“Horrat” dhe “killerat” tensionojnë seancën, përplasje Rama-Paloka

Etiketimi si “horra” dhe “killera” nga kryeministri Rama i gjyqtarëve që kanë pezulluar drejtorin e përgjithshëm të policisë Haki Cako e që sipas tij janë vënë në shërbim të opozitës ka shkaktuar tensione në seancën plenare të kësaj të enjteje, njofton Top Channel.

Deputetët e opozitës kanë rrethuar foltoren gjatë fjalimit të kryeministrit Rama dhe i kanë kërkuar drejtueses së seancës, Valentina Leskaj, që të mbledhë Byronë parlamentare për të vendosur përjashtimin e tij.

“Kërkojmë mbledhjen e Byrosë për përjashtimin e kryeministrit. A i dëgjuat fjalët e tij? Foli për killera e horra dhe deputetët i konsideroi një kope delesh”, ka deklaruar Paloka.

Ndërsa deputeti i PS, Taulant Balla ka deklaruar se, qëndrimi i PD është i planifikuar nga lidershipi i saj për të penguar reformën në drejtësi.

“Deputetët e PD janë porosituar nga Basha e Berisha që të shkaktojnë incidente. Plani i dytë i PD është kërkesa për përjashtimin e kryeministrit, me qëllim për të bllokuar reformën”, ka thënë Balla.

Pas dy ndërprerjesh, me rifillimin e seancës Leskaj ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike, ndërsa kryeministri Rama u është përgjigjur opozitës.

“Nëse doni foltoren, mund ta merrni në krahë e ta çoni tek SHQUP-i. Nëse ju prekeni se unë flas për horra në sistemin e drejtësisë, më vjen shumë keq për ju. Nëse drejtësisë i kanë vënë damkën e një organizate kriminale, dhe këtë nuk e them unë, ky është problem i juaj”, ka thënë Rama.

Duke komentuar publikimin e emaileve të ambasadave nga PD për të përforcuar qëndrimin e saj për reformën, Rama është shprehur:

“Neve na vjen zor ta mendojmë që të nxjerrim emailet e partnerëve për të luftuar njëri-tjetrin. Por ju nuk i keni nxjerrë të gjitha, keni nxjerrë vetëm emailet që doni ju”.

Shefi i qeverisë ka folur edhe për rastin e përgjimeve. “Të akuzosh policinë italiane dhe Saimir Tahirin se kanë përgjuar opozitën është absurde. Pajisja ka hyrë dhe ka qëndruar në Shqipëri nën regjim diplomatik. Shkoni merreni”, ka thënë Rama duke iu drejtuar opozitës.

Duke marrë fjalën, deputeti Paloka ka akuzuar kryeministrin se kërkon një drejtësi që të funksionojë sipas kapriçove të tij.

“Kjo drejtësi, sipas Ramës, funksionon kur dënon një baba fatkeq që nuk paguan dot energjinë. Kur drejtësia pezullon drejtorin e policisë së Ramës, atëherë kjo drejtësi është e korruptuar. Dje dhe sot folën për komplot të opozitës që përdor gjyqtarë të kapur. Histeria e djeshme ishte nga frika se Çako po flet dhe nuk pranon të bëhet kokë turku”, ka deklaruar Paloka.

Sipas tij, shefi i qeverisë kërkon që përmes variantit të tij të reformës të mbrojë kriminelët që i ka futur në Parlament dhe i ka bërë kryetarë bashkish.

“Rama kërkon një drejtësi që kërkon të mbrojë kriminelë, vrasës e përdhunues. Sepse ai mbron deputetë kriminelë, tutorë prostitutash e trafikantë droge si Rroshin, Bushin dhe Shullazin. Drejtësia që i duhet Ramës është ajo që të rrëzojë ata që denoncojnë krimet e pushtetarëve”, ka thënë Paloka, i cili ka sqaruar edhe qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga PD.

“Ne e kemi pranuar zgjidhjen që na ka ofruar Komisioni i Venecias, por ky kryeministër nuk pranon asnjë kërkesë nga opozita, që do ta nxirrte zbuluar atë”, ka shtuar Paloka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button