Kosovë, i dyshuari për krim të organizuar Naser Kelmendi shtrohet në spital

Naser Kelmendi, i dyshuari për shpërndarje të drogës dhe krim të organizuar, është shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si pasojë e problemeve të frymëmarrjes dhe ankesave të tjera kardiologjike, raporton Anadolu Agency (AA).

“QKUK konfirmon se Naser Kelmendi është pranuar mbrëmë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, si pasojë e problemeve të frymëmarrjes dhe ankesave tjera kardiologjike. Ekzaminimet dhe analizat tjera të detajuara janë duke u kryer nga stafi mjekësor”, deklaroi zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka njoftuar për AA se i akuzuari, Naser Kelmendi, me vendim të Gjykatës është dërguar për trajtim mjekësor nga burgu në QKUK.

Kelmendi është akuzuar disa herë për krim të organizuar, vrasje të rëndë dhe trafikim me narkotikë. Në maj të vitit 2013, Kelmendi u arrestuar nga Policia e Kosovës, në bazë të fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të Bosnjë e Hercegovinës. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës (PSRK), në korrik 2014, e ka ngritur akuzën kundër Naser Kelmendit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjykimi ndaj Kelmendit ka nisur në janar të vitit të 2015, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ku në vazhdim të hetimeve ai ndodhej ende në burg.

Qeveria e BeH-së e cila ka akuzuar Kelmendin për krimin e organizuar, udhëheqjen e grupit të krimit të organizuar dhe vrasjen e rëndë të Ramiz Delaliqit, në Sarajevë, në vitin 2007, ka kërkuar estradimin e Kelmendit.

Kjo kërkesë nuk është pranuar për arsye se sipas ligjeve të Kosovës, një shtetas i Kosovës nuk mund t’i ekstradohet asnjë shteti i cili nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës dhe me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për ekstradim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button