Shkup, “Baskerfest” prej nesër fillon me teatrin nën qiell të hapur

Me pjesëmarrjen e magjistarit dhe iluzionistit Mister Buginaga, valltarit Suad Demiroviq dhe mjeshtri gjerman për komedi, Vili Vonder, prej 10 qershor deri më 19 qershor do të fillojë festivali “Baskerfest” në Shkup, teatri rrugor nën qiell të hapur me interpretues nga mbarë bota, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Baskerfest” fillon në sheshin ‘Maqedonia’ në Shkup dhe në qytetet tjera në mbarë vendin. Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski, siç thuhet në njoftimin nga Qyteti i Shkupit, i bëri thirrje qytetarëve që të vijnë në sheshin ‘Maqedonia’ dhe për 10 ditë të kënaqen me paraqitjen e xhonglerëve, akrobatëve, valltarëve, magjistarëve, palaçove, iluzionistëve dhe muzikantëve me përvojë që janë pjesë e festivalit “Baskerfest 2016”.

“Teatri rrugor nën qiell të hapur tashmë 11 vite sjell vibracione pozitive në qytetin tonë me paraqitjet e basker interpretuesve atraktiv nga mbarë bota. Prej nesër e deri më 19 qershor, e deri në orët e vona të mbrëmjes do të kenë mundësi që të argëtohen dhe shoqërohen me mbi 100 artistë nga mbarë bota, Meksika, Brazili, Japonia, Amerika, Zelanda e Re, Spanja dhe shtetet tjera”, tha Trajanovski.

Festivali në Shkup është nën kujdestari të Qytetit të Shkupit me mbështetje prej 900 mijë denarësh. Edhe sivjet për më të rinjtë do të ketë kënd fëmijëror, gjegjësisht punëtori kreative ku fëmijët do të mund të argëtohen dhe t’i tregojnë talentët e tyre. “Baskerfest” sivjet do të mbahet edhe në 10 qytete në Maqedoni. Siç thuhet, çdo qytet të paktën disa ditë do të ketë mundësi që ta përjetojë magjinë e artit rrugor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button