Emiratet e Bashkuara interes për të investuar në Shqipëri

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilluan sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Gjatë takimit u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe u fol për mundësitë e mëdha të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, në sektorë strategjikë të ekonomisë, si portet, energjitika dhe transporti.

Ministri Bushati bëri një prezantim të mundësive për investime në Shqipëri, ku veçoi fushat e transportit, turizmit dhe energjitikës, si fusha me potenciale të mëdha investimi.

Gjithashtu, ai falënderoi qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për mbështetjen që ky vend ka dhënë në njohjen e Kosovës dhe për rolin konstruktiv që ky vend ka luajtur në rajonin e Lindjes së Mesme.

Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe u shpreh se vendi i tij është i interesuar për mundësitë konkrete që ka Shqipëria, në fusha të ndryshme dhe nënvizoi rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve. Ai konfirmoi vizitën e tij në Tirane në muajin mars të vitit të ardhshëm, së bashku me një grup të rëndësishëm të kompanive emiratase, me qëllim konkretizimin e projekteve në fusha me interes reciprok.

Në fund të takimit, ministri Bushati përgëzoi homologun e tij për EXPO 2020, që do të mbahet në Dubai./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button