Këshilli për zhvendosjen e Car Dushanit, kërkon reagimin e Xhelal Bajramit

Pas deklaratës së djeshme të ministrit Janakievski se Ura e Civilizimeve është ndërtuar në pajtim me ligjin, sot reagoi Këshilli Iniciator për zhvendosjen e Car Dushanit. Përmes një letre të hapur, ky Këshill i bëri thirrje zëvendës ministrit të transportit Xhelal Bajrami që të reagojë ndaj deklaratave të eprorit të tij, dhe të dalë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë që ai përfaqëson.

“Lutemi që të ngrini zërin tek subjekti legjitim që përfaqëson sot interesat e shqiptarëve, nga të cilët kërkojmë të gjejmë mbështetje institucionale për mënjanimin e këtij akti të turpshëm, dhe që ata të vihen në mbrojtje të vullnetit të mbi 40% të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni. T’i referohen Kushtetutës së re pas marrëveshjes së Ohrit ku në asnjë mënyrë nuk do të lejohet diskriminimi dhe nxitja e urrejtjes etnike e fetare në Maqedoni”, thuhet në reagim.

Ministri Janakievski deklaroi një ditë më parë, se Ura “Syri” është ndërtuar me vendim të Këshillit të Komunës Qendër, ndërsa për përmendoret në të nuk është diskutuar veç e veç, për shkak se ligjërisht objektet me madhësi të tillë njihen vetëm si elemente dekorative të urës, dhe jo domosdoshmërisht duhet të precizohet emri i tyre në propozim-vendim.

Janakievski nuk shpjegoi se cili ka qenë institucioni i radhës që vendosi që figura e Car Dushanit të ishte element figurativ në Urën “Syri”. Ministri i Transportit është vetëm njëri nga ministrat dhe funksionarët që ngrenë supet ndaj vendimit për vendosjen e Car Dushanit. Më herët edhe institucionet e tjera përkatëse nuk merrnin përgjegjësi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button