa për nxënësit e tjerë rezultatet do të publikohen më 17 qershor./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button