Prokuroria Publike: Nuk është shkelur autonomia e Universitetit të Shkupit

Dy ditë pas aksionit policor në të cilin u arrestuan profesorë të Fakultetit të Ekonomisë në Shkup me akuzën se kanë marrë ryshfet nga studentët, përmes një konference për media pikëpamjet e veta i shpalosi edhe Prokuroria Publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokurorja Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Lidija Raiçeviç, në prononcimin e saj tha se ndoshta konferenca e sotme është vonuar por shtoi se opinioni gjithsesi duhet të dijë për procedurën e arrestimit të profesorëve universitarë dhe të sqarohen dilemat rreth akuzave se aksioni ka shkelur autonominë e universitetit me futjen e policisë në hapësirat e universitetit ku është bërë arrestimi.

“Ligji për arsimin e lartë ka nenin 14 paragrafi 1 i të cilit parasheh kapitullin se hapësirat e universitetit janë të pashkelshme, mirëpo ky kapitull ka një koncesion se policia dhe organet tjera shtetërore kur përballen me një situatë gjatë së cilës kryhet ndonjë vepër penale ose duhet të pengojnë kryerjen e ndonjë vepre penale mund lirisht të futen në hapësirat, në situata tjera ata duhet të njoftojnë Rektorin”, tha ajo për të shtuar se autonomia nuk nënkupton se brenda saj mund të kryhen vepra penale.

Prokurorja deklaroi se hetimet kanë filluar që në vitin 2015 por mungesa e provave materiale tha se ka zgjatur kohën e hetimeve deri kur janë siguruar dëshmitë për çka profesori i Fakultetit të Ekonomisë Bobek Shuklev u ndalua në parkingun e universitetit tek i cili janë gjetur 1000 euro.

Ajo tha se prokurori nuk mund të dijë se kur dhe ku mund të kryhet një vepër penale por sqaroi se se në këtë rast kur është kryer vepra penale prokurori publik ka dhënë urdhër që brenda 30 minutave nga kryerja e veprës të zbatohet një aksion për ndalimin e personit dhe sigurimin e provave.

Raiçeviç lëvdëroi punën e organeve kompetente të cilat sipas saj në një afat shumë të shkurtër kohor kanë siguruar prova materiale kundër të akuzuarve, duke sqaruar se eurot e konfiskuara te profesori kanë qenë paraprakisht të shënuara në polici.

“Organizimi i aksionit meriton lëvdata dhe jo kritika. Asnjë e drejtë themelore e njeriut nuk është shkelur gjatë këtij aksioni policor”, deklaroi ajo për të sqaruar më tej se gjykatësi në procedurën paraprake pesë të dyshuarve kryesorë në aksionin “Erazmus” u ka shqiptuar masën e kujdesit, më konkretisht sigurimin e prezencës së tyre të rregullt në gjykatë duke ua konfiskuar pasaportat.

Prokuroria Publike deri më sot ka siguruar dëshmitë për ryshfet në vlerë prej 2.800 euro.

Të hënën policia në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi arrestoi pesë profesorë të Fakultetit të Ekonomisë nën dyshimin se kanë marrë ryshfet nga studentë në këmbim të notave kaluese në lëndët të cilat ata i ligjërojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button