Mbarojnë votimet brendapartiake, ja rezultatet përfundimtare

Me votimet e 7 qershorit Donald Tramp te republikanët dhe Hillari Klinton te demokratët edhe matematikisht kanë siguruar fitoret në partitë e tyre

Mbarojnë votimet. Me votimet e 7 qershorit në gjashtë shtetet e fundit edhe zyrtarisht është përmbyllur kalendari i votimeve brendapartiake te të dy partitë (Demokratët mbetet të votojnë formalisht javën e ardhshme në kryeqytet, por kjo nuk ka ndonjë domethënie praktike). Votimet e djeshme nuk kanë sjellë ndonjë gjë të re dhe nuk kanë ndryshuar garat. Në anën republikane Tramp është kandidat i vetëm i mbetur prej një muaji, ndërsa te demokratët më gjatë kohë Sandersit i kishin mbetur vetëm gjasa teorike për të fituar nominimin. Sidoqoftë me votimet e 7 qershorit Tramp dhe Klinton kaluan pragun përfundimtar dhe siguruan edhe matematikisht delegatët e nevojshëm për fitore në rundet e para të konventave partiake.

Votimet e 7 qershorit. Pardje është votuar në 6 shtete, por vëmendja gjithsesi ka qenë e përqëndruar te shteti më i madh i SHBA-ve, Kalifornia. Një muaj më parë mendohej se këtu do të zhvillohej beteja përfundimtare republikane mes Trampit dhe Kruzit, por gara republikane përfundoi shpejt pas votimeve të Indianës.

Papritur në Kaliforni gara interesante ishte ajo e demokratëve. Para 7 qershorit Klinton akoma nuk kishte siguruar matematikisht fitoren, kështuqë shteti i madh me 474 delegatëve mbeti shpresa e fundit e Sandersit për t’a tejkaluar atë. Anketat e fundit tregonin se Sanders i është afruar tepër Klintonit dhe se mund t’a befasonte atë në Kaliforni. Megjithatë realiteti doli shumë më ndryshe. Klinton arriti të shënojë fitore komode duke marrë 56% të votave në Kaliforni, duke çimentuar përfundimisht fitoren e saj në garën e përgjithshme. Sanders përfundoi me 44% apo 450.000 vota më pak se Klintoni.

Të njëjtën ditë Klinton shënoi fitore në tre shtete tjera: Nju Xhersi, Nju Meksiko dhe Dakotë të Jugut. Sanders ka korrur fitore në Montanë dhe Dakotë të Veriut.

Rezultatet totale te demokratët. Në anën demokrate Klinton përfundoi me rreth 16 milionë vota dhe me 2203 delegatë të siguruar. Për të fituar te demokratët duhen 2383 delegatë, por mungesën e 160 delegatëve ajo e siguron me ndihmën e 574 superdelegatëve që mbajnë anën e saj.

Sanders ndërkaq përfundoi me 12 milionë vota dhe 1828 delegatë. Ai ka mbështetjen e 48 superdelegatëve, por nëse eventualisht do donte të nominohej do t’i duheshin të gjithë superdelegatët. Mu për arsyen se Klinton nuk ka arritur delegatët e nevojshëm pa ndihmën e superdelegatëve, Sanders akoma refuzon të tërhiqet nga gara. Por në këtë moment  argumentet e tij tingëllojnë qesharake dhe të dëmshme për vetë partinë demokratike. Sipas Sandersit superdelegatët duhet të mbështesin atë edhepse ka 4 milionë vota më pak se Klinton. Kjo natyrisht nuk do të ndodhë, madje ditët e fundit ka superdelegatë që kalojnë nga rradhët e Sandersit te Klintoni. Klinto ka fituar bindshëm në të gjitha aspektet dhe gara demokrate ka përfunduar, pa marrë parasysh si mund t’i duket Sandersit.

Ja edhe rezultatet totale te demokratët.

  KlintonsHillary-Clinton SanderssBernie-Sanders
Vota në total 15.7 milionë 12 milionë
Vota në % 57% 43%
Delegatë 2203 1828
Superdelegatë 574 48
Delegatë total 2777 1876
Shtete të fituara 27 19

 

Pra në votimet brendapartiake demokrate në vitin 2016 kanë votuar rreth 28 milionë votues. Megjithëse një shifër solide, dalja te demokratët ështëshumë më e ulët se rekordi i betejës epike Obama-Klinton nga viti 2008 kur në votimet brendapartiake demokrate dolën mbi 35 milionë votues. Sidoqoftë gara e stërgjatur e këtij viti është përmirësim solid nga gara paraprake kompetitive e vitit 2004 kur në votime kishin dalur 16 milionë demokratë.

Rezultatet te republikanët. Me rezultatet përfundimtare Tramp në total ka fituar mbi 13 milionë vota, me çka ka siguruar mbështetjen e 1447 delegatëve në konventën republikane. Për të fituar te republikanët duhej mbështetja e 1237 delegatëve.

Në anën republikane fusha ka qenë shumë më e gjerë dhe Tramp ka dalur fitimtar me pluralitet, pa shumicë. Ai ka fituar 44% të votave, tre kandidatë kanë patur mbi 10%, ndërsa vota kanë fituar edhe tetë kandidatë tjerë. Ja edhe totalet e republikanëve.

  TrampsDonald-Trump KruzsTed-Cruz KasiçsJohn-Kasich RubiosMarco-Rubio Tjerë
Vota në total 13.3 mil. 7.7 milionë 4.2 mil. 3.5 mil 1.4 mil
Vota në % 44% 26% 14% 12% 4%
Delegatë 1447 551 161 167 14
Superdelegatë 95 9 0 0 0
Delegatë total 1542 560 161 167 14
Shtete të fituara 35 9 1 1 0

 

Në garat brendapartiake republikane në total kanë votuar rreth 30 milionë votues. Me këtë republikanët kanë arritur rekord absolut, duke thyer shifrat e vitit 2012 kur kishin votuar 20 milionë votues, apo të vitit 2008 kur votuan 21 milionë republikanë.

Dy njujorkezë në zgjedhje të përgjithshme. Zgjedhja e Obamës në vitin 2008 kishte thyer monopolin e gjatë të Jugut. Jugu kishte patur 4 nga 5 presidentët e përparshëm: Xhimi Karterin, Xhorxh Bush Seniorin, Bill Klintonin dhe Xhorxh Bush Juniorin. Tani zgjedhjet e vitit 2016 ofrojnë një ndryshim edhe më rrënjësor, pasi të dy kandidatët, Tramp dhe Klinton, vijnë nga shteti i Nju Jorkut. Është për t’u shënuar se të dy kandidatët janë ndër më të papollarizuarit në histori, me nivele tejet të ulëta besueshmërie te popullata e përgjithshme. Sido që të jetë tani më dihet se sido që të dalin rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, SHBA-të pas një kohe të gjatë do të kenë një president nga Nju Jorku.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button