Kosovë, fondacioni turk “Ejup Sulltan” shtron iftar për 4 mijë persona

Fondacioni Turk “Ejup Sulltan” nga Stambolli, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame në Kosovë, për herë të dhjetë organizon iftar të përbashkët për qytetarët e Prishtinës në tendën e Ramazanit, e cila është ngritur në ambientet para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Koordinatori i këtij fondacioni për Ballkanin, Iskender Janova, i cili është me prejardhje nga Ballkani, në një deklaratë për AA, duke uruar të gjithë besimtarët muslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit, ftoi të gjithë qytetarët të vijnë për iftar në këtë tendë.

“Ky është viti i dhjetë që ne si Fondacion ‘Ejup Sulltan’ organizojmë iftar në Pallatin e Sporteve. Në këtë tendë përgatitet iftari për rreth 2000-2500 persona. Ne si Fondacion hapim tenda në tre qytete të Kosovës, në Prishtinë, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në këto tri tenda çdo natë bëjnë iftar rreth 4000-4500 persona”. u shpreh Janova.

Janova, me këtë rast falënderoi edhe donatorët dhe u shpreh se këto iftare organizohen me mbështetjen e donatorëve nga Turqia dhe nga Kosova, ku në këtë natë donatori kryesor ishte firma TURKSAT nga Turqia.

Janova shtoi se në organizimin e iftareve, në kuzhinë dhe si personel ndihmës punojnë rreth 80 punëtorë. Duke i falënderuar të gjithë organizatorët dhe sponsorët e kësaj tende, Sheremeti nga Prishtina u shpreh: “Kjo është shumë punë e mirë për ata që agjërojnë dhe ata që nuk kanë kushte ekonomike. Ata vijnë këtu dhe ushqehen, por edhe ata që kanë kushte vijnë sepse është sevap.”

“Falënderoj shtetin dhe të gjithë organizatorët nga Turqia, të cilët na kanë mundësuar edhe neve që jemi studentë dhe atyre që nuk kanë mundësi. Është Ramazani i tretë që bashkë me shokët e mi, ne vijmë këtu. Gjithçka është e mirë, mikpritja është jashtë zakonisht e mirë dhe jemi shumë të kënaqur me mikpritjen”, u shpreh Besart Kryeziu nga Komuna e Kamenicës dhe student i mjekësisë në Prishtinë.

“Ky është një organizim shumë i mirë, ku ne e ndajmë ushqimin tonë me qytetarët e Kosovës dhe kjo është një ndjenjë e mirë për ne”, u shpreh Doruki, një student i ardhur nga Turqia i cili kishte ardhur në tendë për iftar.

Ndërkohë në Kosovë kanë ardhur 25 imamë nga Turqia, të cilët do të jenë aktivë në mbarë Kosovën gjatë gjithë muajit të Ramazanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button