Urime, Urime, Urime!

Në fund të çdo viti, njerëzit bëjnë analizën e punëve që kanë kryer dhe të atyre që nuk kanë arritur që ti përfundojnë. Gjithashtu, në fund të vitit bëhen edhe urime për Vitin e Ri, prandaj është rast i mirë që të bëjmë edhe bilancin e urimeve që janë bërë gjatë vitit që shkoi.

Kështu pra, se së shpejti do të kemi ndonjë festë e kuptojmë nga urimet që na i dërgojnë kryetarët e komunave dhe ministrat shqiptarë në Qeverinë e RM-së.

Kryetarët e komunave ku udhëheqin shqiptarët, zv. Kryeministri dhe ministrat shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë, si duket, të vetmin komunikim që kanë me ne qytetarët janë rastet e festave si ato fetare apo kombëtare (fatmirësisht festat shtetërore nuk hyjnë këtu). Po i marrim me rradhë:

Festa e parë, është: “7 Marsi”, dita e mësuesit, rasti i parë, kur të zgjedhurit tanë mësuesve u urojnë ditën e mësuesit (diku me një koktej rasti-ama vetëm me një pije dhe kaq). Ndërsa, nëpërmjet mjeteve të informimit, me fotografinë e kryetarit apo ministrit urimet fillojnë që nga fillimi i Marsit e vazhdojnë edhe më pas.

A thua vallë nuk do të ishte më mirë që festën mësuesve t’ua uroj, ta zëmë, vetëm zv kryeministri shqiptar në qeverinë e RM-së, ose ndonjë përfaqësues i lartë shqiptarë në Ministrinë e arsimit?

Pastaj, të nesërmen është: “8 Marsi”- Dita e gruas, apo e nënës, ku urohet me një lule të freskët të blerë në tregun e “egër” që krijohet enkas për këtë festë (zhvillohet biznesi i shitblerjes së luleve). Ndërsa, nga ana tjetër, urimet nëpërmjet   mediume të ndryshme, nga të zgjedhurit tanë, të paguara nga paratë e qytetarëve vazhdojnë.

Urimet dhe përshëndetjet, kulmin e arrijnë, sidomos në muajin e shenjtë të Ramazanit, e atëherë kemi çka të dëgjojmë e shohim, një muaj të tërë ditë e natë duke dëgjuar dhe shikuar në televizionet tona se si filan kryetari (me fotografinë e tij ballë lartë e krenar), u uron qytetarëve të komunës së vet agjërim të lehtë. 

Askush nuk pyet si mund të bëhet agjërimi i lehtë, kur në mbrëmje nuk ke ujë të pijshëm për të çel iftar, kur nuk ke ujë për të marrë abdes, për të larë trupin etj.

Pastaj, kur përfundon muaji i shenjtë i Ramazanit vijnë dita e gëzuar e Bajramit, kur për ironi, ndodh që ndonjë kryetar komune, besimtarëve të besimit islam u uron Bajramin me këngën: “Tridhjetë ditë i ka Ramazani”  ku në refrenin e fundit thuhet “bashkë me lalën pimë rakije”…!

Mirëpo, kjo ka një gjë të mirë sepse është rast i mirë që edhe gjyshet tona t’i mësojnë se kush janë ministrat dhe kryetarët e komunave tona.

A nuk është e mjaftueshme që këtë festë besimtarëve të besimit islam t’ua uronte, ta zëmë, vetëm i pari BFI-së, i cili edhe e bënë këtë?!

Fillimin e vitit të ri shkollor nxënësve dhe arsimtarëve, kryetarët dhe ministrat shqiptarë nuk ua urojnë sepse këtë e bënë ministri i arsimit!
 
Por, ama kur vijnë muaji Nëntor, ata përsëri dalën në “mejdan”, tash e kanë rastin ta tregojnë patriotizmin e tyre, në fillim duke na uruar ditën e alfabetit të gjuhës shqipe e pastaj ditën e madhe të flamurit, me këngët nga më të ndryshmet me motive të flakta patriotike, të kënduara nga këngëtarët më të njohur të muzikës popullore shqiptare, gjithmonë me fotografinë e tyre në ekranet e televizioneve ose në faqet e mëdha të gazetave.

Urimi është gjë e mirë, tregon respektin e njeriut ndaj tjetrit, por kur bëhet me paratë e popullit atëherë ky nuk është më respekt por është keqpërdorim i pasurisë së popullit.

Jemi në fund të vitit që po ikën, përpara se kryetarët të na urojnë Vitin e Ri, si kundër urim për to do të ishte: Aman mos na uroni asnjë festë e as Vitin e Ri, e Juaja është që të na siguroni ujin për pije, të na pastroni rrugët nga pluhuri, balta e nesër nga bora, sidomos neve studentëve, të na ngrohni amfiteatrot, klasat e kabinetet, aq, nuk na duhet më shumë dhe ne do t’u jemi mirënjohës. 

Urime Vitin e Ri! Jo, faleminderit.

Pra, mjaft më me Urime, Urime, Urime!

Lajme të ngjashme

Back to top button